DYLON

Sonte në Teatrin e Qytetit vjen shfaqja “Dredhit’ e Patukut”

Sonte në Teatrin e Qytetit vjen shfaqja “Dredhit’ e Patukut”
Avatar photo Redaksia

Sonte, e shtunë, 20:00h | “Dredhit’ e Patukut” | nga Gjergj Fishta, regjia Kushtrim Bekteshi | produksion nga Teatri i Tetovës.

Komedia “Dredhit’ e Patukut” nga Gjergj Fishta, është shkruar diku mes viteve 1910-1913. Brumin e kësaj komedie Gjergj Fishta e ka marrë nga vepra e Molierit “Les Fourberies de Scapin” të cilën e ka adaptuar, rishkruar dhe përshtatur me traditën dhe kulturën shqiptare, dhe kontekstin kohor të qytetit të Shkodrës në fillim të shekullit të XX.

EkoHigjiena

Në qendër të komedisë është Patuku, dredharak, rolin e të cilit e luan Arsim Fazlia. Ai mjeshtërisht, arrin të zhvat para nga baballarët e pasur e koprracë për t’iu ndihmuar dy fëmijëve të tyre të shthurur që të shpëtojnë nga telashet dhe borxhet e mëdha në të cilat kanë hyrë gjatë mungesës së baballarëve në shtëpi. Koprracia e të moshuarve, jeta e shthurur e të rinjve, miqësia dhe intriga janë temat kryesore që trajton kjo komedi, e cila integron me mjeshtëri traditën shqiptare me ‘commedia dell’arte’- n italiane.

Në këtë shfaqje ‘commedia dell’arte’ është parafrazuar në stilin e aktrimit dhe ndërtimin e karaktereve, në skenografinë e shfaqjes e realizuar nga Betim Zeqiri, e po ashtu edhe në kostumografinë e realizuar nga Emira Ymeri, ku është kombinuar kostumi tradicional shqiptar me modën qytetare shkodrane të fillimit të shekullit të XX.

Kjo vepër e Fishtës gjatë kohës është konsideruar e zhdukur. Për më shumë se 50 vjet e vetmja kopje e mbijetuar, dorëshkrimi i komedisë “Dredhit’ e Patukut”, është ruajtur e fshehur nën dërrasat e dyshemesë në shtëpinë e zotëri Luigj Babës dhe kështu i ka shpëtuar zhdukjes gjatë periudhës së errët komuniste ne Shqipëri, kur Gjergj Fishta ishte i ndaluar dhe librat e tij ishin anatemuar, digjeshin dhe çdokush që i ruante rrezikonte burgun.

Në vitin 2005 djali i tij, Gjovalin Baba, e ka nxjerrë nga poshtë dyshemesë dhe e ka dorëzuar në bibliotekën françeskane në Shkodër.

Kjo komedi e Fishtës i ka shpëtuar zhdukjes falë bujarisë dhe guximit të kësaj familjeje shkodrane.

Komedia “Dredhit’ e Patukut”, derisa qe gjallë Gjergj Fishta, është luajtur nga priftërinjtë dhe shumë grupe amatore të asaj kohe. Ndërsa vënia në skenë e këtij teksti nga Teatri i Tetovës do të jetë hera e parë që ky tekst jetësohet në skenën e një teatri profesionist.

/Teatri i Qytetit – Gjilan/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.