(2LONLINE) – Të dielën Parlamenti Studentor i Universitetit “Kadri Zeka” ka organizuar pastrimin e Liqenit së Përlepnicës. Mehmet Zylfiu, kryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit “Kadri Zeka” ka thënë se pastërtia është gjysma e shëndetit, andaj duhet të mundohen që ta ruajnë pastërtinë, por për ta ruajtur atë së pari duhet të jetë pastër, andaj për të pasur një ambient të pastër, iniciativat e këtilla janë shumë të nevojshme.
“Përmes këtij aktiviteti, ne dëshirojmë jo vetëm të krijojmë një ambient të pastër, por edhe të përçojmë një mesazh shumë domethënës tek të gjithë”, shtoi Zylfiu, për të shtuar se duke ditur që jemi popull që e duam pastërtinë, kanë marrë këtë iniciativë për pastrimin e pendës së Përlepnicës, pasi i gjithë qyteti i Gjilanit furnizohet me ujë të pijshëm nga kjo pendë.
Ndërsa për transport është përkujdesur rektorati i Universitetit “Kadri Zeka”
Gentian Nevzati student nga ky Universitet dhe gjithashtu banor i Përlepnicës tha se iniciativa e parlamentit studentor përveç pastrimit të liqenit, jep edhe një mesazh se duhet ta ruajmë mjedisin dhe vizitorët që frekuentojnë këtë vend duhet të kenë më shumë kujdes dhe mos të hedhin mbeturina.
Kësaj iniciative studentore iu bashku edhe nënkryetari i Komunës Gjilanit Rexhep Kadriu dhe disa qytetarë të Përlepnicës të cilët falënderuan studentët për këtë inciativë dhe pjesëmarrje. /2lonline/