Studentët kërkojnë shkarkimin dhe arrestimin e Jabllanoviqit
Unioni i Studentëve Shqiptarë, si organizata studentore që vepron në të gjitha Universitetet publike të Republikës së Kosovës, kërkon shkarkimin dhe arrestimin e ministrit, Aleksandër Jabllanoviq.
Bordi Drejtues, si organi më i lartë vendimmarrës në kuadër të USSH-së, shpreh indinjatën më të thellë ndaj veprimit të fundit të ministrit serb Jabllanoviq dhe deklaratave të tij, siç thonë ata, “fashiste me një shovinizëm të theksuar kundrejt popullit shqiptar dhe nënave të bijve më të mirë të këtij vendi”.
“Deklaratat e tilla nuk kanë vend në një shtet të përvuajtur si ne, me ç’rast ato na i rihapin plagët e shkaktuara dhe urrejtjen ndëretnike të popullit fqinj serb. Jabllanoviqi, me urdhra nga Beogradi, siç duket është duke i prirë një udhe të pamenduar mirë, duke thirrur me një gjuhë thumbuese, tejet anti-shqiptare dhe duke mos i parashikuar pasojat e mëtejme të cilat mund t’i bartë”, thuhet në reagimin e USSH-së.
