Smaka: Vendimi i Kushtetueses e con vendin në zgjedhje
Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Riza Smaka, në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se si jurist e ka pritur një vendim tjetër fare të Kushtetueses. Ai ka theksuar se Gjykata Kushtetuese nuk ka vepruar absolutisht në konformitet me aktin më të lartë juridik të një shteti, por “në koalicion me politikat ditore”, duke shtuar se me këtë vendin Gjykata kushtetuese e qon vendin direkt në zgjedhje, të cilat sipas tij, janë të pashmangshme.
“Koalicioni parazgjedhor (Partia Demokratike e Kosovës PDK, Lëvizja Për Bashkim LB dhe Partia e Drejtësisë PD) nuk do t’i ketë numrat e nevojshëm, që do të thotë se nuk ka gjasë që nga 37 t’i bëjë 61 vota, gjë e cila tregon se vendi duhet të shkoj përsëri në zgjedhje”, ka thënë Smaka.
Sipas tij, do të vazhdohet kjo amulli edhe për katër ose pesë muaj së paku.
“Do të shpenzohen përafërsisht edhe 10 milionë euro nga buxheti i varfër i Kosovës. Mbi të gjitha, vendimi i Kushtetueses nuk është në harmoni me Kushtetutën, sepse aty nuk është përmendur, se kujt i takon e drejta për ta formuar Qeverinë, as koalicioni parazgjedhor as koalicioni pas zgjedhor”, ka thënë Smaka për Telegrafin.
