Në shumë raste, në situatat e një stresi të lehtë, kujtesa çalon, pra truri është më pak i gatshëm të reagojë ndaj disa stimujve, më pak i aftë të shfaqë vëmendje apo të rikujtojë ose të krijojë kujtime të reja.
Stresi, term kaq i përdorur pa një përkufizim konkret
Stresi është tërësia e reagimeve komplekse, me të cilat organizmi u kundërpërgjigjet ngacmuesve të jashtëm apo të brendshëm, duke kërkuar të kompensojë një gjendje të prishjes së ekuilibrit, që, nëse do të vazhdonte për një kohë të gjatë, mund të kishte pasoja negative. Në realitet, ndoshta nuk ekziston një term apo një koncept kaq i përdorur, apo me të cilin është abuzuar kaq shumë. “Alarmi”, me të cilin organizmi i kundërvihet një faktori stresues, përfaqëson reagimin e nevojshëm ndaj përshtatjes së tij për të përballuar një situatë emergjence. Nëse ngacmuesit stresues vazhdojnë veprimin e tyre, aftësitë dhe rezistenca dobësohet, si pasojë fillon faza e lodhjes, e moskompensimit.
Stresi ndikues në funksionet jetësore
Stresi mund të ndikojë edhe në funksionet njohëse. Ngjarje të ndryshme stresuese, veçanërisht traumat psikike, mund të shkaktojnë humbje të kujtesës. Kujtimet fshihen dhe në këtë mënyrë mbajmë mend shumë pak ose aspak nga një ngjarje, e cila, po të mbahej mend, do të na shkaktonte ankth. Psikanalistët e kanë shpjeguar këtë fenomen duke përdorur konceptin e zhvendosjes: disa ngjarje, që mund të krijojnë shumë ankth për ekzistencën tonë, zhvendosen dhe dërgohen në zonën e pavullnetshme. E thënë thjesht: disa kujtime edhe pse s’i ndërmendim në mënyrë të ndërgjegjshme, mbeten të regjistruara në thellësi të mendjes sonë, të gatshme që në çaste të caktuara të shfaqen sërish. Sipas psikanalistëve streset nuk shkaktojnë harrim në kuptimin e plotë të fjalës, por “i groposin” kujtimet ankthkrijuese.
Por stresi mund të “fshijë” ato përvoja që kanë lënë një shenjë pak a shumë të fortë në cirkuitet nervore. Bazuar në rezultatet e studimeve të fundit eksperimentale, mund të themi se një stres i fortë vepron si elektroshok: bllokon konsolidimin e kujtesës, duke i penguar disa përvoja të regjistrohen dhe për pasojë të risillen në kujtesë.
Gjendja e humbjes së pjesshme apo të plotë të kujtesës për shkak të stresit s’është pasojë e pashmangshme dhe mund të shfaqet te çdo njeri. Kjo varet jo vetëm nga mënyra si e përjetojmë atë traumë, por edhe nga reagimi i individëve të caktuar.
Llojet e shfaqjes së stresit
Streset e mëdha mund të shkaktojnë humbje të kujtesës, pasi tjetërsojnë funksionet elektrike të neuroneve, duke bllokuar konsolidimin e kujtimeve. Streset kronike mund të kenë një efekt shumë më të madh dhe tronditës. Kur organizmi është nën një stres afatgjatë, hipofiza prodhon hormone që stimulojnë gjëndrat mbiveshkore të prodhojnë kortizolin. Kjo substancë pengon qelizat të prodhojnë elementet e nevojshme për rritjen e tyre, jetike për mbijetesën e tyre. Kjo do të çonte në vetëshkatërrimin e tyre.
Stresi lehtëson shfaqjen e depresionit. Rreth 15% e popullsisë botërore provon, të paktën një herë në jetë, një situatë depresive. Cilido që të jetë shkaku parësor, një nga pasojat që haset më shpesh është rënia e aftësisë së kujtesës, sipas një studimi të Universitetit të Stanfordit.
Stresi dhe kujtesa në një rreth vicioz
Shqetësimi për humbjen e kujtesës bën që njeriu të bjerë në gjendje depresive, kjo përkeqëson aftësinë e kujtesës së tij, duke i bërë më të shpeshta rastet e harrimit. Nevojiten mjekimet antidepresive dhe psikokoterapia, të cilat pakësojnë mundësinë e kthimit në gjendjen depresive. Mundësia ulet në 50% tek ata që marrin mjekimet e duhura. Madje edhe disa forma të psikoterapisë së shkurtër mund të kenë efekt pozitiv, duke mundësuar veçanërisht prishjen e rrethit vicioz depresion–shqetësime të kujtesës–depresion.
Ushtrime të thjeshta për t’u qetësuar
Merrni frymë ngadalë me hundë, në mënyrë të rregullt dhe të thellë. Përqendrojeni vëmendjen te kraharori, duke e zgjeruar sa më shumë kur mbusheni me frymë dhe duke e zbrazur sa më shumë nga ajri gjatë frymënxjerrjes.
Përfytyroni sikur jeni në një mjedis të qetë. Merrni frymë ngadalë dhe përqendrohuni vetëm në ndjesinë që ju jep mjedisi që përfytyroni.
Bëni një frymëmarrje të thellë, por të ngadaltë. Shtendosni muskujt e fytyrës, të qafës, shpatullave, krahëve dhe duarve, më pas muskujt e barkut, shpinës, mesit, kofshëve, duke arritur deri te gishtat e këmbëve.
Ushtrimet e jogës, gjithashtu, mundësojnë një kontroll të trupit dhe mendjes.
Ushtrimet janë mënyra më e mirë për të shmangur stresin dhe minimizuar efektet e tij.