DYLON

Strategjitë e Serbisë për spastrimin etnik të shqiptarëve nuk kanë ndërruar, thjesht janë sofistikuar

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës, me shqetësim dhe brengosje të thellë po ndjekë zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe inskenimin e mundshëm të skenarëve të njëjtë me Kumanovën edhe në Luginën e Preshevës.

Deklarata e fundit e jashtëkohshme dhe e panatyrshme e kryeministrit serb Vuçiq, se paska dërguar forca të shumta në Luginë të Preshevës kinse në emër të “miqësisë” dhe në ndihmë të kosolidimit të paqes, është një truk i njohur mirë për ne shqiptarët e Luginës.

EkoHigjiena

Strategjitë e Serbisë për spastrimin etnik të shqiptarëve, të sajuara dhe zbatuara për shekuj me radhë nuk kanë ndërruar qëllimin, thjesht janë sofistikuar dhe kanë marrë pamje tjetër. Serbia në një formë të re e më të sofistikuar po përdor të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme për ta ndryshuar strukturën demografike të territoreve shqiptare në jug të saj. Dislokimi i këtyre forcave militare është në shërbim të kësaj strategjie, thuhet në një komunikatë të dërguar n adresën tonë nga Zyra për informim e Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës.

Më tej thuhet: Me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, i cili të shtunën madje ka qëndruar në bazën e xhandarmërisë, në Ristovc të Bujanocit, forca të xhandarmërisë dhe njësive speciale të Serbisë janë shtuar në Luginë të Preshevës, sidomos në brezin kufitar me Kosovën.

Lugina për momentin ndodhet e rrethuar nga forcat serbe, ndërkaq fshatrat kufitare janë tërësisht të rrethuara me forca militare. Dislokimi i këtyre forcave bëhet me qëllim të krijimit të panikut dhe trysnisë që kjo popullatë të lëshojë vatrat e tyre shekullore. Strategjitë për spastrimin etnik janë maskuar nën ndihmën gjoja për konsolidimin e paqes. Andaj, Lëvizja për Integrim e Luginës së Preshevës kërkon, që këto forca të tërhiqen nga Lugina e Preshevës sa më parë.

Skenarët e destabilizimit rajonal edhe një herë tjetër kanë po të njëjtin regjisor, atë serb. Si për ironi sërish dhe për këtë, fajtor qenkan shqiptarët të cilët përpiqen që të shpallen terroristë në sytë e faktorit ndërkombëtar. Mirëpo, këtë radhë shqiptarët janë më të vetëdijshëm se kurrë për rolin e tyre konstruktiv dhe vendimtar në sigurinë dhe stabilitetin e këtij rajoni të rëndësishëm gjeostrategjik. Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe shqiptarët në përgjithësi janë përcaktuar për agjendën e tyre të integrimeve euro-atlantike dhe nuk kanë bërë asnjë hap tjetër ndryshe nga kjo agjendë. Për më shumë ata janë pjesë e strukturave Euro-Atlantike dhe ruajtës të sigurisë e stabilitetit në Ballkan, andaj s’do lejojnë kurrë realizimin e skenarëve të spastrimit etnik në Luginë dhe destabilizimit të rajonit në emër të shqiptarëve, thuhet në fund të komunikatës të lëshuar nga Zyra për informim e Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës. /2L ONLINE/