Adoleshenca është konsideruar si një periudhë tranzicioni, një periudhë eksituese dhe tepër e zhurmshme. Përballja me sfidat e vazhdueshme si në jetën sociale, ashtu edhe në çështjet intime bën që kjo periudhë të konsiderohet si tepër delikate.
I konceptuar si një proces nëpërmjet të cilit një person percepton dhe reagon ndaj atyre ngjarjeve që i gjykon të jenë sfiduese apo kërcënuese, stresi është kthyer në një fenomen shqetësues veçanërisht tek adoleshentët. Sipas një studimi të kryer nga Shoqata Psikologjike Amerikane, të rinjtë adoleshentë janë më të stresuar se vetë të riturit. Mbështetja sociale dhe ndërhyrja në momentin e duhur bën që individi i stresuar ta përballojë gjendjen e tij me sukses duke parandaluar agravimin e situatës.
Stresi zgjat për një kohë të shkurtër, por në rastet kur stresi bëhet i vazhdueshëm apo kronik gjendja mund të përkeqësohet duke u kthyer në një problem madhor dhe tepër shqetësues për shëndetin. Për shkaqe të njohura apo të panjohura të rinjtë kanë prirjen të bien më shpesh pre e mërzisë së thellë që çon në stres.
Adoleshenca është konsideruar si një periudhë tranzicioni, një periudhë eksituese dhe tepër e zhurmshme. Përballja me sfidat e vazhdueshme si në jetën sociale, ashtu edhe në çështjet intime bën që kjo periudhë të konsiderohet si tepër “delikate” dhe që ka nevojë për një vëmendje të vazhdueshme, nevojën e një profesionisti, siç është edhe psikologu. Në një vizitë në ambjentet e një gjimnazi në periferi të Tiranës patëm mundësinë të flisnim me psikologen Elsa Kera, personin “përgjegjës” për shëndetin mendor të një numri të konsiderueshëm adoleshentësh që ndjekin studimet në atë shkollë.
Çfarë e shkakton stresin tek adoleshentët?
Stresi tek adoleshentët shkaktohet nga faktorë të ndryshëm. Një ndër ta dhe është padyshim shkolla. Unë punoj në shkollat e gjimnazit dhe matura shtetërore aktualisht është një ndër problemet më të mëdha me të cilat përballen nxënësit. Kanë dilemat e tyre lidhur me çfarë rezultatesh do të kenë në provime, nëse do të arrijnë të fitojnë të drejtën e studimit në universitet në degët e dëshiruara e të tjera si këto. Njëkohësisht, stresor (shkak stresi) shumë i rëndësishëm janë edhe problemet në familje që variojnë që nga marrëdhëniet jo të përshtatshme me prindërit, divorcet e këtyre të fundit, varfëria, marrëdhëniet jo të mira me vëllezërit dhe motrat. Faktor tjetër është edhe shoqëria, ndikimi i shoqërisë me problematikat që sjell.
Si ndikon shoqëria apo marrëdhëniet femra-meshkuj tek adoleshentët?
Normalisht marrëdhëniet dashurore jo të suksesshme janë shkak stresi shumë i fuqishëm, por në punën time i kam ndeshur relativisht më pak se probleme të tjera që shkaktojnë stres tek nxënësit.
A është stresi sëmundje?
Kjo varet edhe nga besimet personale, por stresi më tepër se sëmundje është sindromë.
Si mund të menaxhohet stresi veçanërisht në rastin e adoleshentëve ?
Normalisht që stresi mund të menaxhohet në mënyra të ndryshme që variojnë nga një person tek tjetri. Disa nga format më bazë për të krijuar imunitet janë edhe marrja me sport, gjumi i rregullt, ushqimi i shëndetshëm, komunikimi me bashkëmoshatarët, me prindërit apo persona të tjerë te të cilët nxënësi ka besim, zhvillimi i një pasioni personal. Ka njerëz që praktikojnë ecjen në mal çdo fundjavë dhe kjo është një mbrojtje shumë e mirë nga stresi. Ka dhe shumë forma të tjera, por që gjithsesi deri diku janë më tepër individuale.
Cilat janë disa nga rreziqet që i kanosen një individi-adoleshent që nuk e kapërcen dot gjendjen e tij stresuese brenda një periudhe të shkurtër?
Nëse stresi është i gjatë dhe nuk trajtohet mund të shkaktojë probleme të shumta fizike. Një individ që është i stresuar për një apo disa arsye të caktuara mund të përjetojë dhimbje shumë të forta mesi pa e ditur se çfarë ka. Pra, një ndër rreziqet kryesore është se shkakton probleme fizike. Gjithashtu, edhe zgjatja në kohë e çdo gjëje bëhet shumë problematike.
Si mund t’i ndihmojë psikologu i shkollës adoleshentët për të kapërcyer problemet emotive dhe të sjelljes?
Një psikolog shkolle mund të japë një ndihmë thelbësore në menaxhimin e stresit te adoleshentët. Një ndër format që përdoret më së shumti është sensibilizimi. Ne ndërhyjmë gjithashtu duke e këshilluar individin. Këshillimi sesi mund të trajtosh vetë individualisht stresin. Ndihmojmë atë të kuptojë gjendjen në të cilën ndodhet. Për pjesën më të madhe të nxënësve jepen disa teknika bazë për menaxhimin e stresit, këtë informacion unë e kam shpërndarë pothuajse tek 100% e nxënësve të shkollës.
Cilat janë hapat që ndërmerren pasi bëhet identifikimi i një individi të caktuar që po kalon një periudhë stresi?
Nxënësit që identifikohen nga mësuesit ose zgjedhin të vijnë vetë për të kërkuar shërbimin psikologjik bëhet puna e plotë e procesit të këshillimit. Identifikohen shkaqet, analizat e shkaqeve, pse ka arritur deri në këtë pikë dhe më pas vjen trajtimi pastaj edhe mënyra sesi individi zgjedh ta trajtojë veten me sukses.
Kjo bëhet përmes komunikimit, trajnimit të individit për të përdorur disa metoda relaksuese siç është meditimi. Individi përfiton, kushdo që merr vendimin të vijë te psikologu i shkollës përfiton, sepse konsultohet me një ekspert të fushës për problemet që stresi shkakton.