(2L ONLINE) – Jo vetëm këshilltarët komunal të taboreve të kundërta dinë të “hahen” mes vete duke mbajtur qëndrime të kundërta për çështje të ndryshme, duke përfshirë edhe tentativën për të përvetësuar një të mirë, apo distancimin nga një e keqe.
Këtë në Gjilan kanë filluar ta bëjnë madje tani edhe ish këshilltarët komunal të përbërjeve të kaluara. Shkas për këtë është bërë ndryshimi i statutit të komunës, miratimi i këtyre ndryshimeve dhe plotësimeve në seancën e të enjtes e ku është paraparë edhe themelimi i Komitetit Ndërkufitar Rajonal.
Ka qenë pikërisht Refik Hasani, ish këshilltar komunal në përbërjen e kaluar, i pari që në deklarimet e tija ia kishte atribuuar vetes si meritë për t’u jetësuar kjo, përkatësisht që ka treguar se kush ka qenë i angazhuar për t’u iniciuar kjo. (shih shkrimin: Hasani: Ishte domosdoshmëri e kohës!)
Por, kjo deklaratë e Hasanit i ka ra si në “tesëll “ ish këshilltarit tjetër komunal në përbërjen e kaluar Arianit Sllamniku, i cili nuk pajtohet me deklarimet e Hasanit duke thënë se pikërisht angazhimet e tija kanë qenë të pareshtura për të iniciuar një çështje të tillë, me këtë ka aluduar në atë se Hasani ka dashtë me i përvetësuar meritat e dikujt tjetër.
“Duke ju referuar deklarimeve të Refik Hasanit, ish këshilltarit komunal të mandatit të kaluar se gjoja propozimi I tij ishte themelimi I komitetit ndërkufitar rajonal, jam i detyruar t’i qoj selam nga gurbeti: “Mos bo’ Francuz, bile mua mos sepse momentalisht jam me ‘fracuza’ në Francë në studime të Masterit dhe të njoh! Nuk të njoh vetëm unë por të njeh mileti. Nëse mileti nuk të ka njohur, atëherë në vazhdim ke argumentet që ta rrëzojnë teorinë”, ka thënë Sllamniku, për Portalin 2L ONLINE.
Ai tha tutje se për hir të qytetarëve të regjionit të Anamoravës por edhe të trekëndëshit ndërkufitar Gjilan-Preshevë-Kumanovë ofron për 2L ONLINE, dokumentin faktik të shërbimit të kuvendit të lëshuar nga sekretaria e saj në lidhje me inicuesin e Komitetit për bashkëpunim ndërkufitar. “Edhe jo që është ndonjë alamet pune e bërë por thjeshtë përvetësimin e meritave e urrej”, shprehet Sllamniku.
Madje, Sllamniku ofron edhe një video si dëshmi. “Derisa e lexoni dokumentin në fjalë, mund ta shifoni por edhe ta dëgjoni LIVE propozimin dhe prononcimin tim në mbledhjen e kuvendit komunal në Gjilan në cilësinë e këshilltarit të pavarur komunal”, thotë Sllamniku.
“Nëse dëshiron që vendasit e tu odave me ta bajt llafin, gjeje ndonjë shteg apo përrallë tjetër sepse ke të bëjë me kafshatë që nuk mundesh me e përtyp! Refik, kjo çështje për shpifje mund të përfundonte edhe tjetër kund por unë me kaq dua ta përmbylli këtë çështje më ty, duke dëshiruar të ju jap mend edhe shokëve tuaj me moton: “Punës së huaj thuaj punë e mar’, se jo që ju vret mundi por edhe mund të ju mbetet në fyt dhe mbeteni me marre” është shprehu Sllamniku. /2L ONLINE/