/Kumtesë e lexuar në Akademinë Përkujtimore për Dëshmorët e Kombit Skifter dhe Kastriot Arifi/
/2L ONLINE/ – Pranvera stinë e ringjalljes së natyrës për ne shqiptarët gjithherë ka simbolizuar stinën e lulëkuqeve , stinën e protestave dhe demonstratave. Stina e pranverës gjatë historisë ka simbolizuar stinën e luftërave e betejave të përgjakshme për Liri, e për koincidencë edhe të ngjarjeve e vendimeve të mëdha , jetike për kombin, atdheun, për fatin tonë.
Betejën e parë kundër Perandorisë Osmane, Skënderbeu e zhvilloi në fushën e Torviollit (në Dibër), të cilën e fitoi. Kjo betejë u zhvillua në qershor 1444. Betejën e radhës kundër osmanëve, Skënderbeu do e zhvilloj në qershor të vitit 1448 ku një ushtri osmane me sulltan Muratin II në krye do rrethojë kështjellën e Sfetigradit. Edhe këtë e fitojë.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit e mbajtur më 10 qershor 1878 përbën ngjarjen më të rëndësishme deri atëherë të Rilindjes Kombëtare dhe një nga ngjarjet më madhore në historinë e popullit shqiptar. Beteja e Kaçanikut ,betejë kjo më e madhja , pas betejave të Skenderbeut, në mes të kryengritësve shqiptar të udhëhequr nga Idriz Seferi dhe forcave të ushtrisë osmane,u zhvillua prej 24 prill deri me 02 maj 1910. Pranvera të përgjakshme ishin edhe ato gjatë tërë luftës çlirimtare të periudhës së pushtimit gjakatar serb e bullgar. Pranvera të përgjakshme do të jenë edhe ato të vitit 1981 e 1989. Agu i pranverës se vitit 1998 do të shënoje kthesën e madhe.
Adem Jashari me Jasharajt legjendarë do të këputen për të çelur me mijëra lulëkuqe që do të jenë përmbushje e vërshëllimës së mbetur përgjysmë të shpatës së lirisë së Skënderbeut, do të jenë flakë e pashuar e pushkëve të Sylejman Vokshit, Idriz Seferit e Isë Boletinit, të Mulla Idriz Gjilanit e Shaban Polluzhës, do tëjenë kushtrimi i mbetur në gjysmë e penda me ngjyre zbehur e Kadri Zekës e Jusuf Gërvallës, revolja pa plumba tëmjaftueshëm e Rexhep Malës, Nuhi Berishës e Arif Seferit.
Pranvera 1999 do të shënojë pranverën e lulëkuqeve vendimtare bashkë me qershorin e radhës kur triumfalisht u kurorëzua çlirimi, liria dhe fitorja e qullur dhe larë në gjak , me gjakun e mijëra e mijëra dëshmorëve e martirëve…Por Liria e Kosovës ishte e papërmbushur derisa Kosova Lindore dhe Ilirida ishin nën kthetrat e eskadronëve vrasëse serbe.
Pra lufta për Skifterin e Kastriotin nuk kishte përfunduar ende…
Të dy u lindën e ushqyen me ninullat kreshnike për të bëmat e të parëve të tyre. Ëndrrat në gjumin fëmijëror i kishte prishur shpesh ulërima e përplasja e dyerve nga qentë e çartur të milicisë e UDB-së serbe. Shpesh kishin mundur vetëm të vështrojnë me sy baballarët, axhallarët e kusherirët e tyre duke u tërhequr zvarrë ndër pranga e duke u kaluar para syve pa mundur të i përqafonin.
Kjo ishte jeta që e kaluan në ferrin e persekutimit familja Arifi-Seferi vetëm se ndjekën amanetin e të parëve se luftën e përpjekjet për Lirinë dhe Shqipërinë të mos i ndalin asnjë çast pavarësisht çmimit. Kjo ishte fëmijëria dhe rinia e hershme e Skifterit e Kastriotit të cilët tani më ishin kalitur dhe mbi ndërgjegjen e tyre ishte mishëruar amaneti i stërgjyshit Murtezit ,bashkëluftëtar e familjar i Idriz Seferit, gjyshërve Shabi e Fazli Seferit, bashkëluftëtarë të denjë të Mulla Idriz Gjilanit.
