DYLON

Sokol Haziri: Kuvendi Komunal në terr informativ

Sokol Haziri: Kuvendi Komunal në terr informativ
Avatar photo Redaksia


“Kuvendi Komunal në Gjilan po funksionon në një terr të plotë informativ, gjë që tregon qartë se institucioni më i lartë përfaqësues i qytetarëve ka dalë nga binarët normalë të funksionimit. Kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj nga ndërprerja e kontratave për transmetimin profesional të seancave të Kuvendit Komunal. Si pasojë, qytetarët janë privuar nga e drejta për t’i ndjekur seancat në mënyrë të qartë, transparente dhe efikase”, thotë Sokol Haziri, kryetar i Aleancës, Dega në Gjilan.

Haziri thotë se aktualisht, transmetimet duket se realizohen vetëm përmes një kamere sigurie, ku shpeshherë nuk shihet qartë kush flet, nuk dëgjohet mirë diskutimi dhe nuk kuptohet përmbajtja e debatit. Një praktikë e tillë është e papranueshme për një institucion që duhet të garantojë transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve.

Kreu i Aleancës në Gjilan thotë se Kuvendi Komunal nuk është pronë e askujt, por institucion i qytetarëve, dhe çdo vendim apo debat që zhvillohet aty duhet të jetë lehtësisht i qasshëm për publikun.

“Transmetimi profesional i seancave duhet të jetë kusht bazë për funksionimin normal të organit më të lartë të komunës sonë, e jo luks apo çështje dytësore. Transparenca nuk duhet të mungojë në asnjë moment, sepse vetëm përmes saj qytetarët mund të informohen drejt për punën dhe vendimmarrjen e përfaqësuesve të tyre”, ka thënë Sokol Haziri, kryetar i Degës së Aleancës në Gjilan.  /2LONLINE/

EkoHigjiena