DYLON

Skena politike e Gjilanit në dioptrinë e Rudakut! (E PLOTËSUAR)

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Analisti Avni Rudaku ka komentuar skenën politike të Gjilanit pas zhvillimeve më të fundit veçmas pas ngritjes së aktakuzave ndaj kryetarit aktual të Gjilanit Lutfi Hazirit që vije nga LDK-ja si dhe ndaj ish kryetarit Qemajl Msutafa që vije nga PDK, si dhe hetim i nisur ndaj kryetarit aktual të PDK-së së Gjilanit Zenun Pajaziti. Se, si i sheh ai aktualisht disa prej partive politike, ato që kanë përfaqësim në Kuvendin Komunal, qoftë pozitë, qoftë opozitë, do të mund të lexoni më poshtë mendimin e Rudakut, shpërfaqur gjatë një prononcim për Portalin 2L ONLINE.

Rudaku për LDK-në

EkoHigjiena

“Pas aktakuzave ndaj kryetarit të komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, kulti i rifuqizuar pabesueshëm pas triumfit në zgjedhjet e fundit aktuale lokale, ka rënë dukshëm, por ndodh që “çudia të zgjasë më së shumti tri ditë”. Pas këtyre aktakuzave, karizma e Hazirit është më e dobësuar dhe e ka sfiduar edhe shkathtësinë e tij prej “diplomati me të gjithë”, qoftë i afërt me opozitën kur ia uronte zgjedhjen e kryetarit të ri të degës, qoftë i afërt me besimtarët praktikues myslimanë – i njohur me nofkën “Lutë haxhiu”, qoftë i afërt me rininë që ironizon dhe satirizon skajshëm ndonëse e papunë si shumicë mbi 60 përqind, duke u argëtuar kur Haziri ishte takuar me figura si “Vali Corleonen”, e kështu me radhë. Pra, kryetari Haziri, në dy vjetët e parë të zgjedhjeve lokale të Gjilanit, ishte kryetari më i pakontestueshëm, më i fuqishëm, ndoshta fill pas karizmës së kryetarit të komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti, i cili gëzon tash popullaritet të pabesueshëm më shumë jashtë komunës sesa brenda Prishtinës, ndërsa dikur ishte kryetari më i popullarizuar në nivel vendi si kryetar komune. Pra, z. Haziri është dobësuar dukshëm me aktakuzën e fundit, por nuk duhet nxituar, sepse po që se shpallet i pafajshëm, kritikët e tij do të thonë se “e ka korruptuar gjyqësorin”, ndërsa militantët do të thonë “a po e sheh që ishte i pafajshëm dhe aktakuza ishte politike, e ngritur nga opozita, pra PDK-ja e Gjilanit?!”. E mbaj në mend kur e pyeta njërin nga të akuzuarit që e njihja, se a po ndikon aktakuza në përceptimin e klientëve, ma ktheu: “Ia kam parë shumë hajrin aktakuzës sepse u mediatizova, për habi edhe më shumë u rritë numri i klientëve!” Desha ta them edhe këtë se, qytetari aq shumë është bombarduar me aktakuza dhe me aktgjykime minimale që kanë dënuar të korruptuarit, sakaq mund të them se nuk i bën aq përshtypje popullit, aktakuza ndaj një politikani. Ju e keni rastin edhe më ekstrem: në cilin vend të botës si në Skënderaj, nuk shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme, ndërsa qeveriset komuna prej kryetarit në burg! Ndërsa nuk kemi qytetarë me vetëdije politike që ngritën dhe e krijojnë