Spahiu: AKR-ja do të jetë përcaktuese e qeverisjes në Gjilan

Spahiu: AKR-ja do të jetë përcaktuese e qeverisjes në Gjilan

Tani më që është caktuar 17 tetori 2021, datë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, subjektet politike janë mobilizuar në drejtim të përgatitjeve për këto zgjedhje dhe në këtë drejtim është duke punuar dhe përgatitur edhe Aleanca Kosova e Re (AKR) në Gjilan, thanë përfaqësuesit e këtij subjekti politikë.

Siç dihet, AKR-ja është pjesë e qeverisjes në Gjilan dhe Sami Spahiu nga ky subjekt politik thotë se për aq sa ka hise në qeverisje, kuadrot e saja po vazhdojnë të japin kontributin e tyre në drejtim të një bashkëqeverisje të mirë me partnerë, në shërbim të qytetarëve, për çka po vlerësohet pozitivisht, transmeton Portali 2LONLINE.com.

Spahiu, që aktualisht udhëheqë me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) në Komunën e Gjilanit, ka bërë me dije se ky subjekt politik edhe në zgjedhjet e tetorit, pret ta ketë përkrahjen e qytetarëve, ndërsa performanca e deritanishme e kuadrove të saj, kudo në bashkëqeverisjen e tanishme, si në këtë drejtori, komitete, poashtu edhe në Kuvendin Komunal, po vlerësohet mirë dhe se do të jetë garancë e rritës së fuqisë.

“Drejtoria që udhëhiqet nga unë vlerësohet vazhdimisht për punën e saj të mirë përgjatë periudhës sa jam drejtor dhe poashtu edhe dy anëtarët e kuvendit komunal që janë nga AKR-ja, Shemsedin Ramushi dhe Vjollca Gagica – Matoshi, me angazhimin e tyre konstruktiv kanë bërë që, në këtë organ më të lartë të qeverisjes komunale, të jenë përherë pjesë e punëve të mira në të mirë të Gjilanit dhe qytetarëve të saj, për çka po vlerësohen”, ka thënë Spahiu, transmeton Portali 2LONLINE.com.

Natyrisht thotë ai, kur flasim për zgjedhjet e vjeshtës, tani për tani nuk mund të jepe diçka konkrete sa i përket emrave konkurrues, por se kjo do të ndodh së shpejti në koordinim të drejtpërdrejtë me presidentin e AKR-së, Behgjet Pacolli dhe me strukturat qendrore dhe për këtë do të njoftohet publiku me kohë, por se ajo që mund të thuhet tani për tani është se, ekipi garues do të jetë i tillë që do të vlerësohet nga qytetari, do të  sjellë rezultat të mirë dhe do të jetë përcaktuese edhe e qeverisjes së ardhshme lokale në Gjilan. /2LONLINE.com/

KOMENTE