DYLON

Sot u publikuan tri raporte për gjendjen e mediave në Kosovë

Sot u publikuan tri raporte për gjendjen e mediave në Kosovë
Avatar photo Redaksia

Sot janë publikuar tri raporte të reja që trajtojnë lirinë e medias, sigurinë e gazetarëve dhe gjuhën e urrejtjes në hapësirën mediatike të Kosovës. Këto raporte ofrojnë një pasqyrë të detajuar të zhvillimeve gjatë viteve të fundit dhe sfidave aktuale që po përballon gazetaria në vend.

Fjalët hapëse u bën nga Xhemajl Rexha, kryetar i bordit të AGK-së, i cili tha se “këto raporte tregojnë me statistika dhe zhvillime reale situatat me të cilat ballafaqohen gazetarët në Kosovë, me sulme të vazhdueshme online, që vijnë shumë shpesh nga politika, por edhe me sulme të vërteta fizike, që vijnë si pasojë e një klime të rëndëuar të të bërit gazetari. Raportet në rekomandime bëjnë thirrje për akterët që pengojnë punën e gazetarëve që t’i ndalin këto praktika, dhe që organet e drejtësisë që t’i trajtojnë me prioritet sulmet”.

EkoHigjiena

Jerome Bouyjou, Shefi i të Drejtave të Njeriut në UNMIK dhe Përfaqësues i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, theksoi rëndësinë e këtyre raporteve për të kuptuar trendet për lirinë e shprehjes dhe medias në Kosovë. Ai bëri thirrje për hetime të shpejta të sulmeve ndaj gazetarëve, dhe angazhim më të madh për të mbrojtur lirinë e medias, sigurinë e gazetarëve dhe të drejtat e njeriut.

1. Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve 2025

Raporti, i prezantuar nga Getoarbë Mulliqi dhe Yll Zekaj, thekson një kontrast të qartë mes kornizës ligjore dhe realitetit praktik në Kosovë.

Kosova ka një bazë ligjore relativisht të avancuar që garanton lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e gazetarëve, përfshirë dekriminalizimin e shpifjes dhe rregullimin e qasjes në dokumente publike. Megjithatë, problemi kryesor mbetet zbatimi i dobët i ligjeve dhe mungesa e efikasitetit institucional.

Ndër sfidat kryesore përfshihen:

– vonesat në qasjen në informata publike

– ndikimi politik në institucione rregullatore

– dobësia e mekanizmave të llogaridhënies

– mungesa e mbrojtjes kundër padive abuzive (SLAPP)

– presionet politike dhe ekonomike ndaj mediave

Raporti vë në pah edhe se gazetarët punojnë në kushte të pasigurta, me kontrata të paqëndrueshme dhe presione të vazhdueshme nga aktorë politikë dhe të tjerë.

Në aspektin e sigurisë, viti 2025 ka shënuar 69 raste sulmesh ndaj gazetarëve, me rritje të gjuhës së urrejtjes dhe retorikës delegjitimuese nga figura publike dhe politike.

Linku i raportit në trija gjuhët: https://agk-ks.org/…/treguesit-e-nivelit-te-lirise-se…/

2. Raporti i Monitorimit të Medias dhe Gjuhës së Urrejtjes (mars–maj 2026)

Ky raport, i prezantuar nga profesori Jeton Mehmeti, analizon 138 raste të gjuhës së urrejtjes dhe diskursit të dëmshëm në media dhe rrjete sociale.

Gjetjet kryesore tregojnë se:

– 71.7% e rasteve janë diskurs politik armiqësor dhe polarizues. Kundërshtarët politikë shpesh portretizohen si “tradhtarë”, “armiq” apo “kërcënime kombëtare”

– 77.5% e rasteve vijnë nga mediat në gjuhën shqipe, ndërsa 22.5% nga ato në gjuhën serbe

Një pjesë e madhe e përmbajtjes nuk është nxitje direkte e urrejtjes, por forma të stigmatizimit, delegjitimimit dhe demonizimit, të cilat më pas amplifikohen nga rrjetet sociale.

Raporti thekson gjithashtu:

– rritjen e retorikës kundër gazetarëve

– përdorimin e narrativave konspirative

– ndikimin e fortë të platformave digjitale në polarizim

Linku i raportit në trija gjuhët: https://agk-ks.org/…/raporti-i-monitorimit-te-medias…/

3. Siguria e Gazetarëve dhe Liria e Medias në Kosovë (2021–2026)

Ky raport, i prezantuar nga Burbuqe Kastrati – Lëvizja FOL, analizon trendet afatgjata të sigurisë së gazetarëve dhe tregon një situatë të vazhdueshme shqetësuese.

Gjetjet kryesore:

2021: 18 raste

2022: 20 raste

2023: 33 raste

2024: 26 raste

2025: 9 raste

Janar–maj 2026: 9 raste

Raporti evidenton se sulmet ndaj gazetarëve vazhdojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe përfshijnë:

– sulme fizike

– kërcënime direkte

– pengim të punës gazetareske

– fushata online dhe gjuhë urrejtjeje

– sulme me bazë gjinore ndaj gazetareve

Gjithashtu përmenden disa raste serioze të presionit dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve hulumtues dhe ekipeve mediatike në terren.

Një tjetër problem i theksuar është mungesa e ndjekjes efektive ligjore, ku vetëm një pjesë e vogël e rasteve përfundojnë me aktakuza.

Siguria e gazetarëve mbetet problem sistemik që ndikon drejtpërdrejt në lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për informim.

/Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK/