Stacioni i Autobusëve në Gjilan po rimëkëmbet
/2L ONLINE/ – Në konferencën për media të mbajtur sot, janë dhënë lajme të mira dhe pozitive nga ana e kryesuesit të Komisionit Komunal të Aksionarëve i Ndërmarrjes “Stacioni i Autobusëve” në Gjilan, Avdyl Jerliu, i cili ka thënë se kanë nisur të lëvizin gjërat drejt ecjes dhe rimëkëmbjes së kësaj ndërmarrjeje.
Ai tha se në periudhën janar – mars është kompletuar Bordit e kësaj ndërmarrje dhe në këtë periudhë karshi shumë problemeve dhe sfidave të trashëguara, janë dhënë shërbime për mbi një milion qytetarë dhe ngritje të lehtë të të hyrave vetanake.
“Në periudhën janar – mars 2016 janë dhënë shërbime për një numër jashtëzakonisht të madh të qytetarëve, e që numri i tyre kalon shifrën një milion”, tha Jerliu.
Por, ai ka dhënë disa vërejtje për menaxhmentin lidhur me disa operatorë, të cilët kanë ngecur me pagesat e borxheve, por edhe për problemet me mos respektim të kontratës për qiramarrësit.
“Menaxhmenti i Ndërmarrjes duhet të veproj më me ngulm, sepse ka disa neglizhenca të vogla, por që përkthehen me më pak hyrje të financave. Në këtë drejtim ka problem me disa qiramarrës të cilët shfrytëzojnë hapësirat e ndërmarrjes, e të cilët nuk kanë bërë pagesa sipas kontratave të shfrytëzimit të tyre. Kemi ende një numër të operatorëve privat të cilët operojnë në Gjilan e që nuk i shfrytëzojnë peronët e stacionit, por marrin e zbresin qytetarë jashtë rrethojave të ndërmarrjes. Gjithë kjo bëret vetëm për t’i ikur një pagese për peron në vlerë prej tre euro”, ka thënë Jerliu, duke përmbledhur raportin tre mujorësh.
Kryesuesi i Aksionarëve të kësaj ndërrmjeje ka potencuar edhe problemet të cilat i ka trashëguar kjo ndërmarrje, e cila deri vonë ka qenë nën menaxhimin e AKP-së, e që janë një barrë e rëndë për funksionimin e saj në të ardhmen.
“Problemi më i madh, i cili e rëndon vazhdimisht ndërmarrjen janë borxhet e mëdha të trashëguara. Më e keqja është që ne deri në këtë fazë nuk kemi arritu t’i zgjidhim këto pengesa të pakapërcyeshme me të hyrat që ka deri më tani ndërmarrja. Shpresojmë shumë që në nivel të Kosovës të bëhet një zgjidhje adekuate për të gjitha ndërmarrjet”, ka thënë Jerliu.
Ndryshe, në kuadër të planifikimit të ndërmarrjes parashiehn edhe investime kryesisht në infrastrukturë, për avazncimin e shërbimeve dhe modernizimin e Stacionit të Autobusëve në Gjilan. /2L ONLINE/
