DYLON

Stinët i ndryshon koha por jo edhe shpirtin e poetit

Stinët i ndryshon koha por jo edhe shpirtin e poetit
Avatar photo Redaksia

(Pas leximit të librit me poezi të Sabit Rrustemit, “Për dashuri kurrë s’ është vonë”, edituar nga Shtëpia botuese “BEQIR MUSLIU”, dhjetor 2017)

Shkruan: Drita FEJZA

Plot dyzet vite Sabit Rrustemit me krijimtarinë e tij tashmë i ka bëre hapat e sigurt duke lënë gjurmë në kohë. Në çdo varg të veshur me fjalën e bukur artistike prek realitetin nëpër kohë. Koha është ajo në të cilën ai e gjen veten dhe i jep frymën e tij poetike,duke i qëndruar besnik poezisë dhe lexuesit.
Disa e shohin Dashurinë si simbol të përjetësisë , ndërsa ai nuk e sheh pa poezinë.

EkoHigjiena

Prandaj e kurorëzon me dashurinë e cila na bënë të besojmë se çdo çast i jetës ia vlen të jetohet në përqafim të saj. Dashuria e tij ndaj poezisë ka sy, ka shpirt, ka ajër… po dhe është e mbushur me jetë, në çdo pore të saj ( a fjalë ).

Libri “Për dashuri kurrë s’është vonë” ,në të cilin përfshihen 118 poezi sipas rendit kronologjik të krijimit, që nga muaji Kallnor 2016 deri në dhjetor 2017, mbanë madhështinë e shpirtit poetik në vete. Nuk janë thjeshtë data në të cilat ai krijoi, janë dritare shpirti të cilat i hapi për lexuesin,duke shpërfaqur një oqean ndjenjash të cilat përmbushin universin e tij letrar Brenda këtij planeti:

Nji planet e bana lojë e plojë në timen rrashtë

Intuita e tij është e pagabueshme në qiellin e ndjenjave duke i dhënë përmasa meritore secilit krijim.
Njeriu lind nga dashuria dhe ai nuk e anashkalon, edhe pse mitet e lashta e thonë se mishërimi i fuqisë jetëdhënëse lindi nga kaosi fillestar, Erosi.

Ja si shprehet Sabit Rrustemi për dashurinë që nuk e numëron kohën dhe nuk njeh moshën:

Mjegull nuk ra as qiella nuk u vrejt
kur do dhimta mue me m’ mejtë
u shfaq si dritë e shejtë
“Dashuri jete”

Natyrshmëria që shfaqet përmes poezisë për dashurinë, na bënë të kuptojmë se jeta e Njeriut Brenda këtij universi është në kërkim të asaj që përjetësohet përmes poezisë apo fjalës artistike.

Muza e trondit shpirtin e poetit duke i kujtuar se “për dashuri kurrë nuk është vonë” .

Poeti merr arratinë drejt pyllit të frymëzimit, Çepurit , ku çdo hapësirë drite i ngjanë me sytë e saj dhe ai i fletë asaj përmes gjuhës së shpirtit. Edhe kur ndërrojnë stinët është ajo që prore trazon shpirtin e poetit, i cili identifikohet vazhdueshëm me madhështinë e artit poetik. Jetoj dhe frymon me Natyrën e tij prej tek e cila jo vetëm e kërkon por, edhe e gjen paqen.

Syblertja ime
Sa të kërkon lumi
në gjirin e vet të fsheh mali
”Syblertja ime”

Po a qetësohet vallë shpirti i artistit i cili është gjithnjë në kërkim të së bukurës, asaj hyjnores që na mbanë të ngërthyer , me një fjalë – dashurinë . Një mal i blertë dhe një lumë i qetë gjithmonë të bën të jesh kureshtar. Prandaj, etja e poetit Sabit Rrustemi nuk shuhet kurrë. E tillë është dhe poezia “Nëpër stinët e shpirtit tënd”:

Pranvera më solli hapësirës sate
për ta shijuar një stinë të blertë
(…)
ai bli i zemrës sate aromë më mbushi
te Ana e Kronit
dardha e kuqe më bishtnoi përmes një dege
fijet e barit si flokët tua duarsh më mbetën
(…)
zogu strehë kërkoi e treti pas Teje
udhëve që nuk i ece ende

Tradita dhe modernia në poezinë e Rrustemit është për t’u lakmuar dhe shartohet aq bukur duke krijuar dhe një stil unik, përmes mjeshtërisë poetike të të cilit edhe lindin fryte që shijohen , siç shijohet uji në shkretëtirë.