terrenin e ri për të shkaktuar zgjedhjet e reja. Madje as pas gjashtë muajsh në mungesë të kryetarit të komunës, nuk janë shpallur zgjedhjet në Skënderaj! Pra, si thoni ju se kanë ndikim aktakuzat në ndryshim të skenës politike, kur nuk ka ndikim as burgosja e një kryetari?! Mund të them se Lutfi Haziri më shumë është dobësuar si personalitet për kauzën e tij në qendër, me ambiciet për të marrë fronin e LDK-së pas Isa Mustafës, sepse rivalët e tij do ta prekin në këtë çështje për të mos e lënë si i pari i LDK-së! Në përgjithësi, është njollosur edhe zyrtarisht Haziri si politikan, por sikur e dimë të gjithë, njëherë ishte raportuar se EULEX po e heton atë edhe për një privatizim të një ndërmarrjeje publike, por u mbyllë dhe nuk është përfolur më! Haziri është kogjo i mbrojtur edhe ndërkombëtarisht, sepse atë e shohin si partner kompromisaxhiu, ngase është dëshmuar me dëgjueshmëri absolute në decentralizimin në Anamoravë! Në përgjithësi LDK-ja në Gjilan tash ka disa vështirësi që do ta dëmtojnë (aktakuzat e fundit, punësimi politik e nepotist sikur rasti kur e punësuara falënderonte publikisht kryetarin e komunës për punësim, etj.), por që asgjë nuk mund ta themi me siguri të plotë tani për tani, pasi sjellja e votuesit është e komplikuar: zhgënjimi i shumë votuesve të LDK-së nga premtimet klienteliste të kryetarit Haziri; zhgënjimi i disave prej ldk-istëve të fortë antithaçistë pas koalicionit të LDK-së me PDK-në; gara e brendshme që do ta përçanë mobilizimin e përgjithshëm për zgjedhjet e ardhshme se kush do të dalë kandidat, ngase kryesuesja e Kuvendit Komunal ka ambicie të mëdha për shkak të fuqisë së votave, ndërsa ajo mund të mos përkrahet nga kryetari aktual Haziri, dhe kjo do të ketë efekte në demotivimin shtesë për zgjedhjet e ardhshme; karizma e Lutfiut do të jetë e vështirë e arritshme tek të tjerët, pavarësisht kandidatit; disa anëtarë të LDK-së do të lëvizin në parti të tjera, si në Vetëvendosje, pasi që do të jenë edhe “falënderuesit që u bënë bashkë në bllokun e parë opozitar vetëm për të mos lënë PDK-në të formonte koalicionin qeverisës (LVAN)” (nëse ju kujtohet hera e parë që anëtarë të LDK-së bërtisnin: Albin, Albin!), e shumë barriera të tjera. Mirëpo, përsëri mbetet akoma parti pa ndonjë alternativë opozitare, që do ta dërgonte në shtëpi! Plus shtoja këtu forcimin në pushtet me punonjës të rinj, që do të jenë votuesit e saj besnikë! Por përfundimisht do të varet edhe nga kandidati i saj, sepse strukturat i ka të forta e tradicionale, pavarësisht ndonjë përçarjeje aktuale e të fshehur! Dhe hendikepi i fundit i saj është se “kontigjenti i të rinjve votues po shtohet”, ndërsa “më të moshuarit po bien”, meqë grupmoshat e të rinjve nuk janë të lidhur në mënyrë tradicionale me partitë e mëdha sikur më të moshuarit, pasi as nuk e kujtojnë sikur ne Rugovën, as luftën e fundit, as UÇK-në! Votuesit e rinj janë gjeneratë tjetër e ‘internetit’!”

