/2L ONLINE/ – Fehmi Sylejmani, anëtar i KK-së Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, vazhdon të jetë i shqetësuar për faktin se hapësira në katin e dytë, tek objekti i Administratës së Përgjithshme, e dedikuar për sektorin e tatimit në pronë nuk ofron mundësi të barabarta për qytetarë pasi në mesin e qytetarëve ka edhe pjesëtare me aftësi të kufizuar, përkatësisht qytetarë të hendikepuar, të cilët janë shumë të ndërgjegjshëm rreth obligimeve komunale, mirëpo kanë telashe se si të ngjiten në katin e dytë të sektorit të tatimit në pronë për të kryer këto obligime.
Sylejmani, këtë shqetësim e ka ngritur edhe në seancën e fundit të KK-së, duke thënë se sektori për tatim në pronë në objektin e komunës në katin e dytë, është veprim i gabuar i komunës kur dihet mirëfilli se në mesin e qytetarëve ka edhe të hendikepuar që nuk mund të ngjiten në shkallë, kjo është në kundërshtim me ligjin për personat me aftësi të kufizuar.
“Ne, në Vetëvendosje konsiderojmë të gabuar dhe të pamatur zhvendosjen që eeka bërë kjo qeverisje të këtij sektori dhe dikush do të duhej të jepte përgjegjësi për këtë veprim, që është në kundërshtim me ligjin për persona me aftësi të kufizuar. Po ashtu kjo qeverisje nuk ka marrë për bazë se një pjesë e këtij komunitetit janë me karroca dhe nuk mund të ngjiten në katin e dytë, teksa shumë prej tyre edhe janë qytetarë të ndërgjegjshëm që i kryejnë me kohë obligimet komunale”, ka thënë Sylejmani i Vetëvendosjes.
Prandaj, ai thotë se në një afat sa më të shpejt, drejtoria përkatëse, do të duhej ta mendojë mirë këtë çështje dhe të bënë zgjidhje reale dhe të favorshme për këtë shtresë të qytetarëve. /2L ONLINE/