Sporti-për hir të Sportit dhe Publikut, jo ndryshe!
/2L ONLINE/ – Të dielën qyteti i Gjilanit ka festë sepse është ditë e derbit të shumëpritur në futboll, në mes të klubeve të futbollit, rivale të përbetuara, Drita e Gjilani. Dhe kjo ndeshje tërheq vëmendjen edhe të politikanëve. Një ndër ta, ish kreu i komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa, përmes profilit të tij iu është drejtuar futbollistëve dhe tifozerisë, me mesazhin se nesër në Gjilan duhet dhe do të fitoje sporti. Për më tepër, ai ka thënë se adhurimi, tifozeria dhe emocionet e ndezura për njërin apo tjetrin formacion duhet të përcillen me garën fer dhe me animin para së gjithash, kah futbolli i mirë që e kënaq syrin kureshtar dhe shpirtin sportiv…
Ja postimi i plotë i ish kryetarit të Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafës
“Kur isha kryetar shpesh tifozët e njërit apo tjetrit ekip të futbollit në Gjilan më pyesnin se cilin ekip e preferoj ose më shkurtë, për cilin ekip jam?!. Dhe natyrisht, me kureshtje e prisnin përgjigjen time të cilën e pata menduar me kohë. Ajo ishte përherë “Jam me të dyja ekipet!” ose “Jam me futbollin e Gjilanit!”.
Përkundër dëshirës së tyre që të isha tifoz i ekipës që ata e adhuronin, përherë këto përgjigje i pranonin me dashamirësi e me respekt.
Të dashur futbollistë e adhurues te të dyja klubeve, adhurimi, tifozeria dhe emocionet e ndezura për njërin apo tjetrin formacion duhet të përcillen me garën fer dhe me animin para së gjithash, kah futbolli i mirë që e kënaq syrin kureshtar dhe shpirtin tuaj sportiv.
Tepër e këndshme dhe mbresëlënëse është kur, aksionit të mirë të rivalit i duartrokitet me zemërgjerësi nga tifozeria e ekipit tjetër. Këtë duhet ta bëjmë nesër në stadiumin e bukur të qytetit që e investuam dhe me vite e mbajtëm mirë për ju.
Në Gjilan duhet dhe do të fitoje sporti e jo i verbër e pa shije çfarë ndodhë ndonjëherë në stadiumet tona.
Unë sërish e kam nda mendjen si atëherë kur isha kryetar: JAM NESER DHE DO TË JEM PËRHERË PËR FUTBOLLIN E MIRË QË NA E NGRITË ADRENALINËN, NA I NDEZË PASIONET DHE QË I BËN NDER GJILANIT E KOSOVËS.
Dua që nesër shumica të mē përkrahni në përcaktimin tim.
Ju faleminderit
Gëzuar!.