Rudaku për PDK-në

“Sa i përket opozitës, është mjaft e dobët për ta sfiduar aktualisht LDK-në në Gjilan, nëse nuk sjellin në radhët e tyre kuadro të rinj e me kredibilitet, ndërmarrës të fuqishëm financiar, e tjerë e tjerë. PDK-ja në Gjilan, është goditur po ashtu rëndë, duke iu vënë aktakuza ish kryetarit të saj, z. Qemajl Mustafës me rreth 40 nëpunës të tjerë lokalë. Imagjinoni kur qeshnim me tregimin fantastik popullor: “Ali Baba me 40 hajdutë”! Ngjashëm bëhej me ish kryetarin, i cili u akuzua me 38 persona të tjerë, që i bie për 2 persona, të shpallet “Qemajl Mustafa me 40 hajdutë”! Natyrisht nuk duhet paragjykuar, por po themi për ndikimin që mund të ketë kjo aktakuzë me aq shumë persona të përfshirë, në një komunë si Gjilani. PDK-ja po ashtu e ka akoma hendikepin e të kaluarës së zgjedhjeve të brendshme, pasi që ka grupe të ndryshme klanore, të cilat kanë dy e tre prijës në tërësi dhe kjo i ulë në motivim. Pastaj, së fundi, edhe kryetari i degës, Zenun Pajaziti, i lakuar në aferën “Pronto”, ka zhgënjyer edhe disa PDK-istë e lëre më të tjerë. Kryetari i PDK-së, z. Pajaziti duket njeri pozitiv dhe që ‘përqafon’ shumë njerëz në rrugë, të rinj e të moshuar, është i hapur, i butë e i qetë, prandaj, disa PDK-istë që kam takuar, thonin se as nuk e kishin besuar një gjë të tillë, të paktën për Pajazitin. Ky i fundit përveç që mbahet në mend për skandalin e vjedhjes në dhomën e dëshmive në kohën kur ishte ministër (në atë kohë ishte përgjegjëse edhe ish presidentja Atifete Jahjaga, pasi ishte person i rëndësishëm në policinë e Kosovës!), në përgjithësi ka pasur një imazh pozitiv. Tash përgjimet e fundit, do ta prekin po ashtu autoritetin e tij. Pa harruar se është moti në politikë, nuk ka bërë sa duhet për Gjilanin për aq shumë vite si deputet, ish ministër (p.sh., të ndikonte për ndonjë projekt gjigant, autostradë, etj.), etj. Në aferën “Pronto 2”, Pajaziti nuk goditet sa disa të tjerë, por mjafton që të përmendet emri aty, miratimi për vëllain dhe të hysh në njollosje! Pastaj, shumë qytetarë amnistojnë tash për tash ndërhyrjet në punësim dhe emërime, sepse janë bërë të zakonshme dhe fare nuk u bëjnë përshtypje! Madje të votojnë shumë prej tyre nëse ‘ndërhyni’, sesa nëse e dinë që nuk ndërhyni, sepse thonë: “Nëse punë nuk të kryen nesër, s’ka asgjë prej tij dhe nuk e votoj dikë që s’të gjindet’! Pra, është ndërtuar keq ky mentalitet dhe nuk është lehtë të zhbëhet! PDK-ja në Gjilan është e goditur edhe nga krejt zhvillimet brenda PDK-së në nivel vendi. Mos të harrojmë se gati shumica e kryetarëve nga radhët e PDK-së janë të akuzuar, burgosur, hetuar, etj. Shtoja skandalin e prontos 1 e 2, e shumë afera të tjera, me gjithë përpjekjet e Kadri Veselit të marrë fytyra të reja afër vetes si Uran Ismailin, e të tjerë! Mirëpo, akoma nuk dihet për zgjedhjet e ardhshme lokale, sepse mund të ndodhin edhe shumë ngjarje që të ndërron kursi radikalisht politik! PDK-ja, për shembull, mund të fiton përkrahje nëse shpallet kryetari Haziri si i fajshëm! Riad Rashiti nga PDK-ja ka qenë ndër më të zëshmit si opozitar nga PDK-ja, sikur Fehmi Sylejmani i LV-së në Gjilan!”

Rudaku për AAK-në

“ Sa i përket AAK-së në Gjilan, për shkak që ka pasur pushtetin si koalicion, ka mundur të bën për vete ndonjë anëtar, por vazhdon të jetë me shumë sfida në organizim të brendshëm e të jashtëm. Performanca e qeverisjes në përgjithësi në Gjilan, nuk shihet më e mirë se e dikurshmja. Madje disa bëjnë mahi duke thënë me cinizëm: “E harruam Qemajlin, kur erdhi Luta!” Pra, ka pesimizëm gjeneral rreth qeverisjes së koalicionit në Gjilan dhe fatura do t’i shkon edhe partnerit, AAK-së. Kjo degë nuk ka personalitete të njohura e me ndikim në Gjilan, por sa herë që një parti është në pushtet, edhe konsumohet, edhe mund të fiton anëtarë të rinj, klientelistë, e tjerë e tjerë. Të qenit në pushtet besoj që vetëm i ka ndihmuar AAK-së në Gjilan, për të mos rënë edhe më tej. AAK-ja në përgjithësi në nivel vendi, ka arritur të rikthehet sidomos me kartën e “demarkacionit”, sepse akoma dominon perceptimi se është “parti e Dukagjinit”! Demarkacioni e ka rikthyer përsëri në skenë AAK-në si faktor i rëndësishëm, por edhe mbi figurat e saj vazhdojnë shumë dyshime për krim të organizuar, haraç, etj., të cilat ndikojnë edhe në performancën e degëve të saj në të gjitha komunat e Kosovës. Po të mos ishte demarkacioni, si kauza e ngritur më shumë nga AAK-ja, kjo e fundit do të shënonte edhe më tej rënie! AAK-ja në Gjilan, për diçka pozitive që mund të shihet, pasi që i takon drejtorisë së saj, është ‘e-aparati’ për të nxjerrë dokumentet si certifikatat e lindjes, shtetësisë, etj., përkundër disa vështirësive administrative kur zemërohen qytetarët që ‘ka rënë rrjeti’ brenda e jashtë!Ndërsa në gjërat e tjera, qoftë edhe performanca e nënkryetarit të komunës nga radhët e AAK-së, ka qenë e dobët! Në strukturat e saj të brendshme, po ashtu janë mjaft keq. Merreni shembullin e lajmeve mbi zhvillimet në Livoç, Lagjen VIII, ku kryetarët e nëndegëve të AAK-së, revoltohen për shkëputje totale të krerëve të saj me nëndegët, qoftë për harresa në vizita e konsultime, që ndikojnë në pezullimin e aktiviteteve të këtyre nëndegëve! “

