Muza poetike në poemën “Skënderbeu” të Beqir Musliut krijon faqen e re në poezinë shqipe të kohës si dhe artikulon madhështinë e kësaj epoke që ka ruajtur hijen e madhështinë e Skënderbeut. Në këtë vëllim poetik Beqir Musliu ka shkrirë shumë pika kulminante të ëndrrës, për ditët që i mungonin atdheut tonë.
Shkruan: Nexhat Rexha
Poema “Skënderbeu” ka ndarjet e saja në cikle, të cilat komunikojnë nëpër vargje e strofa, ato afrojnë ngjarjet e periudhat e lashta historike . Nëpër këto vlime e klithma të gjata, të dhembjeve e ndarjeve tona, vijnë si fuqizim i rizgjimit të ndërgjegjes sonë kombëtare. Në këto shtatë kaptina vijnë vargjet sonetike, të cilat krijojnë figurën e luftërave, e të ndodhive të kohës së Skënderbeut.
Në poezinë e fundit të pjesës së gjashtë radhitet poezia Akrostik. Ripërsëritja e një vargu refren vjen si rrëfim i dyfishtë për lexuesin në pjesën e gjashtë të librit “Ode mbi Skënderbeun”, çdo varg i fundit të poezive të kësaj pjese, vjen edhe si fillim varg i çdo poezie të këtij cikli . Deri sa poema “Skënderbeu” përmbyllet me poezinë “Post Scriptum”, në të cilën autori ka shkrirë portretin e Skënderbeut në unifikim të çështjes kombëtare.
Konditat e perceptimit artistik të Beqir Musliut në poemën “Skënderbeu”, kanë të akumuluar jetëgjatësinë e tyre si lidhje e komunikim nëpër të gjitha kohët, e ngjarjet historike që ka afruar pena e Beqir Musiut. Poema hapet me dy sonetet “Lahuta” dhe “Prolog”, që në këto dy poezi, autori ka shfaqur bukur idetë dhe ka konkretizuar lidhjet, ruajtjet e kujtesës së njeriut tonë nëpër luftërat e gjata si në kohën e Skënderbeut e më pastaj, ato kanë depërtim artistik nëpër faqet e librit. Poema “Skënderbeu”, në fund ka të paraqitur edhe datën e fillimshkrimit dhe të mbarimit të saj (1963-68),konsiderojmë se ky shënim ka korrektësi dhe ka vlerën , rëndësinë e ideve të thella të autorit, në përkushtimin e muzës së tij poetike, për çështjet e munguara si histori dhe si informacion, nevojë për njeriun tonë.
Jubileu i atëhershëm dhe jubileu i tanishëm ka dallimin e vet shumë të madh, sepse në 500-Vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, Kosova dhe trevat tjera shqiptare në ish Jugosllavi dhe në Shqipëri kishin ndarjet, ndalimin e tyre në komunikim, e të mos flasim për njohje e takime fizike në mes tyre. Në këto rrethana e realitete të pakuptueshme Beqir Musliu vjen para lexuesit me poemën”Skënderbeu”, e cila në bendi të vargut të saj ka shtrirje të thellë artistike,e që për shumë intelektualë e politikanë të kohës ishte domosdoshmëri, ani pse ata nuk kanë mundur të depërtojnë në këto thellësi artistike të poemës. Klithjet e autorit janë zjarr i brendshëm i një poeti në formim apo në forcim të kësaj fushe. Vargjet flasin e komunikojnë me poetin e formuar në fushën artistike, ai dëshmon se ka afruar gjerësi të mëdha e të fuqishme të fushës historike .
