Shkruan: Sherafedin Kadriu
/2L ONLINE/ – Sabit Rrustemi vjen me një libër motivesh tjera, jo si zakonisht teksa presim prej tij poezi të arrira. Nostalgjia për odën e Karadakut, për ata burra sysh me maje, por të urtë, punëtorë e të zellshëm, ndonjëherë shakaxhi e me humor të hollë, është ngjallur në Stinën e meseleve. Veprimet e tyre janë nga më të ndryshmet, të cilat Sabiti i kallëzon me të folmen e fshatit të tij. Kallëzimi i meseleve bëhet pakëz ndryshe, nga ç’jemi mësuar të dëgjojmë e lexojmë mesele. Në të vërtetë, meseletë e Sabitit sipas mënyrës së rrëfimit marrin karakteristikat e rrëfimeve tregimtare, sepse janë pakëz më të gjata se meseletë e zakonshme. Kjo pse rrëfimtari nostalgjik do të sjellë para lexuesit krejt atë që ka parë dhe jo vetëm atë që ka dëgjuar. Ashtu siç janë rrëfyer, se meseletë duan një rrëfim të veçantë, rrëfenjat e “Stinës…” ruajnë aspektin anekdotik, të cilin e shfaqin si zakonisht kah fundi.
Këto mesele i bëjnë më të “përtypshme” ngjarjet tërheqëse, të dëgjuara jo vetëm në odën e Terziajve të babës Hajdin, po edhe të atilla që rrëfimtari i ka dëgjuar në vende tjera, kryesisht në fshatra të Karadakut. Dhe, si të thuash, në të gjitha meseletë dominon një humor i hollë, jo fort thumbues. Në të vërtetë, nga këto mesele mësojmë shumëçka për malësorët e Karadakut, për burrërinë e tyre, për jetën me brenga e halle njëkohësisht, sikundër edhe për kënaqësitë që kanë përjetuar. Mund të jetë që kënaqësia të ishte rrjedhojë e anektodizimit të situatave të vështira, tek sa rrëfehen pasdarkeve me miq plotë.
Meseleve u prin njëra që për mendimin tonë, edhe në kohën kur është lindur në odën e Hajdinëve, thotë më shumë se zakonisht, po krejt në kuptimin nostalgjik, se meseletë tregohen edhe sot, të vjetra e të reja, sipas njohjes e kohës së përdorimit të tyre me vend ose pa vend. “Meselet s’kallëzohen pa plis”, mban titullin meseleja “jonë”. Pse, është krijuar bindja se meseletë nuk mund dhe nuk di t’i tregojë kushdo, t’i përdorë kur duhet dhe t’ia përshtatë çështjes së ngritur në odë burrash. Kjo, pse meseletë e tanishme zakonisht konceptohen si qyfyre. Rrallë të bie të dëgjosh mesele të mirëfillta, sepse shumë rrallë takon rrethe ku merret mundimi të flitet me “kodra pas bregut”. Ndoshta meseletë po “shkojnë” bashkë me odat.
Ndonjëra prej meseleve është treguar e përjetuar nga vetë autori. Në të tilla, raste, sidomos kur për personazhe ka njerëzit e tij, Sabiti edhe i portretizon ata, me një fjalë, një vështrim që bie në sy, një veprim, e shpesh edhe me ndonjë këshillë edukative që e ka dëgjuar prej tyre. Duket se ka një afri më të madhe me babën Hajdin, të cilin e gjejmë si personazh në shumë prej meseleve të Sabitit. Në rrëfenjën “Daje bukën qysh i ka hije se Zoti t’le pa ta”, ai ka pasqyruar këshillën e plakut të odës, një këshillë morale që s’ka të bëjë me mesele.
Edhe diçka për gjuhën e kallëzimtarit. Në këtë libër veç nostalgjisë për meseletë e dëgjuara në odën e tij dhe jo vetëm, duket se ka një nostalgji edhe për gjuhën, për atë të folme, e cila kur zbret rrëzë kodrave të Karadakut, nuk shkon përtej Zhegrës. Sigurisht nuk është fjala për gabim teknik, përdorimi i ndajfoljes veç si vej, e cila mund të jetë vetëm një përdorim i ngushtë i saj në formën e dytë. Autori i ka ikur me vetëdije gjuhës standarde edhe sa i përket përshkrimit të ngjarjeve. Duket se kështu ka vepruar për ta portretizuar më mirë kohën dhe përditshmërinë e djeshme. Ndërsa, përpjekjet për t’i qëndruar besnik sintaksës popullore, nuk kanë shkuar huq. Fjalia del mirë e radhitur, ndërsa ndërrimi i vendeve të fjalëve bëhet vetëm në funksion të theksimit të cilësive që shfaqen tek personazhi i meselesë, si: vetisë, vesit, mendjemadhësisë, besnikërisë etj.
Duke përmbyllë këtë shkrim, do të shtonim se anekdotizmi i Karadakut, nga këto mesele del të jetë më pakëz thumbues dhe më pakëz “luftarak” se ç’e hasim në trevat tjera, – po një anekdotizëm me humor të lehtë dhe njëkohësisht me moralitet të theksuar.
Një vepër e këtillë, ka nxitë reagimin e të tjerëve për ta shijuar bukurinë e stërholluar të trashëgimisë shpirtërore të Karadakut, e cila vërtetë që është shumë e pasur, por deri sot e pa hulumtuar sa duhet. Le të jetë një ogur i mirë, një shteg i hapur Stina e meseleve! /2L ONLINE/