Lojërat e dyta Evropiane Minsk 2019 mbahen prej 21-30 qershor në kryeqytetin e Bjellorusisë. Kosova përfaqësohet me 12 sportistë, të cilët garat do t’i nisin nesër (e premte).
E para që do të paraqitet në gara është shigjetarja, Ardita Zenullahu, e cila do të garojë në disiplinën hark olimpik (recurve). Ardita kualifikimin në finale do ta kërkojë prej orës 13:45 me kohën tonë lokale, ndërsa 14:45 me kohën lokale të Bjellorusisë.
Ceremonia hapëse do të mbahet të premten mbrëma, ndërsa të shtunën do të garojnë tri kampionet tona të xhudos, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi. Ato garat i nisin prej orës 9:30 me kohën tonë lokale (10:30 në Bjellorusi).
Të njëjtën ditë garon edhe pingpongisti, Fatih Karabaxhaku dhe boksieri, Ardit Delijaj.
Xhudisti Akil Gjakova lufton të dielën, sikurse boksierja, Donjeta Sadiku. Xhudistja tjetër, Loriana Kuka është në gara të hënën. Garimin në Minsk nga ekipi ynë e mbyll karateisti, Alvin Karaqi, që lufton më 29 qershor.