/2L ONLINE/ – Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, i shoqëruar edhe nga kryesuesi i kuvendit komunal Naim Pira dhe me bashkëpunëtor tw tjerw, ka inspektuar sot punimet ku ka filluar asfaltimi i rrugës kryesore të fshatit Stubëll. Rruga e fshatit Stubëll ka një gjatësi prej 2 km e 246 metra, dhe e njëjta më parë ka qenë shumë e dëmtuar, pasi që ishte e ndërtuar qysh në vitet e 80-ta.
Marjan Ramaj kryetar i këshillit të fshatit Stubëll, duke shprehur falënderim për realizimin e këtij projekti, ka thënë se kjo rrugë do të ndikoj shumë pozitivisht në lëvizje dhe qarkullim më të lehtë të mbi 4 mijë banorëve të fshatit Stubëll e Epërme, e po ashtu edhe të fshatrave Stubëll e Poshtme dhe Goden.
Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka theksuar se projekti i rrugës së fshatit Stubëll është njëri ndër projektet që parashihen të realizohen në këtë lokalitet.
“Kjo rrugë që po asfaltohet, ka qenë domosdoshmëri, ngase pos që ishte dëmtuar, ky vend meriton të ketë një infrastrukturë të kompletuar, për faktin se ka dhënë një kontribut të çmuar në çështjet madhore të vendit. Falënderoj Ministrinë e Infrastrukturës për mbështetjen e këtij projekti që së bashku me komunën e Vitisë kanë mundësuar asfaltimin e kësaj rruge. Por, unë them se në Grykën e Letnicës nuk do të mungojnë investimet dhe projektet e reja edhe në të ardhmen ”, ka thënë Haliti.
Edhe banorë të tjerë të fshatit Stubëll, janë shprehur të kënaqur me këtë projekt të asfaltimit të rrugës, duke theksuar se kjo do të ndikoj në zhvillimin e fshatit. /2L ONLINE/