Sot filloi fushata vetëdijësuese për parandalimin e zjarreve në territorin e Komunës së Gjilanit
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Komunës së Gjilanit, në bashkëpunim me Stacionin Policor-Gjilan, Njësia e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Gjilan dhe Kryqi i Kuq i Kosovës – Dega Gjilan, ka filluar fushatën vetëdijësuese për parandalimin e zjarreve në qytet, fshatra dhe në institucionet arsimore të komunës.
Kjo fushatë po organizohet me qëllim të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për rreziqet që vijnë si pasojë e ndezjes së pakontrolluar të zjarreve, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur temperaturat e larta dhe kushtet atmosferike favorizojnë përhapjen e shpejtë të tyre. Zjarret në fusha, pyje, kullota apo pranë zonave të banuara mund të shkaktojnë dëme të mëdha materiale, që rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe të dëmtojnë rëndë mjedisin.
Në kuadër të kësaj fushate, ekipet e përbashkëta kanë zhvilluar sot aktivitete informuese dhe vetëdijësuese në institucione arsimore, shkollat fillore dhe të mesme te komunës, ku nxënësit për së afërmi janë njoftuar me rreziqet që shkaktohen nga zjarret, masat parandaluese dhe mënyrat e reagimit në raste emergjente. Gjithashtu, janë shpërndarë materiale informuese dhe janë zhvilluar takime me qytetarë në zona të ndryshme të qytetit dhe fshatrave me qëllim të ngritjes së vetëdijes për parandalimin e zjarreve dhe mbrojtjen e mjedisit.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Enver Shabani falënderon të gjitha institucionet partnere për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në këtë nismë të rëndësishme, e cila synon mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës publike dhe private, si dhe ruajtjen e mjedisit.
“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal, të mos ndezin zjarre në hapësira të hapura, të mos hedhin mbetje që mund të shkaktojnë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar tek institucionet përgjegjëse tek numri 112 ose 193’, ka thënë Shabani. /2LONLINE/
