Subjektet politike nuk mund të amnistohen për dëmet që ua kanë shkaktuar shqiptarëve në Luginë
Fatmir Arifi, kryetar i Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës , në një intervistë për Portalin 2LONLINE, thotë se procesi politikë në Luginë ka degraduar, atje siguria në përgjithësi po shkon duke u përkeqësuar, zhvillimi ekonomik është në gjendje të mjerueshme, e arsimi shqip është si në kohën e inkuizicionit… Po ashtu, zbatimi i politikave demografike në Luginë të Preshevës, nga ana e Serbisë, në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare, po e bënë spastrimin etnik, duke i fshirë nga regjistrat manualë vendbanimet e shqiptarëve dhe si pasojë, po ua pamundëson atyre marrjen e dokumenteve të identifikimit… Vetëm gjatë këtyre viteve të fundi shteti serb ka shpërngulur dymbëdhjetë mijë shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Pesëmijë prej tyre ua ka pasivizuar vendbanimin. E gjithë kjo, mes tjerash, paraqet një kërcënim serioz edhe për sigurinë kombëtare të Kosovës… Arifi thotë se subjektet politike shqiptare fatkeqësisht nuk iu bashkuan iniciativës së tyre për të krijuar një front të përbashkët kundër qeverisë serbe. Ato nuk arritën t’i lënë mënjanë interesat dhe ambiciet e tyre personale për të parandaluar përkeqësimin e situatës…
***
2LONLINE: Në Luginë të Preshevës gjërat nuk po shkojnë drejt realizimit e të drejtave të shqiptarëve. Ju si Lëvizje politike përkundër që jeni të shtrirë në Kosovë, cili është opinion juaj për procesin politik që po zhvillohet në Luginë të Preshevës?
Arifi: Ne, si Lëvizje për Integrim kemi adresuar shumë çështje, me qëllim që ta parandalojmë devijimin e procesit politik në Luginë të Preshevës. Jam i sigurt tanimë, se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të vetëdijshëm për degradimin e këtij procesi atje, aq më tepër tani në prag të zgjedhjeve që do të mbahen më 24 prill. Lëvizja jonë është e organizuar në Kosovë dhe nuk jemi pjesë e procesit zgjedhor në Luginë, sepse pjesa dërmuese e aktivistëve tanë janë të përndjekur apo dënuar padrejtësisht nga regjimi serb. Megjithatë, ne nuk mund të rrimë duarkryq e ta kundrojmë nga larg degradimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, i cili po ndodh në vazhdimësi.
Andaj, ne vazhdimisht e kemi shprehur shqetësimin tonë se siguria në Luginë të Preshevës në përgjithësi po shkon duke u përkeqësuar. Zhvillimi ekonomik është në gjendje të mjerueshme, arsimi shqip është si në kohën e inkuizicionit. Aty nuk lejohen tekstet në gjuhën shqipe. Në një vend ku politikat e qëllimshme janë derivat i përkeqësimit të sigurisë, aty bëhet fjalë për politika të gjenocidit.
Përballë këtij procesi degradues, ne si Lëvizje për Integrim e Luginës së Preshevës i kemi ofruar bashkëpunim të gjithë spektrit politik të Luginës, por edhe institucioneve të Republikës së Kosovës për t’i harmonizuar qëndrimet tona në favor të përmirësiitm të situatës. Por e vërteta është se aktorët politikë në Luginë të Preshevës nuk kanë treguar vullnet parësor që të bëhen pjesë e përpjekjeve për të rikthyer ekuilibrin e interesave në avantazhin e qytetarëve shqiptarë. Ndërkaq, institucionet e Kosovës ende nuk po arrijnë të dalin nga trauma e krizës së brendshme politike, që për fat të keq është si rrjedhojë e mos-presionit të faktorit ndërkombëtar ndaj Serbisë, për ta hequr nga Kushtetuta e saj territorin e Republikës së Kosovës. Megjithatë, duhet ta pranojmë se përpjekjet e përbashkëta, më së shumti janë duke u penguar nga të bërit politikë në mënyrë artificiale, duke ikur nga thelbi i problemit real.
2LONLINE: Cilin fakt do ta kishit radhitur si e arritur në Luginë të Preshevës?
