(2LONLINE) – Me qëllim të mirinformimit të popullatës , Ismet Uruqi, shef i Shërbimit të Vaksinimit pran Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), ka bërë të ditur për Portalin 2Lonline se në Rajonin e Gjilanit nuk ka të prekur nga sëmundja e parotitit (Gukave), ndërsa kërkesa e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale së bashku me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan – Shërbimi i Vaksinimit, për vaksinim urgjent të fëmijëve të pavaksinuar ka të bëjë me ndërmarrje ne masave për parandalimin e kësaj sëmundjeje.
Ky sqarim i Dr Uruqit vije pasi orë më parë përfaqësues të institucioneve përkatëse të komunës ( Zyra për Informim), kishin informuar për këtë kërkesë të këtyre institucioneve (shih shkrimin: Është paraqitur sëmundja e Gukave, mjekët ftojnë për vaksinim urgjent të fëmijëve), por se në formën e bërë, sipas Uruqit ka mundur që ndokush ta keqkuptojë se te ne është përhapur kjo sëmundje çfarë nuk është e vërtetë. Ai tha se nuk ka nevojë për shqetësime, por se vaksinimi kërkohet për të pavaksinuarit si masë parandaluese pasi sëmundja e parotitit (Gukave), pasi mund të parandalohet me vaksinim.
“Në media është publikuar ftesa për vaksinim për fëmijët e pavaksinuar me vaksina sipas programit të rregullt të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës pas lajmërimit të disa rasteve me sëmundje të Parotitit ( Gukave ) në disa Komuna të Kosovës . Në komunën e Gjilanit nuk kemi raste te tilla, por i kemi ftuar prindërit që të i sjellin fëmijët për të kompletuar vaksinimin e tyre dhe për të qenë të mbrojtur”, ka thënë për 2Lonline, Dr.Ismet Uruqi, për të shtuar se ka mundur që gjatë përpunimit të ftesës të ngatërrohet mesazhi se kinse sëmundja është përhapur edhe në regjionin e Gjilanit që nuk është ashtu, por, për çka kërkojmë ndjesë nga lexuesit. /2lonline/