Në objektiven e vargjeve Beqir Musliu, ka skalitur figurën e simbolit të shtruar me gjerësi të metaforës , si preokupim i dashurisë në përjetim dhe shfaqje të dashurisë për një figurë pa epitete, sepse vetë figura e Skënderbeut ka krijuar epitetin e hapësirës shqiptare, e sidomos në Krujën e gurit të lashtësisë e qëndresës në luftë kundër sundimit Osman. Dialogu dhe portretizimi i Skënderbeut dhe Ballaban Pashës, radhiten në ciklin e katërt ”Skënderbeu dhe Ballabani”, në këtë dialog, autori ka ruajtur të qartësuar pendimin historik si element të tradhtisë. Poema në tërësinë e saj ka të bashkuara fjalën artistike me figuracionin emblemë, të cilat konfirmojnë ndodhitë e kohërave të gjata, por që ato i kanë pasur shkëputjet e munguara në faqet e librave të historisë sonë. Në poetikën e Beqir Musliut sikur këto faqe të munguara, arsyetojnë dhembjet e kohëve. Ato vijnë me të gjitha parashtrimet reale e artiske në vargjet e bukuritë që ka flora e fauna shqiptare. Nëpër këto shpalosje vijnë edhe elementet mitologjike që kanë ruajtur kohët, duke lënë gjurmë në arealin tonë, e të cilat tani në këtë përvjetor shpërthejnë fuqishëm në ruajtjen e muzës poetike të Beqir Musliut.
Bukuria e urtësisë në ëndërr
Beqir Musliu , portretin e Skënderbeut e ka shpërfaqur nëpër faqet e lindjes së diellit, si magji të urtësisë me fuqinë e Dragoit mitologjik. Kërkesat e pandërprera nëpër rrjedhën e ngjarjeve, vijnë si kërkesë e lumturi në rikthimin e fuqisë që japin zanat me bukurinë e madhështinë e tyre në malësinë e tokës sonë. Duke ndërlidhur kohët e protagonistët e lashtësisë sonë si me Teutën e Ilirisë,për të madhështuar trashëgiminë përtej këtyre kohëve sa krenare ,po aq edhe të zeza.
Këto prekje të të gjitha ëndrrave, vijnë si rezultat i dashurisë, dëshirës për të prekur me fjalën artistike të mundshmen në këtë përvjetor që ngërthen në vete të gjitha bartjet e kornizuara në zemrën e popullit. Ato vijnë gjithnjë në depërtim, e arritje të pamjes si kurorë sonetike, e reale me pamjen e një nuse që grumbullon dasmorë për lumturinë e dashurinë e zjarrtë që do i japë shtimin, bukurinë njerëzore atdheut tonë. Portreti i Skënderbeut në poemë ka shtrirje në çdo cep të hapësirës sonë, sepse Kruja legjendare ka ruajtur me krenari bëmat e saj:
Koha e basamume tani u ngjall,mbeti prapë e Re
U zgjuan edhe malet e dehuna në lule dhe në erë-
Që me ngrohtësi rrezon Arbërinë e ngrohtë përherë-
Me Legjendarin e madh për të gjitha kohnat:
SKËNDERBE! Fq. 74
Në këto vargje, figurën e Skenderbeut, autori e ka balsamuar si lule nëpër të gjitha kopshtet e familjeve shqiptare. Kështu, lavdia e nami i tij është kërkesë e ruajtur si zogu feniks që autori në shumë vargje e përsëritë “hinin” në zjarrin e votrën e çdo shtëpie. Balsamimi i personalitetit të heroit kombëtar Skënderbeut, në të gjitha kohët ruan lavdinë e namin për Shqipërinë e unifikuar. Figurat mitologjike që ka ruajtur njeriu ynë në këngët e tija, kanë reflektim artistik në poemën e Beqir Musliut “Skënderbeu”, të cilat kanë komunikim me lexuesin e kohërat, atëherë dhe sot, si të këtilla ato afrojnë dashurinë për atdheun dhe rikujtojnë kohët e liga nëpër rrjedhat e lashta kohore, si figurat: Dragoi, Kuçedra, Bajlozat, Shqiponja, Zana, Shtojzovallet, Euridika, Orfeu, Aresi, Prometheu etj.
