/2L ONLINE/ – Si duket Gjilani është dorëzuar dhe e ka humbur “luftën” me duhanin, pasi jemi dëshmitarë se po konsumohet pothuajse pa dallim nëpër vende publike, në ambientet e brendshme, dhe se shenjat se aty ndalohet pirja e duhani po shërbejnë vetëm sa për dekor. E, dekor rezulton të jetë edhe ligji që e rregullon këtë çështje pasi ai si duket nuk po mundet me “que” krye e me gjet zbatim.
Kjo situatë sa i përket kësaj çështje e ka shqetësuar sërish anëtarin e Kuvendit Komunal të Gjilanit, nga radhët e Vetëvendosjes, Fehmi Sylejmanin i cili sërish ka kërkuar nga organet kompetente informacione lidhur me këtë çështje.
Sipas tij, ky interesim i tij i vazhdueshëm tregon se Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan me këmbëngulje kërkon të respektohen dispozitat ligjore në çdo segment të jetës dhe institucionet komunale.
AI thotë të ketë kërkuar sërish nga Njësia e Inspeksionit në Gjilan një informatë zyrtare rreth respektimit të ligjit për mos pirje të duhanit në vende publike si kundër se sa gjoba janë shqiptuar për shkelësit e këtij ligji
Ndonëse kohë më parë e ka deponuar kërkesën sipas rregullave të parapara me ligj dhe është në pritje të përgjigjes, teksa në shkresën e drejtuar të Sylejmanit në adresë të sektorit të inspeksionit thuhet: “ Ju lutemi të na informoni saktë, se sa po respektohet ligji për ndalimin e duhanit në vende publike e private në tërë territorin e komunës së Gjilanit si kundër sa gjoba janë shqiptuar për shkelësit e këtij ligji për gjatë vitit 2015, përkatësisht janar – dhjetor”.
Sylejmani edhe më parë disa herë e ka ngritur këtë çështje në seanca të Kuvendit Komunal, mirëpo, siç thotë ai, asnjëherë ky shqetësim jo vetëm i tij, por edhe i shumë qytetarëve gjilanas nuk është përfillur dhe shqyrtuar, pa ndonjë arsyetim nga organet relevante të komunës.
“Është e çuditshme se si organet përgjegjëse komunale bëhen të shurdhër ndaj kësaj dukurie, që në Gjilan fare nuk respektohet dhe nuk ka asnjë vend qoftë publik apo privat që e respekton ligjin e mospirjes së duhanit”, ka thënë Sylejmani për Portalin 2L ONLINE, duke vënë tutje në spikamë se edhe në shumë zyre të ndryshme të komunës, duhani shkon fjollë dhe askush nuk ndërmerr masa ndaj këtyre shkelësve të këtij ligji.
Ndryshe, ka vijuar Sylejmani, shumë qytetarë që nuk janë duhanpirës nuk po kanë mundësi të gjejnë ndonjë lokal të vetëm që mund të ulen dhe të kuvendojnë e ku nuk lejohet pirja e duhanit.
”Kjo vërtetë është e pakuptimtë dhe e patolerueshme. Ligji duhet të vlej për të gjithë, e nuk mundet askush të del mbi ligjin. Mirëpo edhe kësaj dukurie, një ditë do t’i vije fundi”, ka përfunduar Sylejmani, me një thënie popullore se “Kungulli gjithmonë nuk shkon përmbi ujë”.
Ndryshe, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetsisë, në Kosovë llogaritët se mesatarisht vdesin rreth 7.500 veta në vit. Prej tyre, rreth 2.000 vdekje llogaritet se janë si pasojë e sëmundjeve që mund të vijnë nga konsumimi i duhanit. /2L ONLINE/
Fehmi Sylejmani