Sonte hapet ekspozita personale e artistit Din Azizi
Hektari i Kohës: 26 vjet krijimtari, 1 hektar art!
Galeria e Artit Bashkëkohor Know njofton për hapjen e ekspozitës personale të artistit Din Azizi, me titull “Hektar i Kohës”, më 12 qershor 2026, në ora 20:00, në Livoç të Ultë të Gjilanit.
Për herë të parë, një galeri e dedikuar artit bashkëkohor po hap dyert e saj në këtë pjesë të qytetit, duke sjellë një energji të re kulturore, ide të reja dhe një mënyrë tjetër të të përjetuarit të artit.
EkoHigjiena
Kjo ekspozitë shënon një moment të veçantë për artin bashkëkohor, duke përmbledhur 26 vite krijimtari artistike të njërit prej artistëve që ka eksperimentuar vazhdimisht me forma, mediume dhe qasje të ndryshme artistike. Përmes pikturave, instalacioneve, performancave, vizatimeve dhe veprave konceptuale, Din Azizi sjell para publikut një rrugëtim të gjatë krijues, të ndërtuar me përkushtim, kërkim dhe guxim artistik, transmeton 2LONLINE.
“Hektar i Kohës” paraqet një territor simbolik të mbjellë me ide, kujtime, procese krijuese dhe eksperimente artistike që kanë shoqëruar artistin ndër vite. Ekspozita ofron një mundësi për të reflektuar mbi kohën, transformimin dhe raportin ndërmjet artistit dhe shoqërisë.
Me kurimin e Kushtrim Sylejmanit, kjo ekspozitë hap një kapitull të ri jo vetëm për krijimtarinë e Din Azizit, por edhe për vetë Galerinë Know, e cila hap dyert e saj për publikun me synimin për të qenë një hapësirë e lirë për artin bashkëkohor, dialogun kulturor dhe idetë inovative, transmeton 2LONLINE.
26 vjet krijimtari. 1 hektar art. 1 natë që nuk duhet humbur.
Ju mirëpresim në hapjen e ekspozitës dhe në inaugurimin e Galerisë së Artit Bashkëkohor Know.
12 Qershor 2026
Ora 20:00
Galeria Know
Rr. Ali Qerimi nr. 41, Livoç i Ulët – Gjilan
Mirë se vini!