Rudaku për Vetëvendosjen!

“Sa i përket Lëvizjes “Vetëvendosje” në Gjilan, është bërë mirë që e kanë ndërruar liderin pasi që ka pasur nevojë për energji të re, sikur e kërkon demokracia. Mirëpo, shkathtësitë e znj. Besa Baftiu, si lidere politike, lënë shumë për të dëshiruar! Të gjithë ta thonë “është grua e mirë, e edukuar, por e vështirë të jetë e zëshme e të ballafaqohet nesër me politikanë të rryer”! Qendra e Lëvizjes “Vetëvendosje!” në Gjilan, ndonëse me katër anëtarë në Kuvend, më shumë ka qenë opozitë kur nuk ka qenë fare ‘brenda’ në institucione, sesa tani. Vetëm njëri nga anëtarët e saj në Kuvend, individualisht shquhet për disa kritika ndaj qeverisjes lokale, apo “këshillave për një arsimim më cilësor në komunë”, dhe mbaron me kaq! Pra, si strukturë lokale, kanë qenë të padukshëm! Tre prej tyre, e kanë të vështirë të jënë figura të zëshme kritike, qoftë për nga vetënatyra e tyre, por edhe për arsye të tjera. Pra, përjashto ndonjë zë më të shpeshtë të një anëtari dhe ndonjë konferencë të zbehtë të tre anëtarëve të tjerë të Kuvendit, nuk ka ndonjë nismë, iniciativë, protestë, shkresë, padi, etj., sikur ishte dikur, edhe pse nuk ishte në Kuvendin Komunal. Pastaj, edhe kur bëhen aksionet e dikurshme simbolike, e kanë humbur forcën e dikurshme të ndikimit te qytetarët. Shpesh kalojnë pa ndikim te qytetarët, pavarësisht se dalin në mediet kosovare. Aksionet e tyre simbolike janë bërë për disa edhe të mërzitshme, pa ndonjë impakt dhe sa për të thënë se janë aktivë! Barrierë tjerë e kësaj opozite lokale në Gjilan, është edhe marrja e subjektit të saj politik më shumë me dy temat e mëdha, sesa me aspektet teknike, ekomomike, sociale e arsimore, qoftë në nivel komunal apo qendror. Me disa “gjeste të tyre”, me disa deklarata dhe sjellje të sekretarit të saj në nivel republikan, me disa tejtheksime të tepruara si “viktima të policisë” dhe përdorimi vend e pavend për “dhunën policore”, edhe atëherë kur gjithçka ka qenë e qetë dhe njerëzore, ka pasur efektet negative kudo ku është shtrirë ky subjekt politik. Pra, “viktimizimi para policisë” edhe kur nuk ka pasur arsye, e ka irrituar një pjesë të madhe të publikut, që do të ndikon edhe në performancën e qendrave të saj në Gjilan e kudo. Mirëpo, shpresa më e madhe e LV-së është se zhgënjimi me koalicionin e të mëdhenjve (PDK&LDK), mund të dërgon shpresat e qytetarëve tek ajo, qoftë edhe në Gjilan! Pavarësisht sondazhit të porositur nga ajo, LV-ja është në garë për vendin e dytë, nëse jo për të parin e të tretin, sepse ajo merr anëtarë të rinj edhe nga LDK-ja, edhe nga PDK-ja. Është edhe një rregull se zhgënjimi ndaj koalicionit të të mëdhenjve, forcon apriori “forcat radikale, nacionaliste-majtiste apo edhe ekstremiste djathtiste”, etj. Krejt në fund, LV-ja në Gjilan, ka mungesë të kuadrove të besueshme dhe me autoritet në hapësirën publike, ka lidere me perceptim pozitiv (“grua e mirë, por jo e zëshme si lidere politike” – dëgjohet stereotipi) por pa shkathtësi akoma të duhura të komunikimit publik, guximit, sigurisë, etj. Njerëzit përreth saj, po ashtu nuk kanë ndonjë veçanti dhe pa ndonjë dëshmi të sugjestionit politik te qytetarët. Pastaj është zbehur kureshtja e të rinjve sa ishte dikur, për të marrë pjesë në aktivitetet e saj dhe nuk e kanë tërheqshmërinë sikur e kishin dikur. Mungesa e kuadrove me autoritet në komunikimin publik, marrja e disa figurave të PDK-së të cilat janë të konsumuara tashmë, angazhimi minimal i këshilltarëve në Kuvendin Komunal, sjellja si opozitë shumë e dobët lokale, përplasja e LV-së në qendër me ‘kontigjentin aq të madh të policisë’, duke mos u dalluar ky gjeneralizim ndaj policëve, do ta kenë ndikimin e pafavorshëm në rezultatet zgjedhore. Por, performanca aq e keqe e dy partive të mëdha si PDK-ja e LDK-ja, do të jetë terren i përsosur i LV-së nëse ndryshon në strategji, kuadro, qasjen me njerëz, etj. Aktualisht në Kosovë, përveç pakënaqësisë së madhe ndaj koalicionit qeverisës dhe dy partive të mëdha, ka një irritim të pabesueshëm edhe ndaj opozitës në tërësi, pra edhe ndaj LV-së. Gjithçka është e pasigurt tani për tani, por gjithçka nuk do të ndryshon sikur mund të mendon dikush! Opozita ka dështuar të paraqitet si alternativë e besueshme deri më tash!”

