Shaip Surdulli kryetar i LDK-së në Kamenicë është takuar me Isa Mustafën duke kërkuar prej tij mundësinë e përfaqësimit të LDK-së së Kamenicës në Qeveri të paktën me një pozitë të zv.ministrit. Surdulli tha se po ashtu me kryeministrin ka biseduar edhe për përkrahjen më të madhe të komunës së Kamenicës nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
“Sot pata kënaqësi të veçantë në takim me Kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ku fillimisht Kryeministri më njoftoi për aktualitetin politik. Biseduam për mundësinë e përfaqësimit të Degës së LDK-së në Qeveri në mënyrë sa më adekuate duke përfshirë edhe një pozitë të zv.Ministrit. Po ashtu edhe për përkrahjen më të madhe të komunës së Kamenicës nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ku Kryeministri premtoi një vizitë së shpejti në komunën e Kamenicës. Me këtë rast e falënderova për disa meremetime të mira të rrugëve regjionale nga ministria e Infrastrukturës. E përmenda që Palestra Sportive ka filluar ne vitin 2004 e ende nuk po përfundon” ka shkruar Surdulli në profilin e tij në facebook, transmeton Radio 24.
Nga këto takime të nivelit të lartë Surdulli po tregon se ka mundësi dhe është i gatshëm të ndihmojë edhe si opozitar kur është në pyetje Kamenica. Edhe më herët Surdulli ka deklaruar se do t`ia kthejë dinjitetin qytetit të Kamenicës.