DYLON

Studentët e Universitetit të ZUG-ut në Zvicër nisin vizitën studimore njëjavore në UKZ

Studentët e Universitetit të ZUG-ut në Zvicër nisin vizitën studimore njëjavore në UKZ
Avatar photo Redaksia

Studentë të Universitetit të ZUG-ut në Zvicër kanë nisur sot vizitën studimore njëjavore në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve të arsimit të lartë.

Vizita, synon të fuqizojë bashkëpunimin akademik dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet studentëve dhe stafit akademik të të dy universiteteve, me fokus të veçantë në fushën e edukimit dhe përvojave të mobilitetit studentor.

EkoHigjiena

Studentët zviceranë, të shoqëruar nga studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, fillimisht u pritën në takim nga u.d. Rektorja e UKZ-së, znj. Fitore Malaj.

Duke iu uruar mirëseardhje studentëve zviceranë në UKZ dhe në Gjilan, u.d. Rektorja Fitore Malaj theksoi rëndësinë e partneritetit ndërmjet dy universiteteve dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe zgjerimin e tij. “Jemi shumë të lumtur që ju kemi këtu. Jemi shumë të gatshëm për të vazhduar dhe zgjeruar këtë partneritet të veçantë. Kemi punuar shumë për ta organizuar këtë vizitë dhe shpresojmë që gjatë qëndrimit tuaj këtu të ndiheni si në shtëpinë tuaj dhe të keni një përvojë të bukur,” u shpreh u.d. Rektorja Malaj. Ajo vlerësoi gjithashtu rëndësinë që ka bashkëpunimi ndërmjet studentëve dhe universiteteve për krijimin e përvojave të reja dhe për njohjen më të mirë të kulturave dhe sistemeve arsimore.

Gjatë takimit, studentët e Universitetit të ZUG-ut ndanë pritshmëritë e tyre për këtë vizitë, duke theksuar se për ta qëndrimi në Kosovë nuk është vetëm një mundësi për të parë nga afër sistemin arsimor, por edhe për të kuptuar më mirë kulturën, historinë dhe prejardhjen e nxënësve me të cilët mund të punojnë në të ardhmen.

Njëra prej studentëve zviceranë tregoi se kishte ardhur në Kosovë edhe më herët, që në fëmijëri, së bashku me familjen, dhe se kjo vizitë i jep mundësinë ta shohë vendin dhe institucionet arsimore nga një këndvështrim krejt tjetër. “Kur isha i vogël, vija në Kosovë me familjen time. Tani dua ta përjetoj këtë vend nga perspektiva e një mësuesi. Dua të shoh shkollat fillore dhe të kuptoj më mirë se si zhvillohet mësimdhënia këtu,” tha ajo.

Një tjetër studente theksoi rëndësinë e njohjes së prejardhjes dhe kulturës së nxënësve, veçanërisht për faktin se në të ardhmen mund të ketë në klasat e tij nxënës me prejardhje nga Kosova dhe Shqipëria. “Kur të bëhem mësues në Gjermani, mund të kem studentë që vijnë nga ky vend. Për mua është shumë e rëndësishme të di nga vijnë ata, cilat janë rrënjët e tyre dhe ta kuptoj kulturën e tyre. Prandaj jam këtu për ta njohur më mirë këtë kulturë dhe për të kuptuar edhe mënyrën e mësimdhënies,” u shpreh studentja zvicerane.

Studentët zviceranë veçanërisht shprehën interesimin për të vizituar shkollat fillore në Gjilan, ku do të kenë mundësi të ndjekin nga afër procesin mësimor dhe të komunikojnë me mësimdhënësit dhe nxënësit. Ata theksuan se dëshirojnë ta shohin sistemin arsimor të Kosovës nga një perspektivë tjetër, duke e krahasuar atë me përvojën e tyre në Zvicër dhe duke identifikuar ngjashmëritë dhe dallimet në mënyrën e organizimit dhe zhvillimit të mësimit.

Nga ana tjetër, studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka” e vlerësuan si të rëndësishme mundësinë për të bashkëndarë me kolegët zviceranë njohuritë mbi kulturën, traditat dhe jetën në Kosovë, por edhe për të mësuar më shumë për sistemin arsimor dhe kulturën e Zvicrës. “Ne do të përpiqemi t’ju njohim më mirë dhe të ndajmë me ju sa më shumë nga kultura dhe përvoja jonë. Jemi të lumtur që kemi mundësinë ta ndajmë këtë përvojë me ju dhe të mësojmë edhe nga ju,” u shprehën studentët e UKZ-së.

Në kuadër të vizitës, studentët do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh akademike dhe praktike. Ata do të njihen nga afër me Universitetin Publik “Kadri Zeka”, Fakultetin e Edukimit dhe institucionet arsimore në Gjilan, përmes vizitave në shkolla fillore publike dhe private, si dhe përmes pjesëmarrjes në ligjërata, prezantime dhe diskutime me studentët e UKZ-së.

Programi përfshin gjithashtu prezantime nga studentët e UKZ-së, ndër të cilat prezantimi i studentes Arbenita Dërvodeli me temën “Reforma e kurrikulës kundrejt gatishmërisë së mësimdhënësve: A janë mbështetur mjaftueshëm mësimdhënësit e Kosovës?”, si dhe një prezantim nga studenti Premtim Baftiu, i cili më parë ka qenë pjesë e mobilitetit në PH Zug.

Një pjesë e rëndësishme e programit do t’i kushtohet shkëmbimit të përvojave mbi mobilitetin studentor dhe praktikave të mira në mësimdhënie, duke krijuar hapësirë për diskutime dhe bashkëpunim të drejtpërdrejtë ndërmjet studentëve të dy universiteteve.

Përveç aktiviteteve akademike, studentët nga Zvicra do të kenë mundësi të njihen me qytetin e Gjilanit dhe me historinë, kulturën dhe jetën shoqërore të Kosovës. Në kuadër të programit është paraparë edhe një vizitë në Zyrën e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, si dhe një ekskursion në disa prej qyteteve dhe lokacioneve më të rëndësishme të Kosovës, përfshirë Prekazin, Pejën, Drinin e Bardhë dhe Prizrenin.

Vizita do të përmbyllet me një sesion reflektimi, gjatë të cilit studentët do të shkëmbejnë përvojat e tyre, do të diskutojnë rezultatet e javës dhe do të identifikojnë ide për bashkëpunim të mëtejshëm ndërmjet Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe Universitetit të ZUG-ut. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.