Arifi: Aty ku nuk ka progres, jemi të detyruar t’i numërojmë dështimet. Pesëmbëdhjetë vjet nga Marrëveshja e Konçulit, marrëveshje që krijoi një armëpushim në mes të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe shtetit serb, zbatimi i dispozitave kryesore politike nuk është jetësuar asnjëherë. Kjo është kryesisht si pasojë e mungesës së vullnetit politik të qeverisë serbe, por edhe e mungesës së vullnetit politik të subjekteve politike shqiptare në Luginë të Preshevës, për ta ngritur çështjen e të drejtave të shqiptarëve. Kryengritësit shqiptarë kanë qenë faktorë në zgjidhjen e çështjes së Luginës së Preshevës përmes tre qëllimeve: sensibilizimin e çështjes së Luginës së Preshevës, militarizimin e krizës politike dhe ndërkombëtarizimin e procesit të paqes, pra atij politik. Ata kanë bërë një kompromis shumë të madh gjatë këtij procesi, me synimin që t’i hapet rruga procesit politik. Duhet ta theksojmë se detyrë e kryengritësve ka qenë çuarja deri në tavolinën e negociatave ndërkombëtare për zgjidhjen e problemit politik. Dhe kjo duhet të kuptohet dhe të respektohet nga të gjithë e sidomos nga faktori ndërkombëtar. Nga ai moment përgjegjësinë e procesit është dashur ta bartin subjektet politike të Luginës.
Për t’iu kthyer pyetjes suaj, ne jo që kemi progres të çështjes, por jemi në një situatë shumë urgjente se si ta parandalojmë zbatimin e politikave demografike në Luginë të Preshevës, nga ana e Serbisë, në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare. Përmes këtyre politikave, shteti serb po bën spastrim etnik, duke i fshirë nga regjistrat manualë vendbanimet e shqiptarëve dhe si pasojë, po ua pamundëson atyre marrjen e dokumenteve të identifikimit. Lidhur me këtë problem madhor, angazhimi i subjekteve politike shqiptare përveç që është në nivelin zero, për fatin tonë të keq, sot e pesë vjet e kanë mbajtur fshehtë këtë spastrim etnik apo etnocid, që herë pas herë e kanë trajtuar si në trajtën e rasteve individuale dhe jo si politikë e rafinuar e spastrimit etnik të qeverisë së Beogradit. Në të gjitha legjislacionet penale në botë, fshehja e krimit nënkupton vepër penale për bashkëpjesëmarrje dhe bashkëfajësi në krim. Lëvizja jonë u gjet e vetme në sensibilizimin e kësaj të keqe të madhe dhe përmes një peticioni iu drejtuam faktorit ndërkombëtar për të kundërshtuar këtë politikë. Subjektet politike shqiptare, jo që nuk u angazhuan në këtë drejtim, por krijuan huti dhe pasiguri te qytetarët shqiptarë, që të mos mobilizohen në kuadër të kësaj nisme. Megjithatë ne arritëm t’i grumbullojmë dhjetëmijë nënshkrime, dhe tani më veç i kemi adresuar në institucionet ndërkombëtare: Këshillin e Evropës dhe Parlamentin Evropian. Duhet ta theksojmë se vetëm këtyre viteve të fundi shteti serb ka shpërngulur dymbëdhjetë mijë shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Pesëmijë prej tyre ua ka pasivizuar vendbanimin. E gjithë kjo, mes tjerash, paraqet një kërcënim serioz edhe për sigurinë kombëtare të Kosovës.
Për fat të keq, subjektet politike shqiptare nuk iu bashkuan iniciativës tonë për të krijuar një front të përbashkët kundër qeverisë serbe. Ato nuk arritën t’i lënë mënjanë interesat dhe ambiciet e tyre personale për të parandaluar përkeqësimin e situatës.
2LONLINE: Qeveria e Serbisë nuk lejoi që libri shqip, i cili ishte donacion i Republikës së Kosovës, të shpërndahet nëpër shkolla në Luginë. Spektri politik atje duket se u gjend tërësisht i paharmonizuar dhe sikur dëshmoi një dobësi politike dhe dobësi lidershipi. Si e komentoni ju këtë?
