/2L ONLINE/ – Në prag të festave të fundvitit, sot janë shpërndarë dhurata në SHFMU “Thimi Mitko” si dhe në Spitalin Rajonal të Gjilanit në Repartin e Pediatrisë, aktivitet ky falë iniciativës të ndërmarrë nga studentët e Psikologjisë në kuadër të Kolegjit “FAMA” në Gjilan, të cilët janë përkrahur edhe nga Kolegji dhe mësimdhënësit.
Duke e vlerësuar këtë veprim human të studentëve, Doruntinë Ferati, kryetare e grupit të Psikologjisë ka thënë se prindërit, familja dhe mjedisi janë personat e parë model për fëmijët se si do të jetë ai në të ardhmen. Ata duhet tu japin fëmijëve dashuri, kujdes dhe mbrojtje të veçantë në çdo kohë. Në familje fëmija rritet dhe mëson shumë norma e vlera, virtyte njerëzore të cilat ai do ti bart pas vete gjatë gjithë jetës së tij.
“Një botë e denjë për ta është kur ata e shohin dhe zbulojnë botën me syrin e tyre, kur ai merr dashuri, ngrohtësi dhe rritet me vetëbesim të plotë në vete si dhe kur ne i integrojmë ata në shoqërinë tonë ashtu siç janë”, thotë tutje, Doruntinë Ferati, kryetare e grupit të Psikologjisë. /2L ONLINE/