Rudaku për Nismën për Kosovën:

Nisma për Kosovën që u bë bashkërisht me AAK-në në nivel vendi, në qytetin e Gjilanit nuk e ka ndikimin që ka vetë lideri Fatmir Limaj në Malishevë, apo Zafir Berisha në Prizren. Si ish pdk-istë, Nisma për Kosovën po ashtu bartë më vete sfidën më të madhe: aktakuzat më të rënda për Limajn, qoftë për krime lufte, e veçmas për dyshime rreth korrupsionit, sa ishte vetë ish ministër i Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit. Kjo ka efekte në të gjitha nëndegët e shpërndara në Kosovë të Nismës për Kosovën, me përjashtim të Malishevës, e cila e admiron si “hero të tyre lokal”, liderin Limaj! Nisma për Kosovën në Gjilan, pavarësisht se në radhët e saj nga ky qytet ka edhe deputeten aktive si Valdete Bajramin, nuk dëgjohet fare si zë për zhvillimet lokale në komunë, me përjashtim të ndonjë komunikimi me portalet lokale të kreut të saj, Bajram Hasanit. Nisma për Kosovën nga vetë struktura dhe ecjet e saj të deritashme, do të mbijeton falë shkrirjes apo bashkimit me partitë tjerë, në bashkimin e forcave, sikur është bashkuar Limaj me Haradinajn në qendër. Ky subjekt politik akoma është i ri, si subjekt i pavarur dhe ka shumë pak motivim të qytetarëve për të besuar se kjo mund të jetë alternativë kur krerët e saj kanë qenë në pozicione të larta shtetërore. Ajo do të jetë mbijetuese vetëm si bashkim forcash me të tjerët. Qytetarët shpesh vrapojnë edhe pas partive politike që mund të fitojnë nesër pushtetin! Prandaj, shumë prej tyre as në mendje nuk e kanë se një subjekt i vogël si Nisma për Kosovën, mund të mbijeton e pavarur, e lëre më të fiton zgjedhjet! Fati i LDD-së ka përcjellë shumë parti të vogla e të reja politike, ku në fillim janë shkrirë në koalicione parazgjedhore, ose janë shuar në tërësi! Pak subjekte të vogla kanë kondicion për gara të gjata maratonike dhe shumica i ngjajnë ‘sprintit’! Prandaj, edhe Nisma për Kosovën mund të shpresojnë që në nivel vendi të jenë bashkë me AAK-në dhe në fund t’i bashkëngjiten partisë fituese. Ndërsa në nivel lokal, po ashtu mund të bëjnë koalicione parazgjedhore dhe të përpiqen të fitojnë ndonjë ulëse në Kuvend apo të marrin ndonjë drejtori, ndonëse e kanë shumë të vështirë sa i përket strukturave në terren, mungesë kuadrosh, pa traditë, me perceptime negative për kreun e saj në nivel republikan, etj. Nisma për Kosovën nga fillimi është parë të funksionon vetëm si ‘patericë e dikujt’, por jo të shndërrohet në alternativë serioze. Përjashto ndikimin e fuqishëm në Malishëve për shkak të Limajt (ndikimi i tij si ish komandant në shokët e tij apo veteranët, mund të ketë ndikim, por është respekt i shpërndarë dhe i decentralizuar, e jo në një komunë tjetër të vetme, si dhe jo domosdo nderimi mund t’i kthehet në vota) apo të Berishës në Prizren, pak mund të shtrihet suksesshëm në komunat e tjera, aq më pak edhe në komunën e Gjilanit. Zakonisht stereotipi qytetar për këto parti të tilla të vogla është: “S’ka kurgjo prej tyre!” Po ashtu, mbijetojnë falë ndonjë miqësie të ngushtë, familjarëve të atyre që janë në këto subjekte, karizmës së liderit të tyre, dhe thjesht nëse nuk bëhen ‘patericë e dikujt’, shuhen ose janë krejtësisht formalisht ekzistente!