Madhështia në erotikë manifestohet edhe nga këto:
Larg teje mbeta
brenda dëshirës sime të marrë

Ti më shkrumboje sysh pa pikë mëshire
e një hap kah unë nuk e bëje

Buzët e mia të etura mbetën
nën përcëllimat e zjarrit që s’u shua
Pra ai e mbledh dashurinë e shpërndarë nëpër kohë dhe e kthen në dashuri platonike përmes poezisë tij. Edhe pse e thotë :
E kam mërzitur tej mase të shkretën zemër
së dashuruari njëanshëm
Në këto dyzet vite krijimtari, Ai përmbush vullnetin e lexuesit për ta kuptuar se dashuria mund të jetojë më gjatë përmes poezisë.
Kujtesave më shfaqesh
e shkrihesh heshtazi
nëpër ndezjen e gjakut tim
“Një ditë kur befas do të shihemi”
Poezia e Rrustemit është eho shpirti që e ndien vetëm i zoti:
Aq më bën pse mbeta këndej lumit
e ti tutje në fund të horizontit
“Intermeco”
Ajo – poezia, herë – here shfaqet si një dashuri e kapluar prej vetmie:
të gjitha shmangiet e tua
përfundojnë poreve të mia
ti ikën me të pathënat
“Më ndez e pathëna jote”
Po, edhe si lumturim në distancë shpirtërore:
Deri tek sytë e saj mund të hyj e të vallëzoj
vetëm përmes shtegut të ëndrrës
“Shtegut të ëndrrës”
Shpesh, rrethanat e kodet morale nuk e pengojnë të shfaq dëshirën për të qenë një me të bukurën:
Ti ëndrrave të mia
shkreh flokët
“Më ndez e pathëna jote”
Po, ajo na vjen edhe si një dashuri përvëluese malli:
Fytyra jote përmes ajrit përndez sytë e mi/
a Ti larg këtyre bjeshkëve rrëzë Malit të Moçëm/
e vetme rri./
Çepuri /
me penjëzat e pritjes një Mëngjes të ri end
“Ç’stinë është kjo stinë që vjen pa ty”

Poeti, afrinë me Natyrën e Njeriun e sheh të shenjtë, duke e ngritur me ndjeshmëri të lartë, duke e ndriçuar me flakën e alfabetit të dashurisë, e cila rri e ndezur përherë, edhe atëherë kur poetin e tronditin të pathënat, të cilave hap pas hapi iu vjen radha për t’i hedhur në faqen e bardhë të librit, për ta veshur me ritmin e dashurisë, siç e shohim të mbrumur po me dashuri edhe në poezinë,“Nën ritmin e kësaj dashurie” :

Nuk njoh portë
as aortë
që s’ hapet e s’pulson
nën ritmin e kësaj dashurie
Apo, në një tjetër poezi:
Nxito drejt meje/ si drejt qiejve
ku nuk arrijnë retë
“Hartë e mjegullt në horizont”

Me energjinë e tij të përplot art, Rrustemi e vesh me ndjeshmëri edhe pritjen përmes sintagmës poetike që tashmë e ka vu edhe si titull: Për dashuri kurrë s’është vonë.

Megjithatë, poeti ndjehet shumë I sigurt, kur shprehet:

Në secilën pikë të këtij globi
të pret dashuria

Kjo farfuritje shpirtërore që realisht ndodhë në jetën e Poetit, na nderon edhe neve duke na bërë të pranishëm pasqyrimin e atij moment, sa mallëngjyes, aq edhe të mahnitshëm:

Koha në të cilën u puqëm
nuk del të jetë e jona
“Ajo thyen vetëm zemra”
Edhe përtej ëndrrës
brenda meje rri
“Përtej ëndrrës”
apo
Një jetë si kjo
e shkurtër qenka për të takuar
“Në secilën pikë të këtij globi”

Koha në dashurinë e poetit na del të jetë e huazuar sepse ai është i dashuruar me poezinë edhe pse dashuria reale qëndron përkrah tij. Ai kohën e ka ndarë tashmë përgjysmë . Medaljoni që mban shpirtin e rebeluar dhe urtësinë që kërkon paqe. Kështu edhe lindin vargjet vullkanike që biejnë si magmë mbi liqen, jo për t’u ftohur por, për të marrë formën e duhur artistike.

Me një fjalë; stinët i ndryshon koha por jo edhe shpirtin e poetit. Ai mbetet përherë i zgjedhur me poezinë e tij.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.