Arifi: Që nga viti 2002, subjektet politike në Luginë të Preshevës, kush më herët e kush më vonë, nuk mund të amnistohen për dëmet që i kanë shkaktuar shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Procesi politik pas Marrëveshjes së Konçulit, ka kaluar nëpër tre nivele, nivele këto që herë kanë shkuar paralelisht, herë-herë janë mbivendosur. Niveli i parë ka qenë niveli i devijimit të procesit politik në Luginë të Preshevës. Për këtë qëllim, qeveria serbe, krijoi të ashtuquajturin “Trupin Koordinues për Serbinë e Jugut”. Ky mekanizëm shtetëror, brenda të cilit u përfshinë edhe disa subjekte politike shqiptare, devijoi thelbin e të drejtave të patjetërsueshme të shqiptarëve. Nuk u mjaftua me kaq. Më vonë qeveria serbe inicioi formimin e Këshilli Nacional, si instrument i cili, te drejtat e shqiptarëve nga niveli i devijimit, i shpuri në nivel të degradimit. Duke u bërë pjesë e Këshillit Nacional, përveç tjerash, subjektet politike degraduan edhe procesin e arsimit. Kështu procesi politik, aktualisht në Luginë të Preshevës ndodhet në prag të kalimit në nivelin e fundit – atë të zhbërjes apo asgjësimit të qenies shqiptare në Luginë, e me këtë normalisht edhe i subjekteve politike shqiptare, gjegjësisht procesit politik si të tillë. Dua të theksoj se për pesëmbëdhjetë vjet rresht, target i propagandës nëpër fushata elektorale i të gjithë subjekteve politike, pa përjashtim, ka qenë libri shqip në Luginë të Preshevës. Qoftë njëri apo tjetri subjekt politik kanë ardhur në pushtet lokal përmes këtij targeti. Dhe ajo që u vërtetua në fund është se në Luginë të Preshevës, qeveria e Beogradit nuk lejoi librin në shqip. Atëherë shtrohet pyetja, përse vallë duhet të ekzistojë ky këshill nacional? Për të çuar deri në gjendje të trishtueshme ekzistencën e shqiptarëve të Luginës!?
E kamë thënë për të satën herë dhe po e ripërsëris sërish se subjektet politike në Luginë të Preshevës, qoftë veç e veç, dhe në fund edhe së bashku në Këshillin Nacional, e kanë humbur kuptimin e politikës. Mision i tyre i vetëm ka mbetur ndërtimi i imazhit të rrejshëm të demokratizimit të Serbisë, para faktorit ndërkombëtar, që me terma politikë përkthehet si: të dëmtosh në mënyrë të qëllimshme të drejtat natyrore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke i kamufluar problemet e vërteta.
Vitin e kaluar, më 19 nëntor në Preshevë dhe më 25 nëntor në Bujanoc, Këshilli Studentor i Luginës së Preshevës, organizoi protesta me moton “Dua Abetaren Time, Dua Librin Shqip”. Këtë lëvizje për librin shqip e mbështetën veprimtarë anekënd viseve shqiptare. Të vetmit që nuk i mbështetën këto protesta studentore, as fizikisht, përmes pjesëmarrjes dhe as deklerativisht, qenë subjektet politike shqiptare në Luginë të Preshevës. Për më tepër, tre muaj më vonë drejtuesit institucionalë, organizuan protestë lidhur me po këtë çështje, por nuk arritën t’i nxjerrin në rrugë as pesëdhjetë vetë. Ky veprim, për mendimin tim është devijim i qëllimshëm i bazës konceptuale, duke e përzier propagandën ditore me politikën e vërtetë, gjithnjë në dëm të perspektivës së zgjidhjes së çështjes shqiptare në Luginë. Dobësimi politik dhe dobësimi i lidershipit, siç e konstatuat ju në pyetjen tuaj, ndërkaq unë do ta quaja degradim, s’do mend që është i pranishëm në Luginë të Preshevës, por kjo po ndodh vetëm në mënyrë të qëllimshme.
Ne si lëvizje për integrim po bëjmë përpjekje për të kapërcyer këtë situatë jo normale dhe kemi filluar takimet me intelektual, veprimtarë të fushave të ndryshme dhe sipërmarrës për të krijuar Kuvendin Kombëtar, jashtë institucioneve të Serbisë, si një mekanizëm i unifikimit politik në mënyrë që të adresojmë drejt kërkesat tona në institucionet ndërkombëtare.
Besoj që platforma e Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës mund të përdoret për një diskutim serioz mbi mënyrën se si ta kthejmë në rrugë të mbarë të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. /2L ONLINE/
