DYLON

“Strange Animal”

Avatar photo Redaksia

Sami HALITI

/2L ONLINE/ – Epiteti “Strange animal” për organizatën e Bashkimin Evropian, e përshkruan në mënyrë adekuate karakterin dhe sjelljen politike të kësaj kreature politiko-juridike e posaçërisht ekonomike, ne skenën politike ndërkombëtare.

EkoHigjiena

Raportet juridike jo të kristalizuara të Bashkimit Evropian me Kombet e Bashkuara (BE në disa forume paraqitet si një i vetëm, e në disa forume janë shtetet e veçanta ato që nuk i kanë lëshuar kompetencat e tyre), pjesëmarrja në misione me karakter ushtarak me bekimin e NATO-s por të karakterit mbështetës, dhe politikat regjionale jofunksionale dhe pa ndonjë perspektivë të qartë pasi funksionimi i tyre bazohet në vullnetin e lirë të pjesëmarrësve, si dhe mos mundësia e krijimit të një organizatë unike ushtarake e cila do të merrte përgjegjësinë e mbrojtjes në Evropë, kjo për shkak të rivaliteteve paraprake mes shteteve kryesore të këtij klubi, paraqesin aspektet amorfe të këtij institucioni, apo klubi ku aderimi i shteteve është synim imediat.

Para së gjithash ky bashkim shtetesh ende nuk e ka një adresë të vetme, e cila do të ishte përgjegjëse për të shumtën, në mos për të gjitha, pyetjet dhe dilemat që do të paraqiteshin si sfida politiko-shoqërore ne kontinentin e vjetër. Këto aspekte strukturore reflektohen edhe në ato funksionale. Struktura trepalëshe e kësaj kreature, bën që ajo herë të sillet si shtet, e herë të sillet si organizatë. Duke qenë i këtillë, Bashkimi Evropian nuk paraqet një shtet, andaj edhe iniciativat e ndryshme që lindin nga instanca të ndryshme lehtë mundë të vijnë në shprehje bile edhe të marrin karakter reprezentativ dhe official. Strange animal, është emërtim adekuat edhe në raportet e këtij institucioni me Republikën e Kosovës. Edhe iniciativa për themelimin e Gjykatës Speciale, ka një rrugëtim të këtillë.

Por, jo pa gabimet fatale të politikës, dhe njerëzve të cilët u morën poste politike apo edhe u bënë politikan .

Mendoj se duhet nënvizuar, së paku tre momente lidhur me këtë .

Momenti i parë është momenti universal

Historia e njerëzimit, pos diskutimeve të fundme për eutanazinë, nuk njeh vrasje humane. Pra, nuk ka vrasje të mirë dhe vrasje të keqe. Vrasja është përherë e keqe. Pikë.

Por, fatkeqësisht njerëzimi nuk ka arritur emancipim të tillë ku vrasjet do të eliminoheshin. Kjo do të thotë, edhe luftërat. Edhe lufta ë UҪK-s nuk ishte përjashtim. Sikurse në të gjitha luftërat ku shtetet përdorin armatat e tyre për të vrarë njerëz, pra për të arritur qëllimet e tyre, sikurse çfarëdo ushtrie e cila lufton të lirohet nga okupimi dhe robëria e atdheut të vet, edhe UҪK nuk pati mjete tjera, pos luftës. Me gjithë faktin se mjetet që përdoren për luftëra janë shumë primitive shikuar nga aspekti i humanizmit ati prodhohen dhe përdoren edhe nga shtetet më moderne. Jo për të shkruar poezi, por për të vrarë dhe marrë jetë. Dikush me përbuzje mundë të thotë, “Ne u çliruam nga NATO”.

Unë pyes. Cili vend evropian pos Mbretërisë së Bashkuar i çliruan vet. Bile gjermanët u desh të çlirohen nga vetvetja. Dihet se sjellja e ndaj bashkëpunëtorëve gjerman në Francë nuk ka qenë aq jo violente,flitet për 40,000 persona të vrarë pa gjyq. As dhunimi i qindra mijëra femrave gjermane nga ushtria e kuqe. Vrasja, e cila derivon nga lufta është emëruesi i përbashkët edhe i shteteve më moderne, edhe i UҪK. Fatkeqësisht. Duke qene kështu, arsyet për krijimin e një Gjykate Speciale nuk do të duhej të gjendeshin kurrë.

