/2L ONLINE/ – Fehmi Sylejmani anëtar i Kuvendit Komunal nga Vetëvendosje dhe njëherësh anëtar i Komitetit Komunal të Arsimit në Gjilan, ka thënë se në arsimin gjilanas ka një mal parregullsish sa që nuk mund të quhet vit i suksesshëm mësimor ashtu siç pretendon DKA. Sylejmani tha se po e ngrisin zërin e tyre si opozitë duke i bërë publike këto parregullsi dhe për të kërkuar llogari nga përgjegjësitë për këtë gjendje në arsim.
“Ndonëse në fund të çdo gjysmëvjetori mësimor bëhet një vlerësim i përgjithshëm për ecurinë dhe përformancën në procesin mësimor dhe analizohet suksesi i nxënësve për rezultatet e arritura, duke krahasuar rezultatet e suksesit me rezultatet e periudhës së njëjtë të vitit paraprak. Në këtë drejtim Drejtoria Komunale e Arsimit ende nuk ka dalë me shifra, fakte dhe të dhëna zyrtare për punën e vazhdueshme që duhet të bëhet, me qëllim që cilësia e arsimit në shkollat tona të shënojë progres dhe të arrijë në nivelin e shkollave të përparuara, si: në mësimdhënie, në nxënie dhe të një vlerësim sa më objektiv i arritshmërisë së nxënësve. Pavarësisht kësaj ne konsiderojmë se gjatë këtij viti shkollor arsimin gjilanas e kanë përshkruar disa lëshime, parregullsi, shkelje ligjore dhe dobësi, duke mos përjashtuar edhe ndonjë element pozitiv”, ka thënë Sylejmani.
Ai thotë se nga ajo që është prezantuar në medie kemi se rezultate e testit të arritshmërisë për klasën e 9- të kanë qenë mjaftë të mira, por që janë kontestuar nga shumë mësimdhënës dhe njohës të arsimit se këto rezultate kanë qenë artificiale dhe të fryra, gjë që nuk na jep komoditetin të ndihemi krenar me të arriturat e tilla, ndërkohë që testi i maturës këtë herë në Gjilan nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar, ku rreth 60 % testin e maturës e kanë kaluar dhe atë pjesa dërmuese maturantëve gjimnazist.
Regjistrimi i nxënësve në klasat e para
Sylejmani i vetëvendosjes tha se edhe në këtë shtator prindërit do jenë të stresuar me rastin e regjistrimit të fëmijëve të tyre në klasat e para. DKA edhe këtë vit ka vazhduar të mbajë në fuqi sistemin e regjistrimit me anën e zarfit, gjë që po krijon shumë pakënaqësi te vetë fëmijët, të prindërit, por edhe te vetë mësimdhënësit si dhe te stafi udhëheqës i shkollës dhe komunitetit, meqë sipas dispozitave ligjore regjistrimi i nxënësve në klasën e parë është kompetencë ekskluzive e shkollës përkatëse, duke u bazuar në specifikat që i ka shkolla dhe zonës së saj të mbulimit.
Regjistrimi i nxënësve në klasat e dhjeta:
Sulejmani ka thënë tutje se deri më tani edhe ky pushtet nuk ka arritur të mbajë të balancuar numrin e nxënësve sipas specifikave që kanë shkollat e mesme, asnjë herë nuk është arritur të respektohet udhëzimi administrative që përcakton numrin e nxënësve nëpër klasa.
Ai mendon se si rezultat e politikave të gabuara të deritanishme të regjistrimit të nxënësve në klasat e dhjeta, disa shkolla kanë numër të tejkaluar, duke shkelur çdo norme ligjore, ndërsa shkolla e mesme e Agrobiznesit në vazhdimësi po ka telashe rreth numrit të duhur të nxënësve. Ndërkohë që rreth motivimit të nxënësve në këtë shkollë, DKA e përkrahur nga Komiteti për Arsim ka marrë një iniciativë për të ndarë bursa për nxënësit e kësaj shkolle, që pritet të implementohet këtë vit shkollor, d .m. th , që nga shtatori.
