DYLON

Studentët kanë të drejt!

Studentët kanë të drejt!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Ismajl Kurteshi

Përdorimi i gjuhës amtare është e drejtë e pamohueshme.

EkoHigjiena

Shqiptarët autokton që jetojnë në  truallin e tyre, që padrejtësish, të huajt e ndan nga trungu i mëmëdheut në vitin 1912, e që sot është pjesë e Maqedonisë së Veriut, përkundër faktit se përbëjnë rreth 40% të popullatës së përgjithshme, kontributit të tyre për ketë vend dhe luftës që e bënë për barazi me maqedonasit, ende po përballen me mohimin e të drejtave elementare kombëtare.                  

Edhe pse  pas përfundimit të luftës shqiptaro – maqedonase të vitit 2021, u arrit një marrëveshje në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve, në lidhje me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, marrëveshja në pjesën më të madhe nuk po respektohet. Së pari  për fajin e partive politike shqiptare, që më shumë janë të fokusuar në pozitat e tyre brenda pushtetit të udhëhequr nga maqedonasit, në të cilin shqiptarët kanë jashtëzakonisht pak ndikim, se sa për të drejtat kombëtare të atyre që i përfaqësojnë, pra shqiptarëve.

Fajtor natyrisht janë edhe pushtetarët maqedonas që të verbuar nga shovinizmi i tyre dhe urrejtja ndaj shqiptarëve, harrojnë se Maqedonia e Veriut nuk mund të funksionojë si shtet pa shqiptarët dhe se me shkelje të tilla nuk shkohet në Bashkimin Evropian.

Ky diskriminim i paimagjinueshëm për Evropën demokratike nuk është i dëmshëm vetëm për shqiptarët por edhe për maqedonasit, që nuk po e kuptojnë se shqiptarët nuk po kërkojnë mëshirë por po insistojnë në realizimin e të drejtave të tyre. Maqedonasit duhet ta kuptojnë se nëse vazhdojnë me shkelje të tilla do të ballafaqohen me probleme shumë serioze për të ardhmen e shtetit të tyre, që shtet edhe  i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.                  

Sidoqoftë, sikur shqiptarët të ishin këmbëngulës, në ushtrimin e të drejtave të tyre të natyrshme, këto të drejta nuk do të shkeleshin në asnjë mënyrë. 

Duke mos e krye punën e tyre partitë politike shqiptare, studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, me të drejtë e kanë ngritur zërin e tyre për realizimin e të drejtës për përdorimin e pakufizuar të gjuhës shqipe në universitetet e Maqedonisë  së Veriut dhe në të gjitha institucionet publike të këtij vend,i që synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe t’i ruajë  marrëdhëniet e mira me dy shtetet shqiptare me të cilat kufizohet, por para së gjithash të jetojnë me një shtet të përbashkët me shqiptarët.

Studentët me të drejtë kanë ngritur zërin e tyre, por atyre pa humbur kohë duhet     t’ju bashkohen partitë politike shqiptare që veprojnë në Maqedoninë e Veriut dhe jashtë saj, dy shtetet shqiptare, të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe shtetet demokratike të Evropës, e më gjerë, që e promovojnë drejtësinë dhe barazinë në mes të njerëzve dhe komuniteteve,  pavarësish përkatësisë së tyre.  /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.