Për të komunikuar me muzat e Parnasit etj. Në këto refleksione autori ka komunikuar me tempujt e dikurshëm si të Apollonit e tjerë, për të freskuar kujtesën historike në këtë Përvjetor të madh të historisë sonë kombëtare që shfaqet në Kosovë, me shpalosjen e flamurit kombëtar, bashkë me Demonstratat e vitit 1968 . Kjo poemë sikur i paraprin këtyre ngjarjeve të mëdha historike. Me poemën e tij Beqir Musliu ka artikuluar ardhjen e një fryme te re në Ballkan, si vargjet:
Tanë Ballkani u madhnue me Bijtë e tu, Arbeu
-Lahutarët i zbritën Lahutat nga muri
Dhe muruen dashninë në ato mure guri-
Që tash me e pyetë, edhe shkëmbi vetë të rrefen! Fq.90.
Mungesa e figurës së Skënderbeut në letërsi vjen fuqishëm me poemën e Beqir Musliut. Ajo komunikon bukur dhe lidh njeriun tonë me më shumë dashuri për kohën e munguar të këtyre pamjeve për flamurin kombëtar. Koha e sundimit serb, në hapësirën shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme, kishte vrazhdësinë e ashpërsinë e vet ndaj çështjes shqiptare. Arti letrar ka rëndësinë e motivimit për kohën e njerëzit e gjeneratave të reja, duke krijuar edhe klimën e pranueshme me tipizim të tërësisë së parashtruar në poemën “Skënderbeu”.
Konsideroj se poema e Beqir Musliut kushtuar kësaj ngjarje të madhe historike, është ndër të rrallat që ka trajtuar e shtruar kërkesat e kohës, për një kohë në ardhje. Në Poezinë e fundit “Post scripum”, në tërësinë e saj ajo himnizon epokën e Skënderbeut dhe afron mundësinë e përjetimit të esencës së poemës si tërësi në komunikimin artistik, po ashtu, edhe në mesazhin e saj të dobishëm për të gjitha ata që kanë mundur të depërtojnë nëpër këto kërkesa të Beqir Musliut, si në vargjet:” Me mbjellë synin tand si ma të mirën dritë n`male/Dielli tue të ngrohë në Krujë, Lezhë, në tokën kosovare ! Gjithkund kanë klithë e kanë brohoritë; O Skënderbe- ”fq.101.
Pas leximit të tërësishëm të poemës, lexuesi i sotëm me vëmendje mund të konstatojë se poezia e Beqir Musliut është gjithnjë metaforë e të ardhmes, e cila në kontekstin kohor ka zhvilluar ndërgjegjen intelektuale e letrare para bashkëkohanikëve të tij. Poema “Skënderbeu” në vete ruan aktualitetin e frymën e kohës, si parashtrim e kërkesë për lirinë e fjalës dhe ruan, kultivon aktualizimin e proceseve të mëdha kombëtare.
Të gjitha vargjet kanë gjuhën e figuracionit artistik me të cilat është veshur tërësia e poemës dhe kështu, me këtë mbindërtim ajo ruan vlerën artistike me fuqinë e saj të brendshme. Autori ka pajisur vargun e tij me fjalë të reja , të cilat e kanë begatuar veprën edhe në pikëpamje gjuhësore. Poezia në këtë libër ruan aktualitetin kohor dhe atë gjuhësor të kohës kur është shkruar e botuar. Prandaj, Skënderbeu në poezinë e Beqir Musliut, ka shpalosje e balsamim të përjetshëm në tipizimin e saj artistik, duke e pikturuar atë si melodi, e si këngë që arrin të komunikojë në të gjitha përmasat e kohëve.
Këtë objektivë, autori e ka realizuar me racionalizëm të peshuar përmes fjalës së zgjedhur, si e këtillë pema “Skënderbeu” dikton në ruajtjen e të gjitha hapësirave artistike , si trashëgimi kulturore, estetike me vlerë për të gjitha kohët. Pra, edhe në këtë 550- Vjetor të Skënderbeut, poema e Beqir Musliut, arrin të qëndrojë në lartësitë e komunikimit, si thesar e begati në kultivimin e letërsisë kombëtare.