Stavileci: Kosova siguron stabilitet energjetik me Strategjinë e re dhe liberalizimin e tregut

Stavileci: Kosova siguron stabilitet energjetik me Strategjinë e re dhe liberalizimin e tregut

Ministria e Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me USAID-in, sot organizuan forumin e nivelit të lartë për energjinë “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut”.

Në këtë forum u diskutua për rëndësinë e strategjisë së energjisë dhe zbatimin e saj, për sfidat aktuale dhe të ardhshme të liberalizimit të tregut, për reformat kyçe që do të ndërmerren dhe për zbatimin e masave të buta ËB6. Gjithashtu, pjesë e diskutimit ishte edhe vazhdimi i përpjekjeve për integrimin rajonal të tregut, si dhe detyrimet e rëndësishme ndërkombëtare të cilat i ka marrë përsipër Kosova, ku siguria e furnizimit me energji vazhdon të ketë rëndësinë strategjike për sigurinë e brendshme dhe prosperitetin e ardhshëm ekonomik të vendit tonë.

Hapjen e forumit “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut” e bëri Ministri i Zhvillimit Ekonomik, BlerandStavileci, i cili tha se sfida më e madhe me të cilën përballet sektori i energjisë vazhdon të jetë siguria e furnizimit me energji elektrike, si pasojë e vonesave në ndërtimin e termocentralit të ri të prodhimit të energjisë elektrike të bazuar në thëngjill, si dhe vonesave në zëvendësimin dhe rehabilitimin e kapaciteteve të prodhimit.

Si dokument afatgjatë thelbësor për zhvillimin e sektorit të energjisë, ministri Stavileci tha se strategjia e re përcakton objektivat themelore të Qeverisë në zhvillimin e sektorit të energjisë.

“Strategjia e re përcakton pesë objektivat e rëndësishme, siç janë siguria e furnizimit të qëndrueshëm dhe cilësor të energjisë elektrike me kapacitetet e nevojshme për një sistem stabil, integrimi në tregun rajonal të energjisë, pastaj zgjerimi i kapaciteteve ekzistuese të sistemeve termike përmes rehabilitimit (TCB) dhe zëvendësimit të kapaciteteve të vjetruara (TCA) me kapacitete të reja (TCKR), zhvillimi i infrastrukturës së gazit natyror, si dhe arritjen e caqeve të efiçiencës së energjisë, burimeve të ripërtëritshme dhe mjedisit sipas detyrimeve të Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe MSA-së”, u shpreh ministri Stavileci.

Duke pasur parasysh zhvillimet drejt një tregu të liberalizuar, kryeministri Isa Mustafa tha se reformat e përgjithshme gjithsesi që paraqesin sfidë institucionale dhe ekonomike për sektorin e energjisë në Kosovë.

“Ne kemi miratuar Strategjinë e Energjisë për periudhën 2017-2026 dhe këtë e konsiderojmë si një të arritur të veçantë, sepse energjia mbetet një prej prioriteteve themelore dhe jo vetëm si resurs relevant për zhvillim ekonomik dhe për zhvillim social edhe në këtë periudhe, por edhe në periudhën e ardhshme”, tha kryeministri Mustafa.

Ndërsa, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, theksoi se viti 2017 është një kthesë e rëndësishme në sektorin e energjisë. “Shumë prej jush e mbani mend dimrin e para gjashtë vitesh ku shumë shtëpi dhe biznese mbeteshin në terr. Sot jeta ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Ky është një përparim i dukshëm, por edhe përkundër të arriturave ende paraqet një sfidë për furnizim stabil që bëhet përmes dy centraleve të vjetruar.

“SHBA do të jetë partneri juaj për të ju mbështesim juve në hapat ku ju duhet të merrni vendime të vështira. Jam krenar që mbështesim Kosovën për të zhvilluar integrimin e energjisë. Duam që liberalizimi i tregut të sjell tarifa të përshtatshme të energjisë”, tha Delawie.

Pjesë e këtij forumi ishin edhe përfaqësuesi e Bankës Botërore në Kosovë dhe ai i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Përfaqësues i Bankës Botërore në Kosovë, Marco Mantovanelli, tha se 2017 mendojmë që është vit me rëndësi kritike për Kosovën dhe sektorin e energjisë për një varg arsyesh. “Jemi krenar që jemi partnerët e Kosovës për përpjekjet e saj në këtë drejtim dhe duam të përgëzojmë përpjekjet e Qeverisë në veçanti ato të stafit nga MZHE për hartimin e Strategjisë së Energjisë të cilën e konsiderojmë gjithëpërfshirëse gjë që e kemi theksuar edhe më parë duke adresuar zgjidhje në aspekte të ndryshme të planit për realizimin për furnizim të besueshëm dhe të përballueshëm me energji elektrike në Kosovë”, .

“Ne jemi të kënaqur që qasja e qeverisë është gjithëpërfshirëse për shkak se përfshinë nevojën e pashmangshme për të konsideruar edhe aspektet e efiçiencës së energjisë dhe energjisë së ripërtëritshme dhe që vë theks të konsiderueshëm edhe në integrimin e tregut në nivel rajonal.

Kurse, Luigi Brusa, përfaqësues i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, theksoi se reformat e sektorit energjetik mbesin një nga prioritet kryesore të BE-së në Kosovë. “Strategjia e Energjisë së Kosovës nuk do të duhej të jetë synim me vetvete por në të vërtetë një dokument i gjerë i cili mbështetet me veprime konkrete dhe projekte pasuese dhe vetëm atëherë do të mund të shndërrohet një vegël e fuqishme për reformat në sektorin e energjisë dhe kjo kërkon angazhim të fuqishme të Qeverisë”, tha Brusa.

Në këtë forum të nivelit të lartë për energjinë, institucionet vendore dhe ndërkombëtare prezantuan edhe ekspertiza profesionale për tema të ndryshme.

Projekti “Repower Kosova” prezantoi çështjet kyçe në sektorin e energjisë elektrike, duke theksuar fushat e mbështetjes së tanishme të USAID-it. Ministria e Zhvillimit Ekonomik shpalosi Strategjinë e Energjisë, kurse masat e buta të WB6 i prezantoi Sekretariati i Komunitetit për Energji. Për mënyrën e liberalizimit të tregut të energjisë dhe mundësitë e integrimit në tregun rajonal prezantuan Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe ajo e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

Pjesë e forumit “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut” ishin edhe fokus grupet e veçanta, të cilat diskutuan për tema specifike mbi sfidat e liberalizimit të tregut, si dhe zhvillimet aktuale dhe të ardhshme të burimeve të ripërtëritshme të energjisë në Kosovë.

[pro_ad_display_adzone id=35749]

KOMENTE