Sot Podujeva, nesër Gjilani…!

Sot Podujeva, nesër Gjilani…!

Podujeva, më në fund e bëri ndryshimin e madh, e pensionoi udhëheqjen e saj të gjatë e të stërvjetëruar. Pas Podujevës, radhën e ka edhe Gjilani ta bëjë një gjë të tillë, ta çoj në shtëpi udhëheqjen e saj gjithashtu të gjatë e të stërlodhur. Jam i lumtur që Podujeva e bëri ndryshimin e saj të madh dhe do të jem edhe më i lumtur kur edhe Gjilani ta bëjë ndryshimin e tij të madh, në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm.

Shkruan: Durim KADRIU – Lëvizja Vatra

Më vije mirë që po u vije fundi politikanëve që mbajnë pozita politike vetëm për kalkulime personale e jo për të mirën e komunës/ shtetit. Jemi lodhur dhe jemi gërditur prej politikanëve të tillë, njerëz mediokër në të gjitha aspektet.

Jemi lodhur prej njerëzve të tillë që rrinë gjatë në pushtet dhe e çojnë dëm komplet komunën, pa ua pa hairin as komuna e as partia e tyre, përkundrazi, vetëm se ua shohin sherrin. Kurrë një gjë të mençur nuk ke dëgjuar apo parë prej tyre, përpos një rrethi llomotitës vicioz. Nuk shquhen për asgjë, as për oratori, as për intelektualitet, as për punë e energji, e aq më pak për ndonjë ide. Injorantë, që në kushte normale as kryetar katundi s’ishin bërë. Njerëz që një fjali s’dinë ta shkruajnë synojnë madje ta drejtojnë edhe shtetin.

Të tillët ma çojnë mallin e disa plakave që në të pame (kryeshnosh) rrinë në krye të vendit pa asnjë dobi, përkundrazi vetëm prishin punë. As nuk e di se kush janë, as nuk e di se për çka janë aty, por ato janë aty dhe duhet që patjetër t’a marrin gjithë nderimin dhe respektin. Njëjtë edhe këta: rrinë në pushtet 15 e 20 vjet, ashtu kot, më shumë bëjnë dëm sesa ndonjë dobi.

Thënë të drejtën, edhe Helmut Kohl apo Angela Merkel me qenë, bëhen bajat, e lëre më këta- mediokër me ambicie të shfrenuara. /2LONLINE.com/

KOMENTE