Ish-kandidati për kryetar të Mitrovicës Nexhmedin Spahiu ka reaguar ndaj aktit të rrëzimit të shtatores së humanistes Nëna Tereze në Mitrovicë. Ai është i bindur se shtatorja është rrënuar nga dikush që është anti-Mitrovicë, anti-Kosovë, anti- katolik e anti-islam.
“Si ideator, nismëtar dhe kontribuuesi kryesor së bashku me Dr.Don Jak Prenkun, ingritjes së përmendores së Nënës Tereze në Mitrovicë, shpreh indinjatën më të thellë me rastin e rrëzimit të saj gjatë natës së mbrëmshme”, thuhet në reagimin e Spahiut.
“Përmendorja është ngritur me kontributet vullnetare të qytetarëve nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora ku kontributin kryesor e kanë dhënë vëllezërit Gojcaj nga Amerika”. “Ngritja e përmendores së Nënë Terezës në qytetin ku 99 për qind të popullsisë janë myslimanë ka qenë një dëshmi e fortë e vlerave islame, siç janë mirëkuptimi dhe toleranca. Kryesve potencialë të kësaj vepre të ultë nuk mund t’ua paragjykojë përkatësinë etnike, fetare apo kombëtare, por një gjë është e sigurt: qëllimi i tyre është anti-Mitrovicë, anti-Kosovë, anti-katolik dhe anti-islam”, thuhet në reagimin e Spahiut