Stinë që kujtohen përmes ngjyrës së gjakut

Stinë që kujtohen përmes ngjyrës së gjakut

/Mbi vëllimin poetik “Puthje të mbetura në ajër” – Odise Plaku/

Zejnepe ALILI REXHEPI

Në opusin tërësor, krijuesi Odise Plaku, na jep të kuptojmë se përmes vargut “Shqip do të flasë edhe nëntoka”, pasi gjatë rrugëtimit jetësor, uni i tij poetik ndesh në gjurmë e shkronja si legjenda gdhendur në bojë gjaku, me ç’rast edhe do ta përshkruajë fatin kolektiv kombëtar. Kjo është gjuha e vetme të cilës ai i ngre kulte hyjnore, si një gjuhë perëndie me të cilën për herë të parë i flet djalit dhe vajzës.

Vepra e Odiseut, në esencën e vet përmbajtësore mbërthen në vete disa rrafshe tematike, pra motive poetike nga më të ndryshmet, si nga thellimi filozofik, ashtu edhe nga përfytyrimi, vrojtimi dhe shpalosja e gjendjes shpirtërore.

Premisat e diskursit poetik sajohen si vargëzime që i ndjenë lehtësisht, bashkë me deshifrimet metaforike, interpretimet ideo-emocionale, si shenjues vlerash autoriale e stili personal, ku bashkëvepron realiteti i përcaktuar tematiko-historik.

Ai, si një Odise i palodhur në udhëtim, e përshkon të kaluarën drejt së ardhmes. Aty, koha antike, mjedis i rivendosur (si rezultat i njohurive dhe leximit), e bën më të qenësishme idenë qendrore, si një substancë të artikuluar të qenies sonë kombëtare.

Odise Plaku, tashmë e legjitimon veten me disa botime. Për lexuesin është i njohur me dy zhanre veprash: vëllime letrare dhe vepra skenike.

Veprat letrare e kanë nismën tek një kohë e largët, e ndjeshme dhe e brishtë, në rininë e poetit, me “Lotin nuk e fal”, tregime (1995), për të vijuar me “Qullaci”, novelë-përrallë për fëmijë (1999) vëllimin poetik “Dhe gjethet bien…” (2005), “Kthimi i Samantës”, tregime e novela (2005), “Kur qeshen ëndërrbukurat”, novelë për fëmijë (2009), “Zhguni i gjinkallëdredhakut”, novelë për fëmijë (2011), “Breshka e Krislit”, novelë për fëmijë (2015), “Udhëkryq”(2015), “Tri ndodhitë e Orkut”, novelë për fëmijë (2016), përmes të cilave shkrimtari brenda kornizazh psikologjie e pedagogjike, depërton sferave të thella, përmes ekspresionit emocional.

Është e rëndësishme të theksohet ndërthurja në tërësinë tematike, si: përditshmëria, jeta, fati vetjak dhe historik, gjuha, tradita…, m’u si filozofia e kundrimit të një bote të paskajshme që të jep lidhjen e gjakut dhe traditës, që ruhen, ndonëse shpërndarë tejpërtej qenies së poetit.

Veprat skenike, të cilat kanë një tjetër tis ndërthurjeje, janë disa: “Klithma e një nëne të marrë”, monodramë (2006), “Velloja e bardhë”, monodramë (2008), “Ylli i mëngjesit”, dramë (2009), “Të rendësh i lirë”, dramë për fëmijë (2009), “Flakët e shpirtit”, dramë (2010), “Fëmijët e ndrojtur”, komedi, 2014, “Amaneti”, monodramë, 2015.

Në realitet, tërë kjo krijimtari tregon se shkrimtari jeton i mbërthyer nga ankthi i ndërgjegjes, andaj përmes frymëzimit shtegton natyrshëm në udhë të përbotshme, ku e shpie ndjenja dhe mendimi.

Në veprën më të re “Puthje të mbetura në ajër”, një vëllim poetik i botuar pak kohë më parë (2017), përshkohen vargje që ngrihen mbi copëza pikëllimesh që mjegullojnë syrin e poetit për të shpërthyer në lot, madje pikërisht në sfidën e fundit përpara dorëzimit, i japin flatra që të ngjitet në majën e kthjelltësisë së shpirtit, megjithëse duket sikur aty: “…nga frika dashuritë kanë vdekur pa lindur,/ dritë dielli kurrë nuk panë në këtë botë,/ ndaj le të duhemi deri në vdekje”. Poeti, jo vetëm në këto vargje, por në çdo poezi shpreh njëfarë gjakimi që derdhet natyrshëm nga shpirti në letër.

Tematikë interesante në trajtesën e poetit është frymëzimi nga pagjumësia që përvidhet si ngacmim i përhershëm lumi kristalor drejt atyre shtigjeve ku nis e soset jeta, por midis këtyre paraleleve lë gjurmët e shumta prej mijëra nuancash.

Atëherë, ndien mall për njerëzit, pragun e vjetër, kujtimet e largëta, fëmijërinë, harmoninë dhe magjepsjen, këtë ritual, pa të cilin nuk shkruhet poezia.

Kjo, as që ka ndonjë lidhje me konvencat e mitizuara të jetës, ku individi pushtohet nga fluksi i ndjenjave dhe përsiatjeve, si katarsis…, në poezinë “Të pastrosh shpirtin” (12), ku shkruan: “Pasdite vonë pastroj me vërtik dhomën e shpirtit/ nga inatet, mllefet, dhimbjet, mëritë dhe trishtimet,/ …Ulërijnë në xham mllefet e braktisura të ditës së shkuar…/ Tek-tuk dhembja edhe mbetet edhe e pafshirë mirë…”. Midis këtyre kuptimësive, krijohen ngjeshje tematike të përafërta, ndërlidhëse, tek të cilat ruhet edhe shija estetike.

Vepra “Puthje të mbetura në ajër” është panoramë koloritesh ku shpirti i eksploron mijëra ndjesitë e veta, si ajo “Anija drejt bregut nxiton,/ pasagjer i vetëm i bordit të saj jam unë,/ përmallshëm pres të jem aty”. Në shtresime ndjenjash stinore, të kudondodhura gjenden ëndrrat, ëndrrat e poetit, në gatuar në pafundësi magjish.

Vepra e Odise Plakut, lë mbresën e dhjetëra copëza kujtimesh, nga ato më të bukurat a më të dhimbshmet, por që gjithherë mbeten kujtime të ngritura me ritmet e e jetës e të përshkruara me gjurmët e kohës.

KOMENTE