Suksese të shumta e gjejnë shkollën “Selami Hallaqi”, në shënimin e Ditës së Shkollës
/2L ONLINE/ – Sukseset ishin ato që dominuan në shënimin e ditës së shkollës fillore “Selami Hallaqi”, gjatë elaborimit të folësve në këtë event të rëndësishëm për këtë shkollë, sikur që edhe kërkesat për angazhime të mëtejme sin ë fushën e investimeve, poashtu edhe në aspektin edukativo – arsimor.
Me këtë rast në fjalën e tij nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu, ka thënë se shkolla “Selami Hallaqi”, është shkollë e cila ka formuar dhe nxjerrur kuadro të fuqishme në lëmi të ndryshme të jetës.
“Pikërisht nga kjo shkollë kanë dalë kuadro të shumta e të ndryshme nga fusha e artit, kulturës, shkencës, politikës dhe profileve të tjera të shumta e të nevojshme për shoqërinë. Jam i lumtur dhe në të njëjtën kohë krenar me të arriturat e kësaj shkolle, prandaj uroj shumë suksese të gjithëve, e posaqërisht mësimdhënësve dhe nxënësve të kësaj shkolle elitare të Gjilanit. Kjo shkollë është shembull i edukimit të gjeneratave, prandaj edhe njëherë po e përsëris se arsimi është shtylla e parë e qeverisjes Haziri dhe kështu është edhe prioriteti i parë në qeverisjen komunale”, ka thënë nënkryetari në fjalën e tij.
Ai poashtu ka potencuar se puna e palodhshme e mësimdhënësve dhe përkushtimi i vazhdueshëm i tyre dëshmohet me sukseset që nxënësit e kësaj shkolle kanë sjellur në Gjilan, nga garat e ndryshme në nivel të Republikës së Kosovës dhe në garat ndërkombëtare e simpoziume në lëmi të ndryshme.
Ndërsa, në fjalën e tij drejtori i Drejtorisë Komunale të Gjilanit, Nazmi Musa, në fjalën e tij ndër të tjerash ka pohuar se sukseset e drejtorisë Komunale, janë me vlerë vetëm atëherë, kur sukseset e shkollave janë evidente dhe pjesë e konkurrencës brenda dhe jashtë vendit.
“Rezultatet e drejtorisë së Arsimit, janë të mira gjithnjë kur shkollat e një Komune dëshmojnë suksese me punë, që në Gjilan kjo është prezente gjithnjë. Angazhimi ynë së bashku edhe me Ministrinë e Arsimit, është që të kemi cilësi në mësim, sikur që edhe investime njëkohësisht. Falë edhe mbështetjes së kryetarit arsimi në Gjilan është prioriteti i parë dhe me këtë po merremi vazhdimisht, që arsimi gjilanas të ketë të garantuar rrugën të cilën e meriton, atje ku edhe e ka vendin”, ka thënë ai duke pohuar se investimet në këtë shkollë dhe nëpër shkollat tjera do të vazhdojnë edhe më tutje.
E drejtori i shkollës, Florim Maloku, ka numëruar disa projekte të realizuara, sikur që edhe suksese të ndryshme të arritura në këtë shkollë, sikur që ka parashtruar edhe disa kërkesa që janë imediate për të vepruar në të ardhmen.
Ndryshe, në këtë shkollë është mbajtur edhe një program i pasur kulturo-artistik nga nxënësit e shkollës. /2L ONLINE/
