DYLON

Solidarizim me studentët e Universitetit të Prishtinës

Avatar photo Redaksia

(2LONLINE) – Organizata e studentëve shqiptarë në Gjermani po i përcjell me vëmendje zhvillimet e fundit ne Universitetin e Prishtinës.  Duke marrë parasysh që studentët janë motori i ndryshimeve pozitive në shoqëri, gjë që më mirë se gjithkush tjetër e kemi parë në të kaluarën jo shumë të largët të popullit tonë, ne e mbështesim të drejtën e studentëve për të protestuar për të drejtat e tyre, dhe njëkohësisht i bëjmë thirrje organeve të rendit që të distancohen nga veprimet e turpshme të sulmeve kundër studentëve.

Universiteti i Prishtinës është universiteti më i madh publik në Kosovë dhe ai duhet të funksionojë i pavarur nga ndërhyrjet politike. Përkundrazi, është Universiteti i Prishtinës ai që duhet të jetë shembull për politikën. Orientimi i Universitetit të Prishtinës në këtë kohë duhet të jetë ngritja e kapaciteteve hulumtuese, ngritja e cilësisë, demokratizimi dhe ndërkombëtarizimi i vërtetë, e jo lajthitja drejt niveleve të ulëta akademike. Ne besojmë që në Kosovë ka intelektualë të mirëfilltë, shkencëtarë të kalibrit ndërkombëtar, të cilët mund të bëjnë ndryshimet e duhura në frymën e udhëheqjes.

EkoHigjiena

Studentët shqiptarë në Gjermani janë në mbështetje të plotë të kërkesave të kolegëve të tyre në Kosovë, të cilët i ftojmë që të jenë këmbëngulës në kërkesat e tyre deri në fund. Nga studentët e Universitetit të Prishtinës presim që të japin shembull se gjërat me të vërtetë duhet të ndryshojnë për të mirë, duke filluar nga universiteti, që është burimi i dijes dhe avancimit shoqëror në përgjithësi. Ne gëzohemi që ju jeni të vetëdijshëm për forcën tuaj, e më së shumti që jeni të gjithë të bashkuar në kauzën tuaj, e cila është dhe duhet të vazhdoni pa ngjyrime politike.

Shpresojmë që edhe organet udhëheqëse të Universitetit t’i marrin me seriozitet të duhur këto zhvillime, e të kenë guximin për marrjen e vendimeve të duhura.

Organizata e studentëve shqiptarë në Gjermani grumbullon rreth 500 studentë shqiptarë në nivele të ndryshme akademike, nga studimet bazike deri ne doktorandë e asistentë në universitetet e ndryshme gjermane, ndër ta edhe ish studentë të Universitetit të Prishtinës. Është organizatë jopolitike dhe shërben si platformë e studentëve shqiptarë në Gjermani në organizimin e aktiviteteve të ndryshme me karakter kulturor-akademik dhe promovon bashkëpunimin ndërmjet studentëve në Gjermani e më gjerë.

Fatbardh Veseli
Ne emër të Grupit

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.