Rudaku për PD-në

“Partia e Drejtësisë është thyer shumë si strukturë, si nëndegë, si parti. Ajo ka gjasa të shënon vetëm rënie, por pa e humbur njëfarë strukture anëtarësh, pasi që gjithmonë gjendet kontigjenti i besimtarëve që mund të joshen sa herë dëgjojnë emra si “Zoti, islami, mbulesa, etj.” Mirëpo, aktakuzat e rënda ndaj ish kreut të PD-së, Ferid Aganit, strukturat e dyfishta brenda partisë dhe përçarja tash me zgjedhjen e kryetarit të ri e të kontestuar të PD-së, pazëshmëria e deputetes nga Gjilani në radhët e PD-së sa do të duhej, zhgënjimi i anëtarëve të saj me premtimin se do ta kërkonte dhe do ta kushtëzonte qeverinë për shumë kërkesa edhe me sfond fetar, do ta dëmton rëndë PD-në kudo. Aktualisht PD-ja është parti pa ndonjë impakt të rëndësishëm në Gjilan apo gjetiu, nëse nuk ndërron radikalisht ndonjë gjë në të ardhmen e afërt. Ajo do të mbijeton ndoshta në koalicione parazgjedhore apo në forma të tjera, me fitoren e ndonjë anëtari të saj, por jo më shumë.

Rudaku për AKR-në

Sa i përket AKR-së në Gjilan, nuk do ta ketë popullaritetin e AKR-së në Ferizaj me këngëtarin Labinot Tahirin! Ky i fundit do ta ndihmon qindfish AKR-në në Ferizaj, sikur Mimoza Kusari në Gjakovë. AKR është sinonim me partinë e parasë, përkatësisht të Behgjet Pacollit. Në fillim të hyrjes në skenë politike, AKR-ja pati rezultat të hatashëm prej mbi 15 përqind të votave, por me kalimin e kohës, ajo vepronte më shumë si kompani, sesa si parti politike. Pra, ajo përsëri do të rikthehet, sepse Pacolli është biznesmen me nam dhe për njerëzit si në Kosovë, ku ka papunësi e varfëri masive, por edhe kudo,shihet edhe si mundësi për fabrika, vende të reja të punës, investime, etj. Mirëpo, AKR-ja nuk e ka dëshmuar se do të mund të bënte ndonjë gjë, edhe përkundër që kryetari i saj kishte mjaft pozicione të rëndësishme në qeveri e presidencë. Mirëpo, nëse investohet më shumë para në fushatë, AKR-ja mund të ringjallet në komuna, sikur do të jetë Ferizaji. Tash për tash, AKR-ja e Gjilanit, është e dobët në organizim, struktura, shpërndarjen minore në zonat rurale e urbane, pa kuadro me ndikim, e shkapërderdhur, me etiketime të mëdha ndaj liderit të saj biznesmen, etj., dhe thuajse ka vepruar në Gjilan sikur të ishte e shuar që moti si subjekt politik. Në të ardhmen e afërt, nuk i dihet! Nëse Behgjet Pacolli përzgjedh kandidatë me ndikim në komuna, investon mjaft para në fushatë, qoftë edhe në Gjilan, mund të marrë ndonjë komunë sikur është Ferizaji, por jo më ndikim sikur e kishte rastin për herën e parë të hyrjes në politikë! /2L ONLINE/