Spitali i Gjilanit: Vazhdojnë punimet në infrastrukturë
“Në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit vazhdojnë punimet në infrastrukturë, ku aktualisht janë duke u realizuar tri projekte madhore: ndërtimi i Pediatrisë së Re, zgjerimi i hyrjes kryesore, si dhe krijimi i hapësirave shtesë për parkim të ambulancave specialistike dhe riorganizimi i rrugës rreth objektit të Gjinekologjisë”, thuhet në njoftimin e e këtij institutcioni shëndetësor.
Sipas drejtuesve të Spitalit, këto projekte do të mundësojnë shtimin e hapësirave për parkim, qarkullim më të sigurt dhe më të organizuar të automjeteve dhe këmbësorëve, si dhe funksionalizimin më efikas të hyrje-daljeve në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, Dr.Afrim Cana, theksoi se investimet në infrastrukturë janë pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm për krijimin e kushteve më të mira për pacientët, familjarët e tyre dhe personelin shëndetësor.
“Jemi të përkushtuar që përmes investimeve infrastrukturore të krijojmë kushte më të mira dhe të ofrojmë shërbime sa më efikase, të sigurta dhe të përshtatshme për të gjithë”, ka thënë Cana.
Sipas tij, deri në këtë fazë, projektet janë duke u realizuar sipas planit dhe dinamikës së paraparë, ku punimet do të vazhdojnë me synim që këto investime të përfundojnë në afatet e përcaktuara dhe të vihen sa më shpejt në shërbim të pacientëve dhe stafit të Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit.
“Këto investime përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të vazhdueshëm të infrastrukturës dhe krijimit të një ambienti më funksional dhe më të përshtatshëm”, ka thënë Afrim Cana, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit. /2LONLINE/
