Shkruan: Murat MUSTAFA
Moto më bajate se kjo, vështirë që do të kemi ndonjëherë! Moto që edhe më shumë i jep krah nxënësve për të mos vijuar procesin mësimor.
Pasi që organizatorët e vërtetë tashmë po dihen( jo ata dy çunat) duhet t’ju kërkohet llogari atyre për këtë iniciativë të turpshme! Nxitje për të mos shkuar në shkollë, dhe manipulim me këta nxënës.
Po pse more djem po manipuloheni nga politika?
Por kur të ngutesh, siç kanë thënë të moçmit edhe…..!
Edhe unë po them s’po shkohet në shkollë, por jo nga motot që iu kanë diktuar politika, por nga sjelljet tuaja poshtëruese dhe të gërditshme ndaj mësimdhënësve. Protesto, por protesto për të mirën tënde e mos u keqpërdorni nga mashtruesit.
Normal që s’po shkohet në shkollë, sepse shkollat janë shndërruar në stacion policor nga problemet e shumta që shkaktohen nga nxënësit.
S’po shkohet në shkollë, sepse shkollat janë shndërruar në qendër sociale nga nxënësit me vështirësi ekonomike dhe sjellje jo të mira.
S’po shkohet në shkollë, sepse s’po ka interes prej saj. S’po shkohet në shkollë, sepse s’po ka kushte për mësimnxënie.
S’po shkohet në shkollë, sepse s’po ka llaptop dhe projektor, ndërsa ka tabela të zeza dhe shkumës.
S’po shkohet në shkollë, sepse s’po ka kushte sikurse moshatarët tanë nëpër shtete të ndryshme.
S’po shkohet në shkollë, sepse po qëndrojmë vetëm 2-3 orë, ndërsa moshatarët tanë në shtetet tjera qëndrojnë 8 orë.
Protesto që mësimdhënësi të ketë pagë të dinjitetshme, për të pasur një përkushtim më të madh ndaj teje.
S’po shkohet në shkollë, sepse një mësues ka pagën 450 euro, ndërsa një deputet analfabetë 1600 euro.
S’po shkohet në shkollë, sepse mësimdhënësi mezi po mbijeton nga “sociali” që merr.
S’po shkohet në shkollë, sepse qeveritë nuk po krijojnë kushte për mësimdhënie e mësimnxënie.
S’po shkohet në shkollë, sepse po bullizohen, ofendohen dhe poshtërohen mësimdhënësit.
S’po shkohet në shkollë, sepse nuk po lejojnë të bullizohen shokët dhe shoqet e klasës.
S’po shkohet në shkollë, sepse s’po mundemi t’i fusim në grackë mësimdhënësit( siç ndodhi para 1 muaji, kur kishin bërë skenarin).
S’po shkohet në shkollë, sepse disa mësimdhënës s’po lejojnë t’ju shkelet dinjiteti i tyre, pavarësisht ndëshkimeve.
S’po shkohet në shkollë, sepse s’po ka ngrohje në këto ditë të ftohta.
S’po shkohet në shkollë, sepse tualetet janë sikurse WC-të, tek stacionet e autobusëve.
S’po shkohet në shkollë, sepse s’po ka internet.
S’po shkohet në shkollë, sepse aty s’po ka “Esat”, por ka edukatorë.
S’po shkohet në shkollë, sepse s’po mundemi me “reklamu” kërthizën.
S’po shkohet në shkollë, sepse s’po mundemi m’i “fry hundëve”.
S’po shkohet në shkollë, pa mjete të ftohta.
S’po shkohet në shkollë, sepse s’po ka vend për të thith një cigare.
Çuna, mos duhet të ishte më e drejtë të protestonit për këto dukuri, që janë evidente nëpër shkollat e Republikës së Kosovës?
Për shkollë në Kosovë është bërë luftë e sakrificë, andaj duhet ta duam dhe ta mbjellim e kultivojmë dashurinë ndaj saj.
Në shkollat tona kemi nxënës e mësimdhënës superior e të mrekullueshëm, por kemi edhe të tillë që nuk janë në nivel për të cilët duhet një denoncim e qasje institucionale e jo në rrugë.
Akterët e arsimit nuk duhet t’i përkrahin degjeneruesit e nxënësve-fëmijëve, e të cilët janë evidente nga familja, shkolla dhe rruga, ku pjesa dërmuese e jona nuk kemi asnjë kontroll në monitorimin e fëmijëve tanë në qasjen e tyre në internet dhe emisione të ndryshme televizive pa vlerë edukative, e kjo sjellë rini jo të shëndoshë.
Pra nëse në arsim krijojmë situatë pro et contra mes nxënësit dhe mësimdhënësit konsideroj se kjo më së paku e ndihmon procesin dhe zhvillimin e kompetencave.
Në arsim duhet të evidentohen mangësitë nga profesionistët, ku duhet ndërhyrje, pastaj ecim përpara !
Te ne është bërë e zakonshme, që për problemet në arsim iu jepet hapësirë disa “ekspertëve universal” dhe samargjive, ndërsa profesionistët e vërtetë as që pyeten. /2LOINLINE/