Kandidati i Listës ”Srpska”, Dragan Nikoliç ka fituar në rivotimin në Qendrën e Votimit në Pasjan të Parteshit, derisa, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, ai do të jetë kryetar i kësaj komune në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka dhënë rezultatet preliminare për rivotimin në këtë qendër të votimit, pasi me 3 dhjetor, ishin prishur fletëvotimet.
“Duke u bazuar në raportin e KKZ-së deri në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha vendvotimet dhe dalja në zgjedhje është 68.78 për qind, apo 1304 votues. Ndërsa, në nivel komune dalja në zgjedhje ka qenë, duke i marr parasysh edhe rezultatet paraprake, ka qenë 63.87 për qind, 2767 votues. Sa i përket rezultateve janë këto. Dragan Nikoliç, Listës ”Srpska”, ka marr 1398 vota, Nenad Cvetkoviq, ka 1272 vota, pra Nenad Cvetkoviq ka 47.6 për qind, ndërsa, Dragan Nilokiç, 52.4 për qind të votave”, tha Daka.