Sonte ndeshja Kosovë – Islandë, “Dardanët” të motivuar për fitore

Kombëtarja e Kosovës në basketboll sot zhvillon njërën nga ndeshjet më të rëndësishme në vitet e fundit. “Dardanët” do të përballen me Islandën në kuadër të parakualifikimeve për Botërorin 2023.

Atmosfera në ekipin e Kosovës është shumë e mirë dhe lojtarët janë të motivuar për të dhënë gjithçka nga vetja, në këtë përballje shumë të rëndësishme.

Pas stërvitjes të së mërkurës është mbajtur edhe konferenca për media ku drejtori i përfaqësueses, Granit Rugova, doli për rrjedhën e përgatitjeve.

Ai shtoi se, kanë disa mungesa si Lis Shoshi apo Alban Veseli, megjithatë, do të japin 100 % në fushë. Përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos, ishte i kënaqur me angazhimin e lojtarëve në stërvitje.

“Basketbollistët kanë dhënë gjithçka në stërvitje. Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Është e rëndësishme që të gjithë të japin më të mirën nga vetja. Deri më tani jam shumë i kënaqur. Duam të përfaqësojmë sa më mirë Kosovën në garat ndërkombëtare”, u shpreh Marmarinos.

Kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha, u ka bërë thirrje “Dardanëve”, që të jenë në numër sa më të madh, sepse është një motiv i madh për lojtarët në fushë.

Ndeshja Kosova-Islanda zhvillohet nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. “Dardanët” pas tri ditësh janë mysafirë të Luksemburgut, derisa pjesë e Grupit B është edhe Sllovakia.

KOMENTE