DYLON

Studentët prezantojnë platformën digjitale “Vlerësimi Sekret Publik” për menaxhimin modern të vlerësimit në shkolla

Studentët prezantojnë platformën digjitale “Vlerësimi Sekret Publik” për menaxhimin modern të vlerësimit në shkolla
Avatar photo Redaksia

Studentët e vitit të tretë në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Vjosa Halili, Blenda Maliqi, Eronit Sopi, Adela Salihu dhe Olta Halili,  mbrojtën me sukses projektin e tyre në kuadër të lëndës “Projekt”, nën udhëheqjen e Prof. Ass. Dr. Afërdita Ibrahimi.

Në kuadër të kësaj lënde, ata prezantuan projektin inovativ “Vlerësimi Sekret Publik”, një sistem digjital i konceptuar për të modernizuar dhe përmirësuar procesin e vlerësimit të nxënësve në institucionet arsimore.

EkoHigjiena

Platforma “Vlerësimi Sekret Publik” është ndërtuar si një sistem i sigurt për menaxhimin e vlerësimeve, duke garantuar privatësinë e nxënësve përmes përdorimit të pseudonimeve unike. Sistemi përfshin tre role kryesore: administratorin, mësuesin dhe prindin, duke mundësuar një organizim të qartë dhe efikas të procesit të vlerësimit.

Ky sistem ofron:

* Regjistrimin e vlerësimeve ditore, javore dhe mujore

* Gjenerimin e raporteve përfundimtare

* Komunikimin e drejtpërdrejtë ndërmjet shkollës dhe prindërve

Qëllimi kryesor i projektit është modernizimi i procesit të vlerësimit, forcimi i bashkëpunimit shkollë–familje si dhe sigurimi i një menaxhimi të strukturuar, transparent dhe të sigurt të të dhënave arsimore.

Anëtarët e grupit realizues Vjosa Halili, Blenda Maliqi, Eronit Sopi, Adela Salihu dhe Olta Halili, përmes bashkëpunimit ekipor dhe angazhimit profesional arritën të zhvillojnë një zgjidhje funksionale me potencial për zbatim praktik.

Në përfundim të mbrojtjes, udhëheqsja e grupit Prof. Ass. Dr. Afërdita Ibrahimi, e cila njëkohësisht është Dekane e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, vlerësoi lart punën e studentëve, duke theksuar se ata kanë realizuar projekt me nivel të lartë profesional, funksionalitet të qartë dhe potencial për implementim real. Ajo i përgëzoi për përkushtimin, bashkëpunimin ekipor dhe kreativitetin e treguar, duke iu uruar suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional.

Ky projekt dëshmon nivelin e lartë të përgatitjes së studentëve të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe përkushtimin e tyre për të ndërtuar zgjidhje digjitale që i shërbejnë zhvillimit të shoqërisë. /2LONLINE/