/2L ONLINE/ – Anëtari i Kuvendit Komunal në Gjilan nga radhët e Vetëvendosjes!, Fehmi Sylejmani, në seancën e parë të këtij viti, ka kërkuar nga organet relevante të komunës të sektorit të mjekësisë, që në fshatin Zhegër të ketë mjek edhe pas dite, si kundër që barnatorja e vetëm e QKMF të punojë për shërbime të pacientëve edhe ajo pasdite.
“Duke e marrë për bazë, se gravitacioni dhe numri i qytetarëve në Zhegër dhe rrethinë është tejet i lartë, atëherë ne mendojmë se në këtë vendbanim duhet patjetër të punojë mjeku edhe pasdite, përkatësisht të jetë stafi mjekësor në dy ndërrime atje. Pra të punojë prej orës 7 të mëngjesit deri ën ora 20 e mbrëmjes, sepse Zhegra e cila pretendon që në një të ardhmen të jetë komunë, është një qendër e madhe dhe ka përreth saj shumë fshatra”, ka thënë Sylejmani.
Gjithashtu ai ka ngrit edhe një çështje tejet të rëndësishme për qytetarët e territorit të komunës së Gjilanit, përkatësisht për pacientët eventual, që të kenë mundësi të shfrytëzojnë barnatoren e vetëm në QKMF edhe atë pas dite.
“Duke e pas parasysh se në QKMF ekziston vetëm një barnatore dhe puna e saj është vetëm deri në ora 14, ne mendojmë se është në interes të qytetarëve, që në këtë qendër të mjekësisë primare(parësore) të shikohen mundësitë, në radhë të parë nëse ka resurse të bollshme njerëzore e profesionale, në të kundërtën të punësohen në këtë sektor dhe kjo barnatore të punojë edhe në ndërrimin e dytë, përkatësisht deri në ora 20, sepse në këtë formë kjo në mënyrë indirekte ju shkon përshtati barnatoreve private”, ka pohuar Sylejmani. /2L ONLINE/