Sot në Gjilan mbahet Akademi përkujtimore kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare Jonuz Musliut

Sot në Gjilan mbahet Akademi përkujtimore kushtuar veprimtarit të çështjes kombëtare Jonuz Musliut

Sot në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, duke filluar nga ora 14:00, do të mbahet Akademi Përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së veprimtarit të çështjes kombëtare, Jonuz Musliu.

Një akademi e tillë është mbajtur një ditë më parë edhe në Bujanoc, ku Musliu është kujtuar nga familjarë, përfaqësues të jetës politike, institucionale, veteran të UÇPMB-së dhe miq të të ndjerit, të cilët  morën pjesë në këtë akademi për të shënuar këtë përvjetor, në të cilin u fol për jetën dhe veprën e Jonuz Musliut.

Ndryshe, aktivist i hershëm i çështjes kombëtare, Jonuz Musliu ndërroi jetë më 18 janar të vitit 2018 në Edrene të Turqisë i cili qëndroi i shtrirë në spital për disa muaj dhe do të kujtohet gjatë se luftëtar i vullnetit e angazhimit të bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, shkruan Titulli.com.

I ndjeri Musliu ishte kryetar i kuvendit të komunës së Bujanocit, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe mbrojtës politik i të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe i vetmi që në vazhdimësi përsëriste qëndrimin se duam bashkim me Kosovën.

Jonuz Musliu, ish i burgosur politik dhe veprimtar në fillim rreshtohet në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pas luftës ishte pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës ndërsa ishte ndër themeluesit e parë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe ka drejtuar Këshillin Politik të UÇPMB-së , një formacion ushtarak i kryengritësve shqiptarë që luftonin për liri në këtë rajon.

Pas përfundimit të konfliktit, në pranverën e vitit 2001 me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtarë, Musliu themeloi Lëvizjen e Progresit Demokratik dhe u përfshi në jetën politike në Luginën e Preshevës.

Në zgjedhjet e dyta ai emërohet kryetar i kuvendit komunal, pozitë që e ka mbajtur disa mandate ndërsa në vitin 2014 zgjidhet Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptarë,

Musliu do të mbetet në kujtesë për dashurinë ndaj të gjitha trevave shqiptare i cili shpesh deklaronte në intervista se “Edi Rama është kryeministri im”, raporton Titulli.com.

Ai ka ripërsëritur qëndrimin e tij të cilin e paraqiti menjëherë pas deklaratave të fundit të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për bashkimin e mundshëm të Shqipërisë dhe Kosovës, se në këtë rast duhet bashkuar edhe Lugina e Preshevës.

Musliu ishte një nga përfaqësuesit e vetëm shqiptarë në Luginë të Preshevës që kishte në vazhdimësi mbështetjen e spektrit politik shqiptar e institucional të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë.

KOMENTE