Skifteri e Kastrioti u pagëzuan natyrshëm me emrat që mbajnë.
Skifteri ishte përpjekja, fitorja mbi vështirësinë, forca, lufta e pandërprerë, nderi e mbi të gjitha ishte Shqiponja jonë-Identiteti ynë. Kastrioti ishte krenaria, historia, lavdia kombëtare, trimëria e mbi të gjitha ishte Heroi ynë.
Pra, Skifteri e Kastrioti ishin të vetëdijshëm se bartnin përveç përgjegjësinë e traditës familjare edhe përgjegjësinë individuale sepse sinonimizonin identitetin tonë dhe heroizmin tonë. Dhe për ta ishte i lehte vendimi. Ngjeshën radhët e Ushtrisë Çlirimtare me gëzimin më të madh në jetë. Se prirja luftarake është e lindur dhe gjenetike e kanë dëshmuar katërciperisht këta dy Viganë.
Skifteri dhe Kastrioti në të gjitha formacionet ku vepruan ishin model se si duhej veshur e mirëmbajtur uniforma, armët e pajisjet ushtarake, se si duhej mirësjellur ushtarakisht, se si duhej me përkushtim të kryheshin detyrat dhe përgjegjësitë ushtarake, se sa i shenjte ishte misioni i Luftëtarit të Lirisë.
Ata ishin shembull e model për shkathtësitë e dëshmuara të veçanta taktike luftarake, ata ishin shembull i trimërisë, fjalës së dhënë e besës sonë. Ata meqë ishin të tillë edhe pavdekësinë e fituan me shokët pranë. Skifteri bashkë me Hysenin, Rrahimin e Shefikun, kurse Kastrioti bashke me Shabanin, Bardhylin e Samiun.
Ranë për të rifreskuar historinë. Për ta bërë edhe më të natyrshme atë. Për të na e rikujtuar çdo çast, në mos çdo çast atëherë sa herë të vie përvjetori i Epopesë së UÇK-së, sa herë të vie përvjetori i Luftës së Rahovicës së UÇPMB-së dhe sa herë të vie përvjetori i Luftës së Sllupqanit të UÇ Kombëtare se ende kemi punë për të bërë.
Skifteri dhe Kastrioti me flijimin e tyre u bekuan nga Zoti e nga Populli me lavdinë hyjnore dhe gradën e shenjtë të dëshmorëve.
Tash e 15 vjet ata nuk janë fizikisht në mesin tone, por Ata do të mbetën përherë të rinj, të bukur, vital, të freskët, të buzëqeshur.
Do të mbeten përherë Komando, Gardistë të Kombit me uniformën e shenjte te ushtrise çlirimtare me pushkë në krahë shtrënguar fort për të na treguar se Sllupqani-Kumanova dhe Rahovica-Presheva janë uji, ajri e dheu i përbashkët i shkrepave të Karadakut NJË,..se janë fëmijë të një barku të ndara dhunshëm. Janë Kosova e sotme e Dardania e lashtë, janë vet Shqipëria e sotme e Iliria e Lashtë.
Andaj për ne, sot e përmot, do të na përcjellë kudo amaneti i tyre se lufta nuk ka mbaruar,..Kushtrimi e jehona e pushkëve të tyre nuk do të pushojë dhe do të godas ndërgjegjen tone çdo here deri sa të kapitalizojmë Shqipërinë ashtu siç e fali Zoti! Ne të gjallët e sotëm në një nga ditët e ardhme do të vdesim patjetër, Skifteri dhe Kastrioti bashkë me shokët e tyre dëshmorë , mbesin të pavdekshëm e të lavdishëm përgjithmonë! /2L ONLINE/