Kryesia e Kuvendit e ka futur në rend të ditës ndryshimin e amendamenteve kushtetuese që i japin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Por gjatë votimit përfaqësuesit e opozitës kanë lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.
Në momentin që ka nisur të votohet rendi i ditës për specialen shefat e grupeve parlamentare të VV-së, AAK-së dhe Nismës kanë lëshuar sallën.
Ndërsa në komunikatën për media thuhet:
“Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare të hënën, më 3 gusht, në orën 10:00, me një pikë të vetme të rendit të ditës: shqyrtimi i propozim-amendamentit nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të riproceduar në Kuvend nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Ky ishte vendimi i sotëm i Kryesisë së Kuvendit, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, kryesuar nga kryetari Kadri Veseli. Kjo çështje u përshkua me diskutime për dhe kundër nga anëtarët e Kryesisë dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare.
Një debat të gjerë ngjalli edhe propozimi për mocion procedural i grupeve parlamentare opozitare lidhur me procedimin në seancën plenare të radhës, të Projektrezolutës lidhur me krimet e kryera nga Serbia gjatë viteve 1998-1999. Propozimi u përkrah edhe nga përfaqësues të grupeve parlamentare në pozitë, mirëpo u kontestua në kuptimin procedural. Rrjedhimisht, nuk mori përkrahjen e shumicës së anëtarëve të Kryesisë për të hyrë si pikë e rendit të ditës në seancën e radhës.”
http://www.rtklive.com/?id=2&r=38150