Momenti i dytë është empiriko-struktural

Ju kujtohet sigurisht loja e kombëtares shqiptare. Ata minutat e tmerrshëm kur pritet goli në rrjetën tonë. Ata minuta kur ndihet mungesa e përvojës dhe shpeshherë humbet ndeshja. Por çka ka këtu kombëtarja me UҪK. Përgjigja është e thjeshtë. Mungesën e përvojës.

Duhet nënvizuar faktin se Pa mohuar çlirimi i Kosovës është ndër momentet më spektakulare të zgjerimit të lirisë në këtë planet. Një komb i dërmuar nga pushtimi, bëri hapin e parë të suksesshëm pas një periudhe okupimi njëqindvjeçarë.

Megjithatë duhet të jemi pak vetëkritik. Pos shumë faktorëve, okupimi i ka arritur disa rezultate. Një ndër to është aktualizimi, edhe pse i një pakice qesharake, i idesë së kombit Kosovarë.

Aspekti i dytë është mungesa e përvojës politiko-ushtarake.

Njerëzit e UҪK, komandantët e ndryshëm, secili më epik se tjetri, pa pasur një kulturë të mirëfilltë ushtarake, ishin të gatshëm që të flasin për çfarëdo gazete (të cilat pas lufte dilnin si këpurdhat pas shiut) si dhe ishin të gatshëm të i përgjigjeshin çfarëdo gazetari të çmendur, duke u shfletuar historirat e tyre.

Asgjë tjetër nuk mundë të ndodhte pas këtij axhamillëku, pos një hakmarrje e hidhur si kjo. Spekulimet gazetareske, u konvertuan në dyshime, e tash edhe ne Gjykatë Speciale. Ballafaqimi me të tani është i pa shmangshëm. Mungesa e përvojës politiko ushtarake te shqiptarët u korrigjua nga një përvojë e konsoliduar politiko ushtarake dhe propagandistike nga shteti serb, i cili arriti të e shfrytëzoj mirë natyrën problematike dhe konfuze te kreaturës “strage animal”.

Momenti i tretë është pragmatik

Sot kur ndodhë referendumi Grek, kemi para syve tanë eksperimentin më të madh social, rezultati i të cilit, cili do qoftë rezultati i plebishitit, do të tregoj se “baza e ekonomike e determinon superstrukturën shoqërore”. Grekët do të e kenë të vështirë në çfarëdo variante (J.Stiglitz). Demokracia pa lek (EURO) do te funksionoj keq. Ku jemi ne si shtet i Kosovës.

Fatkeqësisht, sa i përket Gjykatës Speciale, jemi në pozitë të Grekëve. Përrallat se po preket sovraniteti, Kushtetuta, nuk janë asgjë tjetër pos kakofoni histerike e një opsioni i cili nuk e ka as një të vetmen shancë të rezistoj. Marksi nuk ishte i çmendur. Idealizmi lokal me apo pa të drejtë do të shtypet nga ana më e fortë e kësaj shtaze të çuditshme. Fuqisë Ekonomike. Kur jemi te fuqia ekonomike, Karl POPPER me plotë të drejtë thekson se ” Fuqia ekonomike e blenë fuqinë politike”.

Antinomia e politikës kosovare, mes gjetjes së një mijë e një fakteve lidhur me mos arsyeshmërinë e krijimit të kësaj Gjykate Speciale, fatkeqësisht do të mposhtet nga një fakt i vetëm, i cili do të reflekton drejtpërdrejtë në ‘Republikën e Kosovës’ dhe jetën e përditshme të qytetarëve të saj, e që origjinën e kanë nga disonanca politiko-juridike e krijesës së quajtur “Strange animal”, dhe sidomos nga fuqia brutale e ekonomisë së saj në raport me Kosovën.

Një pyetje drejtuar një pleqnari, se a më mirë është me pas apo me ditë, ai ishte përgjigjur, më mirë është me mujtë.

Thëne e mençur.