“Përderisa sivjet edhe Kuvendi i Komunës e ka miratuar iniciativën e DKA për ndarje të bursave për nxënësit e shkollës së mesme bujqësore, sivjet studentët do të privohen nga e drejta e shfrytëzimit të bursës, për shkak të mosplanifikimit të mirë të mjeteve financiare edhe për këtë kategori. Kjo ka ndodh sepse në buxhetin e paraparë për DKA, janë subvencionuar vetëm 50 mijë euro, kjo shifër është tepër e vogël për të mbuluar me bursa edhe nxënësit edhe studentët. Shih për këtë Ne, kemi kërkuar në rishikimin e buxhetit në Kuvendin Komunal, që kjo shumë e subvencioneve të dyfishohet në 100 mijë, për plotësuar të dyja kategoritë, përndryshe në rast se mbetet ashtu siç është prezantuar projekt buxheti, e që ka shumë pak gjasa të ndryshoje, atëherë sivjet të gjithë studentët e komunës së Gjilanit nuk do të kenë bursa’, thotë Sylejmani.
Mos shpallja e vendeve të lira të punës tendencë për të rehatuar “partiakët”
Mos shpallja e vendeve të lira të punës, që është proklamuar nga drejtori i arsimit në Gjilan, nuk është gjë tjetër veçse tendencë për të mbuluar keqpërdorimet e deritashme, përkatësisht rehatimin e punëtorëve që janë duke punuar pa konkurs, që kryesisht janë me baza partiake dhe nepotizëm. Çdo mos shpallje e vendeve të lira të punës është shkelje e rënde ligjore. Gjithashtu edhe emërimi i drejtorëve nga një shkollë ne tjetrën, duke mos e shpallur konkursin është e jashtëligjshme, sikurse edhe delegimi i pedagogut pa konkurs në emër të sistemimit, është krejtësisht i paligjshëm.
Edhe më tej në Drejtorinë e Arsimit, punojnë zyrtarë pa konkurs dhe jo profesional dhe askush nuk ndërmerr masa ndëshkuese ndaj këtij rasti, thotë Fehmi Sylejmani i Vetëvendosjes së Gjilanit.
Zgjedhja e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve sipas ligjit për shërbyes civil
Për Sylejamnin, edhe zsgjedhja e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve sipas ligjit për shërbyes civil konsiderohet se në radhë të parë është politik, diskriminues dhe jo cilësor dhe konflikt në mes dy ministrive, asaj të Administratës dhe Ministrisë së Arsimit.
“Jemi shumë të vetëdijshëm se shpallja e konkursit të zgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të institucioneve, deri më tani ka qenë në pajtueshmëri me proceduarat ligjore për rekrutim dhe kriteret ligjore të përcaktuara nga MASHT-i dhe nuk është kompetencë e komunës, por kërkojmë me ngulm, duke inkorporuar të gjitha mekanizmat e mundshme relevant, që kjo procedurë e zgjedhjes së stafit udhëheqës të shkollave të behët si më parë, meqë zgjedhja e drejtorit, udhëheqës i karrierës dëshmon se këtë herë drejtori zgjidhet deri në pension(i përjetshëm), gjë që as në sistemin monist kjo nuk ka ndodh”, thotë Sylejmani.
Sipas tij, gjithashtu kjo mënyrë e zgjedhjes shkon direkt në favor të partisë në pushtet, për faktin se në çdo shkollë vendosen individë që i takojnë subjektit aktual, e që më pas do të reflektojë negativisht në mbarëvajtjen e procesit mësimor.
“Asnjë drejtor i karrierës nuk do të jetë gjithmonë në elementin e duhur të detyrës, sepse me kalimin e kohës do të konsumohet, do t’ju mungojë angazhimi, serioziteti dhe përkushtimi për vendin e punës, si kundër se do te jenë tepër jo motivues, inertë, jo kreativ dhe me sjellje autoritare”, ka thënë në fund Fehmi Sylejmani anëtar i Kuvendit Komunal nga Vetëvendosje dhe njëherësh anëtar i Komitetit Komunal të Arsimit në Gjilan. /2L ONLINE/