(2L ONLINE) – Ndaj kritikave të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, për sferën e shëndetësisë, ku është potencuar edhe Spitali, ka reaguar menaxhmenti i Spitalit Regjional të Gjilanit (SRGJ), përmes zëdhënësi Selami Kurteshi duke thënë se konstatimet e përfaqësuesit të kësaj Lëvizjeje, Besa Baftiut, njëherësh deputete e Kuvendit të Kosovës, nuk qëndrojnë.
Zëdhënësi i SRGJ-së Selami Kurteshi ka thënë se konstatimi se në SRGJ nuk është investuar asgjë përveç një kafiterie brenda hapësirës së Spitalit është I paqëndrueshëm. “Së pari, për hirë të vërtetës ju njoftojmë se në SRGJ janë në përfundim punimet rreth renovimit të: Repartit të ORL-së, Urologjisë, Internos, Njësisë Koronare, Renovimi I Sallave Operative, lyerja nga jashtë e objektit të vjetër dhe njëherësh ndërrimi I dritareve. Të gjitha këto punë janë në përfundim e sipër”, ka thënë Kurteshi.
Sipas tij, po ashtu jo më larg se vitin e kaluar është bërë një renovim I mirëfilltë I repartit të Neonatologjisë, pra repartit ku doktoresha që ka kritikuar punon dhe po ashtu ky repart është pajisur me aparaturë të nevojshme mjekësore moderne. Kushtet në Neonatologji janë me standarde të larta, ku vetë personeli aty ka qenë shumë falënderues.
“Sa i përket kafiterisë që ka përmendë po ja iu rikujtojmë se ajo është një byfe, ku punëtorët shëndetësorë dhe joshëndetësorë mund të furnizohen me ushqim për mëngjes me çmime të furrës, çka kjo ka lehtësuar punën pasi punëtorët për një shujtë nuk kanë nevojë të dalin jashtë Spitalit. Duhet t’ju informojmë se vetë doktoresha në fjalë për momentin merr dy rroga nga buxheti I Kosovës, atë të deputetes dhe po ashtu një rrogë si mjeke në SRGJ. SRGJ-ja për këtë ka njoftuar edhe SHSKUK-në”, ka thënë Kurtehsi.
Zëdhënësi i Spitalit thotë në fund të reagimit se kritikat janë të mirëseardhura sepse mund të ndikojnë në ngritjen e cilësisë, por para se të vendosim të kritikojmë duhet të jemi autokritikë. Kurteshi, reagimet të SRGJ-së ia ka bashkangjitur edhe këto dy foto. /2L ONLINE/