Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të UKZ-së morën pjesë në Konferencën e 5-të studentore të CIT në Tiranë
Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, së bashku me stafin akademik, morën pjesë në Konferencën e 5-të të studentëve të organizuar nga Canadian Institute of Technology (CIT), ku bashkëorganizator është edhe UKZ, e cila këtë vit u mbajt me temën “From Smart Skills to Smart Growth in the Digital Era”.
Konferenca u zhvillua në Tiranë, Shqipëri, dhe mblodhi studentë, profesorë, studiues dhe profesionistë nga universitete të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, duke krijuar një platformë të rëndësishme akademike dhe shkencore për prezantimin e ideve inovative dhe diskutimin e zhvillimeve më të fundit në teknologji dhe transformim digjital.
Ky organizim kishte për qëllim të bashkonte studentë të nivelit bachelor dhe master nga institucione të ndryshme të arsimit të lartë, veçanërisht nga universitetet partnere të CIT, të cilët prezantuan punimet e tyre shkencore dhe projektet kërkimore në fusha të ndryshme të teknologjisë, inxhinierisë dhe inovacionit. Konferenca shërbeu si një hapësirë bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash ndërmjet studentëve dhe stafit akademik, duke promovuar rëndësinë e zhvillimit të aftësive të mençura dhe përdorimit të teknologjisë në funksion të rritjes dhe zhvillimit të shoqërisë moderne.
Në kuadër të kësaj konference, gjashtë grupe studentësh nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike të Universitetit Publik “Kadri Zeka” prezantuan gjashtë punime shkencore të përgatitura me fokus të veçantë në ndërtimin e ueb-aplikacioneve moderne dhe zhvillimin e sistemeve digjitale të bazuara në sensorë dhe mikrokontrollorë Arduino Uno, duke dëshmuar përgatitjen profesionale dhe aftësitë praktike të studentëve në aplikimin e teknologjive bashkëkohore.
Punimet e prezantuara nga studentët e UKZ-së u realizuan nën mentorimin dhe përkujdesjen akademike të profesorëve Prof. Dr. Ragmi Mustafa, Prof. Dr. Basri Ahmedi, Prof. Dr. Ekrem Alimi dhe Prof. Ass. Dr. Afërdita Ibrahimi, të cilët kanë kontribuar vazhdimisht në mbështetjen dhe orientimin e studentëve drejt zhvillimit të projekteve kërkimore dhe inovative. Pjesëmarrja e studentëve në këtë konferencë ishte rezultat i angazhimit të vazhdueshëm akademik dhe i përkushtimit për të qenë pjesë aktive e aktiviteteve shkencore ndërkombëtare.
Konferenca ofroi mundësi të shumta për prezantimin e hulumtimeve shkencore, zhvillimin e rrjetëzimit profesional dhe krijimin e kontakteve të reja me studentë dhe studiues nga vende të ndryshme. Gjithashtu, ajo shërbeu si një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e ideve inovative, përvojave akademike dhe eksplorimin e bashkëpunimeve të reja ndëruniversitare në fushën e teknologjisë dhe inovacionit digjital.
Në këtë ngjarje shkencore morën pjesë studentë dhe përfaqësues akademikë nga universitete të ndryshme të rajonit, përfshirë universitete nga Shkodra, Elbasani, Korça, Tirana, Tetova dhe Shkupi, si dhe pjesëmarrës nga vende të tjera të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në formë online. Kjo e bëri konferencën një aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar dhe një mundësi të shkëlqyer për promovimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë.
Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të Universitetit Publik “Kadri Zeka” jo vetëm që u bënë pjesë e një mjedisi shkencor dhe profesional ndërkombëtar, por edhe u dalluan me prezantimet e tyre cilësore dhe qasjen inovative në fushën e Inxhinierisë dhe Teknologjisë. Përmes pjesëmarrjes së tyre, ata prezantuan potencialin akademik dhe profesional të universitetit, duke përcjellë një mesazh të qartë për rëndësinë e zhvillimit të teknologjisë dhe për të ardhmen e mençur dhe digjitale të Republikës së Kosovës.
Pjesëmarrja në këtë konferencë është një sukses për Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Universitetin Publik “Kadri Zeka”, duke dëshmuar përkushtimin e institucionit në mbështetjen e studentëve dhe në promovimin e kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e teknologjisë dhe arsimit të lartë. /2LONLINE/
