DYLON

Sqarim: Jusuf Baftijari me propozim të LHK u dekorua me medalje presidenciale

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Pas publikimit të disa shkrimeve joautoriale e relativisht të lajthitura rreth biografisë së Jusuf Baftjarit alias Hoxhë Lipovicës dhe dekorimit të tij me medalje presidenciale, Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan tërheq vëmendjen dhe sqaron opinionin se propozimin për dekorim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, e ka bërë ky organ i historianëve në Gjilan, ndërsa Komuna e Gjilanit e ka mbështetur dhe dërguar listën e të propozuarve tek komisioni përkatës për vlerësimin e personaliteteve për dekorata. Më poshtë po paraqesim biografinë e shkurtër të të dekoruarit Jusuf Baftjari, e cila është hartuar nga historianët e LHK “Ali Hadri” dega në Gjilan dhe si e tillë është propozuar për dekorim.
Jusuf Baftjari – Hoxhë Lipovica, u lind më 1883 në Lipovicë të Gjilanit. Është njëri ndër atdhetarët shqiptar të Karadakut malor, bashkëluftëtari më i afërm i Mulla Idriz Gjilanit dhe ndër komandantët e njësive vullnetare në mbrojtje të kufirit të Kosovës Lindore. Pas okupimit fashist bullgar të një pjese të Rrethit të Gjilanit, në maj 1941, Hoxhë Lipovica formoi njësitin e tij të rezistencës, në krye të të cilit qëndroi me armë në dorë në mbrojtje të jetës dhe pasurisë së popullatës shqiptare të kësaj ane nga keqpërdoruesit bullgarë dhe bashkëpunëtorët e tyre serbë. Pas kapitullimit të Bullgarisë fashiste (9 shtator 1944), konform urdhëresës së Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit për mbrojtjen e kufirit nga sulmet partizano-çetnike, Hoxhë Lipovica u caktua njëri ndër komandantët e zonave mbrojtëse të kufirit në vijën hekurudhore Bujanoc-Preshevë-Kumanovë. Më 19 shtator 1944, në ditën e Festës së Bajramit, u zhvillua beteja në Raincë të Preshevës, nën udhëheqjen e Jusuf Baftjarit në mbrotje të kufirit shqiptar nga depërtimi i forcave çetnike partizane serbe e bullgare. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe okupimit sllavo-komunist të Kosovës, Hoxhë Lipovica, së bashku me disa bashkëluftëtarë, për një kohë qëndroi i fshehur në malet e Karadakut. Ai mori pjesë në Kongresin e Kopilaçës më 15 e 16 gusht 1945, të organizuar nga Komitetit Qëndror i NDSH-s dhe Shtabit Suprem të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare antijugosllave. Pas aksioneve të shumta ushtarako-policore jugosllave, duke i parë të gjitha mundësitë e mbyllura për të vazhduar rezistencën dhe pas mëse dy vjet qëndrimi në ilegalitet, më 20 shkurt të vitit 1947 dorëzohet me dy djemtë e tij dhe disa bashkëluftëtarë. Me Aktgjykimin P. nr. 37/48, më 23.04.1948, të Gjykatës së Qarkut në Gjilan, Hoxhë Lipovica dënohet me vdekje – pushkatim (ekzekutim), kurse djemtë Selimi me 17 vjet dhe Qazimi me 14 vjet burg të rëndë.

Me propozim të Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” – dega në Gjilan dhe me mbështetje të Komunës së Gjilanit, për nder të veprës së tij patriotike, Presidentja e Republikës së Kosovës, Znj. Atifete Jahjaga, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe në përputhje me procedurat përkatëse, më 19 shkurt 2016, e dekoroi Jusuf Baftjarin me medaljen “URDHRI I LIRISË”. /2L ONLINE/

EkoHigjiena
Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.