Sulmohet ekipi i KTV-së derisa po xhironte disa objekte, të cilat sipas kryetarit të ri të Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk kanë leje ndërtimi. Kameramani Besfort Malsiu është sulmuar fizikisht nga punëkryesi i një ndërtese në Lagjen e Muhaxherëve, afër ndërtesës së re të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Gjatë sulmit ka ndërhyrë një pjesëtare e Policisë së Kosovës, e cila ishte në hyrje të ndërtesës së Akademisë dhe ka arritur ta arrestojë sulmuesin. Grupi “Koha” dënon ashpër sulmin.
“Gazetarët vazhdimisht ballafaqohen me një sërë sfidash gjatë raportimit dhe denoncimit të dukurive që dëmtojnë shoqërinë tonë. Por sulmi fizik është akti më i ulët që ka për qëllim ndalimin e lirisë së shprehjes dhe pengimin e nxjerrjes të së vërtetës në shesh. Një sulm i tillë nuk do të sprapsë gazetarët e KTV-së, të cilët me këmbëngulje do të vazhdojnë të sjellin të vërtetën dhe lajmin që është në interes të shikuesve të tij”. Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës ka reaguar ndaj sulmit të ekipit të KohaVision. “Kjo ngjarje ndaj ekipit të KTV-së ,e ka goditur thellë AGPK-në, e cila i bënë thirrje urgjente policisë që të merret edhe me pronarin i cili ka kërcënuare gazetaren dhe kameramanin. AGPK kërkon nga kolegët e KohaVision-it dhe gjithë kolegët e tjerë që të mos ndikohen nga rastet e tilla”, thuhet në reagimin e AGPK-së./koha/